Keshilla

Si të veproni që ekipi juaj të bëjë pushime dhe të rikthehet më i çlodhur dhe me energji

Gjatë gjithë vitit, njerëzit kudo udhëtojnë për pushime në ditë të ndryshme festash ose gjatë fundjavave. Megjithatë, kur bëhet fjalë për të marrë lejen, punonjësit nuk përfitojnë plotësisht nga pushimet e tyre të paguara.

Mesatarisht, në SHBA, punonjësit kishin 9.5 ditë pushimi të papërdorura në fund të vitit 2021, sipas një studimi të bërë në janar të vitit 2022 me 1,021 amerikanë nga kompania e softuerit Qualtrics.

“Njerëzit shqetësohen shumë për të marrë pushimet, sepse nuk duan të humbasin mundësinë për të marrë pjesë në një projekt të caktuar, ose nuk duan të duken sikur nuk u intereson puna e tyre,” thotë Ashley Whillans, psikologe e sjelljes, asistente profesore në Shkollën e Biznesit të Harvardit dhe autore e “Time Smart”.

Por, “pushimet janë vërtet të rëndësishme për t’u rimarrë energji nga kultura jonë e punës së vazhdueshme”, thotë ajo. Ato na ndihmojnë që të shmangim burnout-in dhe t’i rikthehemi punës dhe jetës sonë “më të rifreskuar, më krijues dhe më energjik, duke u ndjerë më pozitivë”.

Kur bëhet fjalë për t’u siguruar që punonjësit të marrin pushimet e tyre të paguara, menaxherët kanë rol të rëndësishëm për t’i inkurajuar ata. Më poshtë janë tre taktika që mund të përdoren nga menaxherët, sipas ekspertëve.

 “Merrini pushimet vetë duke treguar si bëhen ato”

“Ndonjëherë, ne harrojmë ose neglizhojmë faktin që, kur drejtojmë një ekip, veprimet tona mund të ndikojnë në mënyrën se si ndihen njerëzit e tjerë që janë pjesë e skuadrës,” thotë Angelina Darrisaw, trajnere e karrierës, themeluese dhe CEO e C-Suite Coach, në lidhje me rëndësinë e drejtimit nëpërmjet shembullit.

“Nëse nuk po i merrni as vetë pushimet tuaja, – thotë ajo, – atëherë mund të jeni duke krijuar pa dashje një kulturë presioni, ku punonjësit nuk mendojnë se kanë mundësinë për të marrë pushime.”

Një mënyrë e thjeshtë dhe tepër e rëndësishme për t’u dhënë punonjësve ndjesinë se nuk është thjesht e pranueshme, por është e pritshme nga ana e kompanisë që ata të shfrytëzojnë kohën e tyre të plotë të pushimeve, është “duke i marrë pushimet vetë të parët dhe duke i treguar të tjerëve se si bëhen ato”, thotë Stacie Haller, një eksperte karriere në ResumeBuilder.com.

 Përcaktoni protokollet: “Kush do ta zëvendësojë punën e këtij personi?”

Ndonjëherë, kur punonjësit duan të largohen për pushime, ata kanë frikë se do të humbasin informacione të rëndësishme nga puna, ose i druhen faktit se askush nuk do të jetë aty për të mbuluar detyrat më të rëndësishme dhe kështu, ata do të mbeten prapa me punën.

Menaxherët “duhet të vendosin parametrat e duhur në mënyrë që çdokush të ndihet se mund të marrë pushimet që i takojnë”, thotë Haller. “Duhet të ketë protokolle. Kush do të zëvendësojë punën e këtij personi?”

Punonjësit tuaj duhet të kuptojnë se, kur të vendosin të ikin për pushime, do të ketë sisteme për t’u siguruar që puna e tyre do të kryhet dhe se ata nuk do të mbeten prapa. Organizoni një takim me ta përpara se të marrin pushimet dhe shpjegojini të gjitha detajet se kush do të mbulojë detyrat e tyre të përditshme.

Ju gjithashtu mund t’u tregoni atyre se për çfarë do të punojë ekipi, duke i dhënë kështu mundësinë që të japin një mendim përpara se të largohen.

“Nëse ata mendojnë se fjala e tyre do të dëgjohet, edhe nëse ata nuk janë aty – thotë Whillans, – kjo do të rrisë gjasat që njerëzit të shkëputen me të vërtetë nga puna gjatë pushimeve”.

“Njerëzit vlerësojnë paratë, por nënvlerësojnë kohën”

Meqenëse përfitimet e punës, të tilla si ditët e pushimeve, janë pjesë e paketës së kompensimit të ekipit, “njerëzit humbin shumë para” kur nuk i marrin ato, thotë Whillans. Nëse ia kujtoni atyre këtë gjë, mund t’i motivoni më shumë që të marrin pushimet e tyre.

Ajo sugjeron që të shikoni historikun e ekipit tuaj dhe zakonet e pushimeve të tyre, të bëni disa llogaritje, dhe më pas të thoni diçka të tillë si: “mesatarisht ekipi ynë humb një shumë prej X parash duke mos marrë të gjitha pushimet e paguara”. Kujtojini ata se janë të inkurajuar për të marrë kohën e plotë të pushimeve gjatë vitit.

“Njerëzit vlerësojnë paratë, por nënvlerësojnë kohën,” thotë ajo. Mund të ketë shumë mënyra për t’u siguruar që njerëzit të përfitojnë nga ditët e pushimit që u takojnë. 

Burimi: CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë