Politike

Si trembet Rama

protesta studentet

Vetë Kryeministri Edi Rama është lëkundur pak nga qëndrimi i tij fillestar në lidhje me protestën studentore, por tërheqja e Qeverisë nga VKM-ja e 21 majit që tarifonte kreditet e lëndëve të mbartura në vetvete është një tërheqje që mbërrin pas presionit të protestës masive studentore të së enjtes.

Por, studentët thonë se nuk do të tërhiqen nga protestat deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre. Me shfuqizimin e VKM-së janë disa kërkesa të tjera, që studentët kërkojnë t’u plotësohen duke refuzuar negociimin.

Kërkesat e tyre nënkuptojnë ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë. Njëra prej këtyre kërkesave është investimi në bujtinat studentore për përmirësimin e kushteve të jetesës. Rama foli pikërisht për këtë kërkesë përmes rrjeteve sociale.

Ai publikon një video dhe flet për një investim masiv që kap vlerën e 18.8 mln eurove vetëm në fazën e parë për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen e konvikteve. Problemi është se videoja në fjalë është projekt 3D dhe punimet nuk kanë nisur ende.

Meqë po diskutohen këto ditë edhe kushtet e godinave për studentët, ja prova që kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, ka nisur një investim masiv (18.8mln€ Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D po vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti😉

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 6. Dezember 2018

“Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D por vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti”, shkruan Rama.

Këtë herë, ai nuk është shënjestra kryesore e protestës, ndryshe nga protestat në rastin e armëve kimike dhe atyre kundër tarifës së vendosur në Rrugën e Kombit. Këtë herë në shënjestër është ministrja e tij, Lindita Nikolla. Edhe ajo në konferencat e fundit të shtypit foli për keqkuptime nga nevoja e shtimit të komunikimeve me studentët.

Për këtë herë shprehimisht vetë Kryeministri Edi Rama nuk ka kërkuar ndjesë, edhe pse të mërkurën shfaqej i bindur se tarifa për kreditet ndëshkonte “ngelësit”, për të cilët tha se nuk kishte pse të paguanin taksapaguesit shqiptarë.

Por, rastet kur Kryeministri është detyruar të kërkojë falje pas protestave dhe vendosjes përballë fakteve të pakundërshtueshme nuk janë të pakta.

“Në rastin konkret, unë pa e parë fola me një paragjykim dhe kam bërë gabim. Kam bërë gabim pa dashje dhe e pranoj që kam bërë gabim”. Me këto fjalë, Edi Rama pranonte në nëntor të 2017 një gabim që kishte bërë kur iu referua me termin “kazan” gazetarëve italianë të “Le Iene”, për transmetimin e një investigimi që tregonte fëmijë duke punuar në galeritë e kromit në Bulqizë.

Rama ishte në shtëpinë e Shaqir Toskës në Bulqizë Fshat, ku me një gotë raki përpara komentoi investigimin e mediave italiane.

“Me erdhi inat me ca italianë, se edhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë me Bulqizën me filmime të vjetra me fëmijë që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot, kjo nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por s’është më. Ishin filmime të vjetra dhe e nxjerrin atje ja Shqipëria. Tmerr! Ça të thuash”, deklaronte ai me bindje në atë kohë.

Ndjesa që pasoi këtë koment u detyrua nga reagimi i gazetares investigative italiane, Alice Martinelli, e cila ishte autorja e një pjese të mirë të reportazhit, duke ndjekur nga afër një ditë pune të minorenëve në galeritë e kromit.

Ky ishte një prej rasteve, ndoshta më i bujshmi për shkak se tejkaloi kufijtë e Shqipërisë, por nuk ishte i vetmi ku Kryeministri gabonte dhe më pas kërkonte ndjesë. Që prej ardhjes në pushtet, në vitin 2013, ndjesa është një ndër fjalët më të përdorura të Edi Ramës. Në fjalimet dhe postimet në rrjetet sociale kjo fjalë haset shpesh, drejtuar qytetarëve shqiptarë edhe për gabime të qeverive paraardhëse.

Por, ndjesat më të mëdha të Edi Ramës janë dy dhe që të dyja ato kanë mbërritur nga protestat. E para u bë pak muaj pasi ai kishte ardhur në pushtet dhe lidhej me armët kimike siriane. Qindra protestues u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ato ditë për të kundërshtuar ardhjen e këtyre armëve në Shqipëri për çmontim dhe kërkonin më shumë transparencë nga Qeveria.

Foto nga protesta kunder armeve kimike siriane

Protesta u mundua të shfrytëzohej nga opozita, por drejtuesit e saj u refuzuan nga protestuesit. Edi Rama e cilësoi protestën një “dallandyshe shprese”, tha se duke qenë se bëhej fjalë për një operacion ushtarak e kishte të pamundur që kjo temë të diskutohej publikisht dhe pasi kërkoi ndjesë për të gjitha këto, në fund njoftoi vendimin e refuzimit të këtyre mbetjeve.

Rasti i dytë i ngjashëm mbërriti në mandatin e dytë të tij si Kryeministër. Në mars të këtij viti u ngrit trau në Rrugën e Kombit. Protestuesit, kryesisht kuksianë kundërshtuan tarifat e vendosura si tejet të larta dhe në protestë e sipër dogjën sportelet e vendosura atje.

Qeveria u tërhoq nga tarifat fillestare. Edi Rama i quajti protestuesit që u vunë zjarrin sporteleve “vandalë”, që do të japin llogari për veprimet e tyre, ndërsa i ka kërkuar ndjesë pjesës tjetër për mungesën e një sqarimi të plotë për tarifën e Rrugës së Kombit.

Foto nga protesta kundër vendosjes së traut në Rrugen e Kombit

Këto janë rastet e ndjesës së detyruar nga protesta, por Rama ka kërkuar edhe plot herë të tjerë falje e tërheqje nga vendime të mëparshme, i nxitur nga reagimi i qytetarëve dhe perceptimi i publikut.

I tillë ishte rasti kur plasi doli në media plani i qeverisë për të ndërtuar hidrocentrale në kaskadën e Lumit Osum. Rama u tërhoq kërkoi ndjesë dhe tha gabuam. Të njëjtën gjë bëri edhe pas denoncimit për një ndërtim të nisur në Lumin e Vjosës.

Kryeministri u ka kërkuar ndjesë qytetarëve edhe për gjuhën e përdorur në Kuvend në rastin kur zgjodhi fjalët nga greqishtja “Qirje” (zotëri) dhe “palikari” (trim), kur iu drejtua Vangjel Dules dhe Sali Berishës në një debat të ndezur për planin urbanistik të Himarës.

Një tjetër ndjesë dhe pranim gabimi i Kryeministrit është edhe ajo e qershorit të vitit të 2017. Vendi ishte në fushatë elektorale dhe nga një tubim në Kuçovë, Edi Rama u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit që të angazhohen e të mbledhin vota për Partinë Socialiste, thirrje që bie ndesh me pikën 2 të nenit 4 të ligjit për policinë, që e depolitizon këtë institucion.

Nga një vështrim i përgjithshëm, Rama kërkon ndjesë në tre raste. Së pari kur u drejtohet shqiptarëve për punët e munguara duke u justifikuar me qeveritë paraardhëse. Së dyti, kur shtohet presioni mediatik për një vendim a shkelje dhe në fund por më kryesorja kur protestohet e kundërshtohet masivisht nga qytetarët. Me pak fjalë kur protesta i mbërrin poshtë dritares kryeministrore dhe opozita nuk është në to.

 

Më Shumë