Ne rrjet

Si u bombardua baza e mercenarëve ‘Wagner’, blogeri rus postoi pa dashje një foto në rrjet

"Osint", përdorimi i imazheve satelitore komerciale, postimeve në rrjetet sociale, aplikacioneve gjurmuese, po luan një rol themelor në këtë luftë: baza e bombarduar u gjet një ditë më parë falë fotos së postuar pa kujdes nga një bloger pro-rus.

Gazeta Si - Një gjë është e sigurt. Askush sot nuk do të donte të ishte në vend të blogerit pro-rus Sergei Sreda, falë të cilit inteligjenca armike e Moskës gjurmoi pozicionin e bazës "Wagner" në Popasna të bombarduar një ditë më parë.

Grupi praushtarak “Wagner”, është një nga kompanitë mercenare më të fuqishme në botë dhe, megjithëse Moska vazhdimisht e mohon praninë e tij në skenarë lufte, lidhja me Kremlinin është shumë e fortë.

Fuqia e kompanisë është e tillë, që kohët e fundit madje është hedhur hipoteza se ishte “Wagner” në mënyrë autonome dhe pa informuar Moskën ajo që goditi burgun Olenivka ku mbaheshin të burgosurit e batalionit ukrainas “Azov”.

Përtej hipotezave, ajo që është e sigurt, është se pozicioni i bazës së Popasnës është tradhtuar nga një fotografi e disa ushtarëve të “Wagner”-it, e realizuar gjatë vizitës së Sredës në front.

Këndi, gjethja dhe sfondi i lejuan ekspertët të rindërtonin vendndodhjen gjeografike të vendit. Por jo vetëm.

Edhe një shenjë apo tabelë ndihmuan për të rindërtuar adresën në detaje. Dhe pikërisht ajo shkrepje që Sreda postoi në Telegram - nuk dihet nëse është apo jo i autorizuar për ta bërë këtë - përfundoi në duart e armikut.

Në ditët e mëparshme, grupet e Telegramit kishin qarkulluar imazhe që tregonin kreun e “Wagner” Yevgeny Prigozhin, duke vizituar bazën.

Të dhëna të tjera, të cilat e kanë ndihmuar Kievin dhe që kanë çuar madje BBC-në të hipotezojë se vetë Prigozhin u vra në bastisje.

Një lajm i mohuar më vonë nga rusët me imazhe të qarkulluara në rrjet që e tregojnë atë të gjallë në rrënoja, teksa kontrollonte gjendjen e ndërtesës.

Përtej implikimeve strategjike të bastisjes, ky është një shembull i qartë se si “Osint” ose përdorimi i imazheve komerciale satelitore, mjeteve të gjeolokimit, gjurmimit të fluturimeve, komunikimeve pa pagesë, postimeve në mediat sociale, prodhimeve video, softuerëve për njohjen e fytyrës dhe të analizës vokale, luajnë një rol kyç, por shpesh të anashkaluar në këtë luftë.

Sigurisht, ajo në Ukrainë nuk është lufta e parë në të cilën “Osint” ka një peshë. Mendoni për punën monumentale të bërë nga Bellingcat për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Por edhe për analizat në Nagorni Karabakh, apo ato të kryera në terren nga ekspertë të antiterrorizmit për të identifikuar dhe vrarë liderët e ISIS-it dhe Al Kaedës.

“Osint” - përveçse është i vlefshëm për inteligjencën - luan gjithashtu një rol themelor në të ashtuquajturën luftë informacioni.

Dhe në rastin e Ukrainës, ai bëri të mundur reduktimin e fushës së sukseseve ruse, duke theksuar ngërçin e saj ushtarak, duke forcuar moralin e rezistencës ukrainase, duke identifikuar autorët e krimeve të luftës dhe duke zhvlerësuar dezinformimin rus.

Disa shembuj praktikë, përveç rastit të Popasnës. Falë “Osint”, ekspertët zbuluan paraprakisht një përpjekje të autoriteteve pro-ruse të republikave të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut për t'ia atribuar një sulmi të rremë kundër civilëve rusë Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Duke hetuar mes të dhënave të një videoje, që sipas këtyre autoriteteve ishte xhiruar më 18 shkurt - vetëm pesë ditë para pushtimit rus - analistët e Bellingcat kanë konstatuar origjinën e saj reale që daton që nga 16 shkurti.

Duke treguar kështu se si përhapja e tij ishte një përpjekje e planifikuar për të ndezur armiqësitë dhe për të justifikuar një përgjigje të fortë ushtarake ruse, si dhe për të portretizuar ushtrinë ukrainase si një agresore.

Siç thekson analistja dhe ekspertja Caroline Rose e Institutit për Strategjinë dhe Politikën ‘New Lines’, një nga shembujt më domethënës të rolit të “Osint” në identifikimin e krimeve të luftës, është puna e kryer në Bucha në rajonin e Kievit.

Kur Forcat e Armatosura të Ukrainës hynë në zonë, pas përfundimit të pushtimit rus, ata identifikuan menjëherë një sërë trupash.

Pasi u shfaqën fotot e mizorive, zyrtarët e Moskës thanë se ushtarët ukrainas kishin ngritur qëllimisht një skenë, duke vendosur trupa të pajetë në rrugë dhe duke hedhur akuza të rreme ndaj rusëve.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov argumentoi se kjo skenë do të ishte projektuar pas tërheqjes ruse nga Bucha (e cila u bë më 30 mars), dhe në një postim në Telegram, homologu i tij i mbrojtjes, Shoigu, shtoi akuzat, duke thënë se - asnjë banor i vetëm i qytetit nuk kishte pësuar veprime të dhunshme.

Megjithatë, imazhet satelitore nga “Maxar Technologies”, treguan se të paktën 11 trupa u shpërndanë në rrugët e Bucha-s gjatë tre javëve para nisjes së Forcave të Armatosura të Moskës, duke treguar se vrasjet masive ishin kryer gjatë pushtimit të qytetit.

Metoda të ngjashme u përdorën nga studiuesit e “Osint” edhe më 9 mars, kur ushtria ruse bombardoi maternitetin nr. 3 të Mariupolit gjatë një armëpushimi që do të lejonte civilët ukrainas të shfrytëzonin korridoret humanitare.

Një bastisje që vrau tre persona dhe plagosi shtatëmbëdhjetë, disa prej tyre paciente shtatzëna të objektit.

Përballë përhapjes së imazheve të grave që evakuojnë spitalin, të mbështjella me batanije ose të vendosura në barela, ndërsa ishin të gjakosura, zyrtarët rusë pretenduan se fotot ishin false.

Por edhe në këtë rast, teknikat e “Osint” ndihmuan në kufizimin e propagandës ruse.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë