Keshilla

Si të mbroni fëmijët nga bota virtuale

Nga Caroline Knorr - Depresioni, ankthi, veprime të pakuptueshme nga të rinjtë janë rritur shumë kohët e fundit. Një ndër faktorët kryesor që ndikon për këto çrregullime, është dhe përdorimi pa masë i telefonave dhe rrjeteve sociale. Gjatë dy viteve të fundit, të gjithë kemi dëgjuar denoncime nga prindër të ndryshëm për fëmijët e tyre, që kanë tentuar të vrasin veten nga aplikacione të ndryshme që janë krijuar.

Pse nuk janë adoleshentët të lumtur?
Prindërit duhet të krijojnë disa metoda në mënyrë që fëmijët të shkëputen nga bota digjitale dhe të jetojnë më të qetë.

Studime të ndryshme kanë treguar se disa lloje aktivitetesh në telefon mund të jenë të dobishme dhe ne të gjithë e dimë ndjesinë e mirë që marrim nga telefonat ose nga rrjetet sociale, por nuk mund të anashkalojmë faktin se teknologjia është një fajtor kryesor për të gjithë stresin kolektiv, si te fëmijët ashtu dhe te të rriturit.

Marrëdhëniet e mira, ndjenja e vetëvlerësimit, karakteri i fortë dhe ndikimet e tjera pozitive janë ato që na bëjnë vërtet të lumtur, kështu që prindërit duhet të krijojnë disa rregulla familjare që janë në të mirë të fëmijëve.

Disa mënyra që të siguroni lumturinë e fëmijëve tuaj.
1-Ndihmojini fëmijët të kapërcejnë zhgënjimet dhe bindini se nuk duhet të ndjehen fajtor për gabimet por të mësojnë prej tyre.

2-Ushqejini me ndjenjën e vetëvlerësimit. Pëlqimet, komentet dhe statuset në rrjetet sociale nuk janë aq të rëndësishme sa fëmijët tuaj mendojnë. Duhet të organizoni aktivitetet që atyre iu pëlqejnë në mënyrë që ata të ndjehen të vlerësuar.
3-Mësojeni fëmijën tuaj të jetë mirënjohës. Duhet t’i mësoni që të jenë të vetëdijshëm për të mirat dhe të këqijat në jetë. Në këtë rast mund të lejoni disa aplikacione që i stimulojnë ndjenjën e mirënjohjes fëmijës tuaj. Gjithashtu, krijoni një kulturë vetëvlerësimi në shtëpi duke diskutuar për gjithçka që jeni mirënjohës.

4-Dilni vazhdimisht për shëtitje. Kjo është gjithçka që duhet të bëni. Natyra është e provuar shkencërisht që rrit mirëqenien dhe komunikimin mes njerëzve. Nëse keni nevojë për frymëzim shikoni filma që inkurajojnë eksplorimin në natyrë, ose thjesht shkoni për një shëtitje.
5-Edukojini të mos krijojnë lidhje të nxituara. Një bisedë në facebook apo një pëlqim në instagram nuk do të thotë se po gjejnë dikë të besueshëm. Duhet të edukoni fëmijët që të krijojnë një ekuilibër mes botës reale dhe asaj virtuale.

Prindërit janë udhërrëfyesit e fëmijëve dhe duhet të krijojnë kohë në shtëpi pa telefona. Largoni çdo rrjet social të mundshëm dhe bisedoni me anëtarët e familjes, kënaquni duke krijuar lojëra me njëri-tjetrit. Gjithçka që duhet të bëni është thjesht të jeni familje.
*Caroline Knorr është këshilluese e prindërve në rrjetet sociale. /The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë