Kosova

Si u arrit mes vështirësish vendimi për liberalizimin e Vizave për Kosovën e që hynte në fuqi në 1 janar 2024

Nga Gazeta ‘Si’- Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në mes të muajit prill dhe ka një datë se kur do të hyjë në fuqi: 1 janar 2024.

Sipas këtij vendimi, që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh europiane.

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të Schengen-it.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Europian.

Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Strasburg, 19 prill 2023. I pranishëm zvkryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja e jashtme, Donika Gërvalla.

Pas ceremonisë së saj, raportuesi i Parlamentit Europian për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

“Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për të plotësuar të gjitha kushtet dhe për t’i përmbushur ato para shumë vjetësh dhe tashmë po shpërblehet për këtë gjë. Por, nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, por është me rëndësi edhe për ne, pasi BE-ja përfundimisht e përmbushi premtimin e vetë”, tha Reuten.

Nuk mund të udhëtojnë drejt Spanjës

Komisioni Europian ka sqaruar tashmë se edhe pas liberalizimit të vizave, zotëruesit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë - vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Edhe pse vendimi për liberalizim vlen për të gjitha vendet e Schengenit, njohja e pasaportave është kompetencë e vendeve anëtare - në këtë rast Spanjës.

Komisioni Europian ka sqaruar, po ashtu, se liberalizimi i vizave vlen vetëm për zotëruesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Në vendim shkruan se liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS.

Bashkimi Europian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 nëntor.

Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem europian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem - krejtësisht elektronik - mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.

Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin ende lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë