Kosova

Grupi paraushtarak ‘Wagner’ në kufi me Kosovën, ministri Xhelal Sveçla: Elementë rusë gjatë protestave

Ministri i Punëve të Brendshme të Prishtinës, Xhelal Sveçla paralajmëron: "Shërbimet aleate na kanë vënë në gatishmëri. E dimë se rusët kanë kaluar disa herë kufirin gjatë protestave në veri të Mitrovicës

Gazeta Si - Rusia e Vladimir Putinit duket se po i fryn zjarrit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Një denoncim i ardhur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjen konfirmim në disa raporte të inteligjencës perëndimore.

Që në kufirin serbo-kosovar zbulohet prania e mercenarëve të grupit “Wagner”, milicia paraushtarake e kontrolluar dhe drejtuar nga Kremlini.

“Kemi dëshmi se elementë rusë kanë qenë aty gjatë protestës së serbëve kundër targave kosovare”, tha për gazetën "La Repubblica" Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme të Prishtinës.

Referenca ka të bëjë me protestat që shpërthyen pas masës që synonte t'i kërkonte minoritetit serb në Kosovë (rreth 50,000) të zëvendësojë targat dhe dokumentet serbe me ato kosovare dhe çdo qytetar serb të paraqesë një lloj vize në kontrollet kufitare.

Protestat e serbëve të Kosovës në veri për çështjen e targave

"Kremlini nuk dërgon ushtarë këtu për të nxitur pakënaqësi dhe për të depërtuar në demonstrata, - tha Sveçla. – I mjafton të dërgojë 'instruktorët' dhe 007-at e tij".

Qëllimi i tij do të ishte "të përdorte Serbinë si një urë në zemër të Evropës, duke e ndihmuar atë të ketë ushtrinë më të mirë të armatosur të ish-Jugosllavisë".

Një akuzë e rëndë, e cila nëse vërtetohet mund të shkaktojë një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Grupi “Wagner”, i cili ka prani të tij edhe në luftën në Ukrainë, drejtohet nga miku, bashkëpunëtori dhe kuzhinieri i Putinit, Jevgeni Prigozhin.

Prigozhin, një oligark rus që mori pseudonimin "kuzhinieri i Putinit" për shkak të bizneseve të tij të hotelierisë, pranoi në shtator për herë të parë se ai themeloi grupin "Wagner" në 2014 për të luftuar në Ukrainë dhe pranoi praninë e tij në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

Më herët, Prigozhin i është nënshtruar sanksioneve të SHBA-së për rolin e tij të dyshuar në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Serbia dhe Rusia: një fije e dyfishtë

E sigurt është se marrëdhëniet mes Putinit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk duken të komprometuara nga pushtimi i Ukrainës.

Këtë e dëshmon, për shembull, vota e Serbisë kundër sanksioneve perëndimore. Beogradi do të kishte marrë gjithashtu nga Moska 30 tanke T-72, 30 automjete të blinduara, sistemin e mbrojtjes ajrore Pantsir S1 dhe, në prag të Krishtlindjeve 2021, mbërritën raketat antitank “Kornet”.

Dhe dosja në duart e qeverisë kosovare, thekson “La Repubblica”, do të përditësohej vazhdimisht.

Në Mitrovicë, një qytet kufitar i ndarë mes shumicës shqiptaro-myslimane dhe qytetarëve serbo-ortodoksë, mohojnë ndërhyrjen ruse.

Por mbështetja për Moskën nuk fshihet në qytet, sipas gazetës italiane. Që flet për postera me mbishkrimin “Putin Kosovo”.

Deri në tre vjet më parë, qeveria ruse kishte një zyrë diplomatike atje. “Shumë aktive dhe efektive”, sipas banorëve.

Trupat e KFOR-it në veri të Mitrovicës

Tensionet për targat dhe plani franko-gjerman

Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për targat kanë qenë kryefjala njëherësh edhe “preteksti” i revoltës serbe në kufi.

Edhe pse një kërkesë në dukje miniminaliste, Serbia e kundërshton kategorikisht duke reaguar përmes revoltës me protesta, dorëheqjeve të Listës Serbe dhe kundërshtive me dhunë të vendimeve të Kosovës. Në Prishtinë kjo gjë merr tjetër trajtë.

Kosova e sheh si një metodë e Serbisë për t’i dalë kundër planit të propozuar nga Macron dhe Scholz i cili njihet si “Plani Franko-Gjerman”.

Në thelb, në propozim i kërkohet Serbisë të japë dakordësinë për Kosovën që të futet në organizmat ndërkombëtarë në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ka qenë pikërisht ky propozim, arsyeja reale e revoltës serbe, e cila sipas kryeministrit të Kosovës Kurti, tenton që përmes grupeve kriminale të kundështojë me forcë çdo marrëveshje, apo plan për të mundësuar një hap para të Kosovës në organizmat ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti në deklaratën e tij të fundit theksoi se nuk ka e as nuk do të ketë tërheqje të vendimit të targave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë