Njerez

Si t’i mbrojmë fëmijët “digjitalë”?!

Nga Anila Martini* - Çdo ditë në të gjithë botën hyjnë në internet për herë të parë më shumë se 175,000 fëmijë, ose thënë ndryshe një fëmijë në çdo gjysmë sekonde.
Thuajse 8 në 10 fëmijë shqiptarë kanë akses në internet kur dëshirojnë ose kanë nevojë. 3 në 10 fëmijë shqiptarë të një anketimi janë ekspozuar ndaj dhunës në internet, ndërsa rreth 14 për qind e fëmijëve të anketuar kanë kaluar përvoja të pakëndshme në internet. Gjysma e të anketuarve janë ekspozuar ndaj përmbajtjes seksuale në mënyrë të pavullnetshme, nëpërmjet dritareve (pop-ups). Kurse një në katër fëmijë raportoi se ka pasur të paktën një herë kontakt online me dikë që ka njohur në internet. Këto janë të dhënat e një studimi të vitit 2019 nga UNICEF Albania me një kampion prej 1000 fëmijësh në Shqipëri.

Të dhënat shqetësuese të prezantuara nga ky studim, në situatën aktuale të pandemisë globale, ku fëmijët janë të detyruar të shtojnë orët e qëndrimit para kompjuterit për ndjekjen e mësimt online, duhet të kenë pësuar rritje.
Interneti, ko shpikje e mrekullueshme e kohëve moderne ofron mundësi shumë të mira për fëmijët për të mësuar gjëra të reja që lidhen me interesat e tyre, hobet apo detyrat shkollore. Por, në të njëjtën kohë ata përballen edhe me një sërë rreziqesh dhe ekspozim ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe të paligjshme.

Biseda me një mikeshë më ngacmoi për të sjellë për lexuesin disa nga shqetësimet që lidhen me përdorimin e internetit prej fëmijëve. Ajo po ankohej që vajza e saj 7 vjeç rri gjithë ditën në telefon, po të paktën, - vazhdoi të më thoshte pa e fshehur dhe njëfarë krenarie , - po mëson anglisht kur bën chatt me fëmijë të tjerë nga vende të tjera nga bota. Vendosa të flisja me të. I thashë se për shkak të profesionit, kisha informacion për rrezikun që u kanoset fëmijëve të mitur pikërisht nga përdorimi i këtyre lojërave online dhe që pas atij chatt-i mund të jenë persona të rritur që tentojnë të lidhen me fëmijë, të arrijnë të sigurojnë foto, video, apo të të dhëna të tjera që përbejnë rrezik për ta.

Përballja paradoksale e fëmijëve shqiptarë me internetin shpesh ndodh që në ditët e para të jetës. Pamje aq shqetësuese si ajo e bareve dhe restoranteve tona, ku prindërit konsumojnë pije apo drekojnë të qetë, teksa bebet e tyre shastisen para një smartfoni, nuk rastis të shohësh në vende të tjera. Bebeve në Shqipëri u vetofrohet nga prindërit, një ekran duke i dhuruar një varësi të cilën mund ta vuajë për një kohë shumë të gjatë dhe me pasoja në shëndetin fizik, emocional dhe psikologjik. Mungesa e argëtimit real dhe ndërveprimit me lojërat në natyrë është një e drejtë që po u cenohet fëmijëve tanë.

Ndërsa për fëmijët pak më të rritur, teksa shumicën e kohës qëndrojnë në shtëpi para një ekrani në dukje të qetë e të sigurt, “zhytja” në mjedisin digjital i bën të pambrojtur dhe të ekspozuar nga rreziqe që për fat të keq, jo të gjithë prindërit dinë apo kanë mundësi t’i informojnë. Ka të dhëna prej studimeve që shumë fëmijë përdorues të rrjeteve sociale bien pre e dhunës verbale dhe bullizmit online, gjuhës së urrejtjes, si mes moshatarëve ashtu dhe nga persona të tjerë të rritur. Ky lloj i ri dhune është po aq dëmtues, madje edhe më tepër se dhuna fizike apo psikologjike. Pasojat janë të shumta dhe të vështira për ndërhyrje, pasi është dhunë që nuk raportohet, ose raportohet pak.

Pa pretenduar që mund të përmenden të gjithë problematikat që lidhen me fëmijët dhe internetin, personalisht e konsideroj të papërshtatshme dhe në dëm të fëmijëve, rastin e prindërve, kryesisht nënave të reja, që mbushin rrjetet e tyre sociale me fotot e fëmijëve të mitur, shpesh dhe të zhveshur. Minimalisht kur të rritet, ky fëmijë mund të mos jetë dakord me publikimin e fotove të tij në rrjete sociale, kjo është dhe duhet të jetë një zgjedhje që i takon vetë fëmijës ta bëjë. Ligji shqiptar për fëmijët garanton që fëmijët nuk mund të përdoren apo të ekspozohen nga prindi, për qëllime të përfitimit personal. Nga ana tjetër është e vërtetuar dhe pranuar që ekspozimi i fotove dhe imazheve të fëmijëve në rrjete sociale mund të përbëjë rrezik për vjedhjen e këtyre imazheve dhe përdorimin e tyre nga njerëz të rrezikshëm në rrjet. Jam e sigurt që pjesa më e madhe e prindërve ose nuk kanë, ose nuk e besojnë këtë informacion.
Shembujt e mësipërm, janë vetëm disa prej eksperiencave të fëmijëve në internet. Studimi i sipërpërmendur i UNICEF ka analizuar dhe të dhëna për prindërit, duke treguar që fëmijët shqiptarë nuk monitorohen nga prindërit gjatë përdorimit të internetit. Mekanizmat e kontrollit prindëror, apo programet kompjuterike që filtrojnë internetin. përdoren pak ose aspak nga prindërit. Edhe kur ky rol kryhet, ai është në mënyrë të njëanshme duke krijuar një hendek gjinor, pasi prindërit tregohen më të rreptë dhe i monitorojnë më tepër vajzat sesa djemtë.

Mbrojtja e fëmijëve në internet është një sfidë globale, por çdo prind duhet të përshtatë disa mënyra të thjeshta për t’i monitoruar fëmijët, por dhe për t’i ndihmuar të lundrojnë të sigurt në internet:
Aktivizimi i kontrollit prindëror mundësohet nga të gjithë motorët kryesorë të kërkimit në internet (Google, Safari, Firefox, Bing, etj). Madje disa ofrues të shërbimeve të internetit dhe operatorët celularë ofrojnë mjete shtesë të kontrollit prindëror, të cilat bllokojnë ose kufizojnë qasjen në faqe me përmbajtje të caktuara si dhe kufizojnë sasinë e kohës së kaluar në pajisje.
Mjafton që prindërit t’u drejtohen këtyre operatorëve për t’u shpjeguar dhe instaluar në pajisjet që përdorin fëmijët, masat e kontrollit prindëror.

Rekomandohet që prindërit të kalojnë kohë me fëmijët në internet, duke biseduar me ta se çfarë i tërheq më së tepërmi, çfarë aplikacionesh të reja mund të përdorin, pse disa prej tyre mund të mos jenë të përshtatshme. Në këtë mënyrë ata do të kuptojnë më mirë dhe rreziqet e mundshme me të cilat përballen.

Fëmijët duhet të mësohen që të kërkojnë ndihmë në rast se përballen në internet me ngacmime seksiste, shantazhe, kërcënime. Dialogu i hapur dhe diskutimi me ta janë thelbësore. Mënyra se si prindërit reagojnë, ka një ndikim kritik në gatishmërinë e fëmijëve për të treguar nëse janë të mërzitur, të shqetësuar nga diçka që kanë parë ose që u ka ndodhur atyre në internet. Kërkimet kanë treguar se shumë fëmijë hezitojnë të flasin me një të rritur për një përvojë negative në internet nga frika e pasojave.

Prindërit dhe fëmijët duhet të bien dakord për të vendosur kufij dhe limite për aktivitetet në internet kur është e mundur. Ndërtimi i një ekuilibër midis kohës në internet dhe aktiviteteve të tjera është thelbësore për mirëqenien e fëmijëve.
COVID-19 është kriza e parë me të vërtetë globale që kemi parë gjatë jetës sonë. Pandemia në mënyrë a tjetër prek çdo person, fëmijët gjithashtu. Për ta ashtu sikurse dhe për të gjithë ka ndryshuar mënyra si po jetojmë. Të gjithë po shpresojmë që pas kalimit të pandemisë jeta t’i kthehet normalitetit. Por jemi të vetëdijshëm që të mësuarit në distancë mund të jetë një mjet i vlefshëm dhe i arritshëm për fëmijët në të ardhmen dhe mjedisi digjital do të jetë gjithnjë e me tepër i pranishëm tek fëmijët. E rëndësishme është që prindërit të kujdesen që të gjitha të drejtat e të gjithë fëmijëve duhet të respektohen, mbrohen dhe përmbushen në mjedisin digjital .

*Anila Martini është specialiste për të drejtat e fëmijëve pranë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë