Shendet

Si po na çmendin rrjetet sociale

Tre miliardë njerëz kontrollojnë telefonin të paktën 30 herë në ditë. Kjo tregon se rreth gjysmë milionë njerëz shkëmbejnë mesazhe dhe dërgojnë foto në minutë. Tashmë jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve që vite më parë dukeshin të paarritshme. Psikologët kanë ngritur prej kohësh alarmin mbi ndikimin në shëndetin mendor që shkakton varësia prej rrjeteve sociale. Kontrolli i shpeshtë i telefonit rrezikon të shkaktojë një efekte të dëmshme dhe të pariparueshme të shëndetit mendor.

Psikologja Loreta Kruja thotë se rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së gjithsecilit. “Impakti psikologjik është i konsiderueshëm tek njerëzit që përdorin rrjete sociale. Për hir të modeleve që shohin, krijojnë dhe marrëdhëniet me njerëzit që kanë në jetën reale. Duke iu referuar rasteve të krimit, të marrëdhënie seksuale në moshë të hershme apo komunikimit me njerëzit; gjithçka vjen si pasojë e dyzimit të personalitetit që krijohet nga rrjetet sociale. Nëpërmjet fotove krijohet një dyzim personaliteti, sepse edhe me “pëlqimet” që mund të jepen në një postim, të krijohet një vetëvlerësim i lartë. Por në momentin që kthehen në realitet, bien në kontradiktë. Kjo përplasje vë në dilemë personalitetin e tyre,” thotë psikologja.

“Një tjetër rast që përbën problem janë edhe tendencat e të rinjve për veprime ekstremiste si vetëvrasja që vjen nga ky dyzim i personalitetit. Prandaj është shumë e rëndësishme të shtohet numri i punonjësve socialë dhe psikologëve nqpër shkolla, kopshte dhe institucione të ndryshme,” shton ajo.

Duke e ditur që rrjetet sociale janë të dëmshme për jetën tonë, a mund të sakrifikojmë shëndetin, mirëqenien mendore dhe kohën tonë? Sipas një studimi të “Royal Society for Public Health”, rrjetet sociale Instagram, Snapchat, Tuitter kanë rezultuar shumë të rrezikshme për shëndetin mendor të të rinjve. Ekspertët publikuan efektet pozitive dhe negative të bazuara në përgjigjet e 1500 të rinjve, nga mosha 14-24 vjeç. Rrjetet sociale tërheqin të rinjtë sepse janë të fokusuara të imazhi, por shpeshherë shkaktojnë depresion dhe vetëvlerësim të ulët nga postime të ndryshme. Nga kërkimet e ndryshme rezulton se rrjetet sociale sjellin një mori probleme në shëndetin mendor, të cilat janë:

Stresi

Në vitin 2015 shkencëtarët nga Uashington DC me anë të një studimi zbuluan se rrjetet sociale nxisin më shumë stres se sa ju lehtësojnë. Në anketën e 1.800 njerëzve, gratë ishin më të ndikuara se burrat. Një ndër rrjetet sociale më të përdorura u cilësua Twitter, sa më shumë që njerëzit e përdorin atë, aq më shumë bëheshin të varur.

Humori

Sipas studiuesve në universitetin e Kalifornisë, humori i mirë ose i keq përhapet edhe në mesin e njerëzve në rrjetet sociale. Njerëzit ndikohen aq shumë nga rrjetet sociale, sa që nëse dikush tregon në një postim se ditën tjetër moti do të jetë i keq, të gjithë të tjerët do ta besojnë pa e parë parashikimin e motit.

Ankthi

Një studim i botuar në revistën Computers and Human Behaviour zbuloi se njerëzit që përdornin më shumë se 7 platforma rrjetesh sociale mund të kenë nivele të larta të ankthit, i cili karakterizohet nga ndjenjat e shqetësimit, probleme me gjumin dhe përqendrimin.

Depresioni

Një studim i universitetit të Kalifornisë, që përfshiu më shumë se 700 studentë zbuloi se simptoma depresive të tilla si: humor i ulët, ndjenjat e pavlefshmërisë, lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale. Gjithashtu një studim i ngjashëm i kryer në vitin 2016 ku përfshiheshin 1700 njerëz rezultoi se njerëzit që përdorin gjatë gjithë kohës rrjetet sociale janë trefish të rrezikuar nga depresioni.  Një nga arsyet më të muga të depresionit është edhe krimi kibernetik.

Pagjumësia.

Hulumtuesit nga universiteti i Pittsburgut kanë zbuluar se drita blu e telefonave ose laptopëve mund të pengojë prodhimin e melatoninës. Nëse shtrihesh për të fjetur dhe vazhdon të shikosh rrjetet sociale do të rrini më shumë se zakonisht zgjuar ose nuk do të bëni gjumë të qetë.

Varësia

Në vitin 2011 studiuesit nga universiteti Nottingham Trent në Mbretërinë e Bashkuar kanë analizuar 43 studime të mëparshme arritën në përfundimet se varësia nga rrjetet sociale është një problem i shëndetit mendor që mund të kërkojë trajtim profesional. Ata zbuluan se përdorimi i tepruar ishte i lidhur me problemet e marrëdhënieve, arritjet e këqija akademike dhe  pjesëmarrja e pakët në komunitet. Gjithashtu, studiuesit vërtetuan se personat që janë të varur nga rrjetet sociale dhe mund të krijojnë edhe varësi të tjera si alkooli ose droga.

Vetëvlerësimi

Një studim i vitit 2016 nga studiuesit në Universitetin Penn State, tregoi se kur njerëzit shikojnë postimet e të tjerëve për gjëra dhe vende që nuk i arrijnë dot, shpesh herë krijojnë mendimin se ata janë të paaftë.

Mirëqenia

Hulumtuesit e marketingut Jonah Berger dhe Eva Buechel zbuluan se njerëzit që janë emocionalisht të paqëndrueshëm kanë më shumë gjasa të paraqesin emocionet e tyren rrjetet sociale. Studiuesit treguan se edhe pse,kjo gjë i ndihmon të marrin mbështetje dhe të  mos mendojnë për përvojat negative sa më shumë kohë që njerëzit kalonin në vend, aq më e keq ndjeheshin më vonë dhe kënaqësia e tyre jetësore do të ulej me kalimin e kohës.

Vetmia

Një studim i botuar në American Journal of Preventive Medicine vitin e kaluar ka anketuar 7,000  njerëz dhe ka treguar, se ata që shpenzojnë më shumë kohë në rrjetet  sociale janë më të prirur drejt vetmisë.

Është e qartë se rrjetet sociale ndikojnë te njerëzit në mënyra të ndryshme, pavarësisht nga personaliteti apo kushtet e jetesës. Ashtu si ushqimi, bixhozi, apo çdo gjë tjetër që cilësohet e tepërt, edhe përdorimi i shumtë i rrjeteve sociale nuk është e këshillueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë