Shendet

Si psikologjia e frikës e shtrembëron pikëpamjen tonë mbi kancerin

Nga Gazeta 'Si' - Ne kemi më shumë frikë nga rreziqet që vijnë nga njeriu, se sa nga ato që shfaqen natyrshëm. Kur Anketa Kombëtare e Tendencave të Informacionit Shëndetësor (HINTS) pyeti në vitin 2001, se çfarë mendonin njerëzit se e rriste rrezikun e tyre për t’u prekur nga kanceri, 80 për qind përmendën pesticidet dhe aditivët ushqimorë, ndërsa 88 për qind ndotjen mjedisore.

Në një version të sondazhit të vitit 2019, 79 për qind e tyre ranë shumë ose disi dakord se “çdo gjë shkakton kancer”. Frika e përhapur se shumë produkte dhe procese moderne shkaktojnë kancer, u ngrit për shkak të shtimit të smogut, lumenjve të ndotur dhe depozitimit të mbetjeve të rrezikshme, që e rritën ndërgjegjësimin dhe shqetësimin tonë për problemet mjedisore në vitet 1960-1970.

Në kapitullin 14 të librit “Pranvera e heshtur” (i titulluar “Një në katër”, pra se 1 në 4 prej nesh do të sëmuret nga kanceri), Rachel Carson shkroi:“Me fillimin e epokës industriale, bota u bë një vend në ndryshim të vazhdueshëm dhe të përshpejtuar.

Mjedisi natyror, u zëvendësua me shpejtësi me një mjedis artificial i përbërë nga kimikate dhe agjentë fizikë të rinj, shumë prej të cilëve zotëronin kapacitete të fuqishme për të nxitur ndryshime biologjike. Kundër këtyre kancerogjenëve që i kishin krijuar veprimtaritë e tij, njeriu nuk kishte asnjë mbrojtje”.

Në një mënyrë të habitshme për një shkencëtare (biologe detare), Carson luajti instinktivisht me tendencën psikologjike për t’u frikësuar nga natyra e krijuar nga njeriu. Ajo shkroi më tej:“Njeriu, i vetmi nga të gjitha format e jetës, mund të krijojë substanca që nxisin kancer”.

Por kjo nuk është fare as afër të vërtetës. Sepse edhe natyra “krijon” të gjitha llojet e kancerogjenëve. Megjithëse ne tani e dimë se shumica e kancereve janë rezultat i proceseve natyrore, që shkaktojnë mutacione të ADN-së, dhe që çojnë në rritjen e pakontrolluar të qelizave, dhe që dieta ushqimore, ushtrimi fizik dhe zgjedhjet e tjera të stilit të jetesës, mund të zvogëlojnë deri në 40 për qind rrezikun e kancerit, ky mit mbetet ende i ngulitur në besimin e përbashkët.

Ai është përforcuar nga ambjentalistët dhe mediat kryesore, sipas të cilave kanceri është kryesisht rezultat i produkteve dhe proceseve moderne të krijuara nga njeriu. Merrni parasysh këtë shembull:Në vitin 2010, Daily Telegraph (një gazetë britanike) raportoi se një studim mbi mumiet kishte zbuluar shumë pak lloje kanceri.

Sipas autorëve të studimit, kjo do të thoshte, siç shkruhej edhe në titull: ”Kanceri i shkaktuar nga njeriu modern”, pasi praktikisht nuk ekzistonte në botën e lashtë. Pra kanceri është një sëmundje moderne e krijuar nga njeriu, dhe e shkaktuar nga teprimet e jetës moderne.

Gazetari që me siguri duhet ta dinte si qëndron e vërteta, përsëriti hapin e madh që kishin bërë autorët e studimit për të arritur në përfundimet e tyre të njëanshme: “Gjetjet sugjerojnë se janë stilet moderne të jetesës dhe nivelet e ndotjes të shkaktuara nga industria shkaku kryesor i sëmundjes, dhe se ajo nuk është një gjendje e natyrshme.”

Tani e dimë që shumica e kancereve janë rezultat i proceseve natyrore, të cilat shkaktojnë mutacione të ADN-së dhe çojnë në rritjen e pakontrolluar të qelizave. Studimi do ta kishte bërë krenare Rachel Carson. Autorët shkruan:“Një rrallësi e habitshme e sëmundjeve malinje tek mbetjet fizike të njerëzve të lashtë, mund të na tregojë se kanceri ishte i rrallë në antikitet, dhe ky zbulim shtron disa pyetje në lidhje me rolin e faktorëve mjedisorë kancerogjenë në shoqëritë moderne”.

As studimi dhe as raportimi i tij, nuk përmendën faktin se zakonisht njerëzit në “antikitet”, nuk jetonin gjatë dhe se rritja moderne e prevalencës së kancerit, korrespondon me jetëgjatësinë tonë më të madhe. Apo që kanceri në indet e buta nuk do të shfaqej në fosile.

Lufta ndaj besimit të rrënjosur se “çdo gjë që shohim sot, shkakton kancer” është shumë e  vështirë. Hulumtimi shumë i respektuar “Cancer Research UK” u përpoq, duke e quajtur studimin të pasaktë dhe mashtrues, si dhe duke adresuar drejtpërdrejt faktorët psikologjikë të kontrollit, duke përhapur më pak frikë: “Mund të jetë joshëse të shqetësohesh se rreziku ynë nga kanceri buron shumë nga gjërat e jashtme si ndotja dhe kimikatet, sesa nga gjërat që mund t’i kontrollojmë, si mënyrat e jetesës. Por dekada kërkimesh, kanë treguar se faktorët e stilit të jetesës, si mos-pirja e duhanit, mbajtja e një peshe trupore të shëndetshme, kufizimi i konsumit të alkoolit, ushtrimi i mjaftueshëm fizik dhe shmangia e djegies nga dielli, kanë një efekt të rëndësishëm në rrezikun e kancerit”.

Në të kundërt, janë të dobëta provat që ndotja dhe industrializimi, kanë një rol të përhapur në shkallën e prekjes nga kanceri në Mbretërinë e Bashkuar. Besimi se kanceri shkaktohet kryesisht nga substanca të prodhuara nga njeriu, shpjegon arsyen pse çdo përmendje e fjalës “kimike” apo “rrezatim”, shkakton alarm tek njerëzit. (Imazhi i rezonancës magnetike, quhej në fillim imazhi i rezonancës magnetike bërthamore).

Termi “bërthamore” u hoq për të shmangur aludimin e frikshëm me armët dhe rrezatimin radioaktiv. Dhe kjo shpjegon arsyen përse shkencëtarët e frustruar nga “kemofobia“ dhe “radiofobia”, pasojat e kancerofobisë , përpiqen ta reduktojnë këtë frikë duke argumentuar: “E gjithë natyra është e përbërë nga kimikate dhe nëse jemi të shqetësuar për energjinë bërthamore, duhet të shqetësohemi edhe për burimet natyrore të rrezatimit si dielli dhe bananet”.

Burimi: Big Think/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim: Shkëputur nga libri “Kurimi nga kancerofobia: Si na mashtrojnë rreziku, frika dhe shqetësimi”, botuar këtë vit nga Johns Hopkins University Press.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë