Rend dhe Ligj

Si u ekzekutua ish-polici, bashkëshortja drejtuese në Policinë e Tiranës

Ish-efektivi i policies Arben Bilali, që u vra në mesditë në zonën e Selitës në Tiranën e Re, është qëlluar me automatik nga një makinë “Benz” ngjyrë e zezë, tip CLS, e cila ishte me targa të falsifikuara.

Sipas hetuesve që kanë këqyrur kamerat e sigurisë pranë zonës së ‘Vasil Shantos’, janë fiksuar lëvizjet e makinës, por dy autorët nuk kanë dalë nga automjeti për asnjë çast.

Mësohet se 10 plumba në trup dhe në kokë, i kanë marrë jetën ish oficerit të policisë, rreth orës 14:35 minuta të mesditës së sotme.

Sipas informacioneve paraprake, tre persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri armësh Bilalin, i cili gjendej brenda makinës së tij tip “Hunday”, në stacionin e fundit të Tiranës së Re.

Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë okularë, të cilët kanë parë tre personat e maskuar të largohen me një makinë të tipit “Benz”. Një kamera sigurie pranë një biznesi, pas një peme, mendohet se ka filmuar pamjet e atentatit.

Arben Bilali i ka mbijetuar një atentati në vitin 2010, ndërsa në të njëjtin vend, në maj të 2010-ës gjithashtu, ish oficerit i vranë vëllain, Leonard Bilali, ish mundës i Dinamos.

Për të parë se çfarë ka ndodhur sot, policia ka sekuestruar mbi 30 kamera sigurie që nga “Vasil Shanto” deri në vendngjarje. Ai ka humbur edhe dy vëllezër në atentat, ndaj edhe prej kohësh ishte ngujuar në banesë.

Vëllai i parë i ish policit, Bujar Bilali është vrarë në vitin 1998, ndërsa vëllai i dytë, Leonard Bilali është vrarë në vitin 2010. Për vrasjen e dy vëllezërve Bilali deri më tani s’ka asnjë të dënuar.

Ndërkohë bashkëshortja e 50-vjeçarit të vrarë është efektive policie, me rol drejtues në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Nuk dihet nëse kjo ngjarje ka lidhje me detyrën e bashkëshortes së Bilalit dhe nëse bëhet fjalë për ndonjë hakmarrje për shkak të detyrës që vetë Bilali ka ushtruar në të kaluarën si oficer i FNSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë