Analize

Si po “mbjellim” sërish luftën në Ballkan?

“Nuk kemi pse ndërhyjmë në një luftë që nuk na përket”, deklaroi Xhejms Bejker, Sekretari amerikan i Shtetit në qershor të vitit 1991, kur u pyet për shpërbërjen e Jugosllavisë. Gati 30 vite më vonë, Xhon Bolton, këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump  mbajti një qëndrim të ngjashëm kur u pyet muajin e kaluar për ndryshimin e kufijve të Kosovës. "Ne nuk përjashtojmë shkëmbimet territoriale... Mendojmë se Beogradi dhe Prishtina duhet ta zgjidhin vetë këtë çështje", theksoi ai.

Kur të shkruhet historia e ardhshme e Ballkanit, këto dy deklarata do të jenë më të rëndësishme se çdo qëndrim tjetër i zyrtarëve amerikanë. Ishte deklarata e Bejker ajo që i dha hovin Sllobodan Millosheviç për të lëshuar të gjithë arsenalin ushtarak kundër Kroacisë dhe Bosnje-Herzegovinës në fillim te viteve '90. Rezultati ishte shpërthimi i një sërë konfliktesh të përgjakshme në të gjithë rajonin. Tanimë, deklarata e Xhon Bolton kërcënon t’i vëre shkelmin jo vetëm politikës amerikane përgjatë dy dekadave të fundit, por edhe përpjekjeve ndërkombëtare për paqen. Duke u mbështetur tek bisedimet private midis krerëve të Serbisë dhe Kosovës, për të shkëmbyer një pjesë të territoreve, si mjet për t'i dhënë fund konflikteve mes tyre, Bolton i ka dhënë tanimë dritën jeshile Beogradit dhe Prishtinës për të ndryshuar kufijtë. Në këndvështrimi e Bolton, normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është bllokuar për shkak se serbët nuk pranojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, bisedimet e udhëhequra nga Bashkimi Europian nuk po çojnë askund dhe dy vendet nuk mund të përparojnë drejt anëtarësimit në BE. Siç deklaroi edhe Bolton, nëse Kosova dhe Serbia bien dakort për shkëmbimin territorial dhe të normalizojnë marrëdhëniet, pse duhet ti pengojnë Shtetet e Bashkuara apo Europa në rrugën e tyre?

Përgjigjja është se pasojat e një marrëveshjeje midis Serbisë dhe Kosovës do të jenë të papërmbajtshme. Ky pakt do të intrigonte serbët e Bosnjës, shqiptarët e Maqedonisë dhe pak a shumë çdo pakicë tjetër në rajon. Për fat të keq, në rastin e Bosnjes, nuk ka asnjë alternative tjetër për ndarjen e vendit, përveç luftës. Shumica e boshnjakëve nuk do ta pranonin kurrë humbjen e lindjes së vendit, e cila përfshin edhe Srebrenicën. Në të njëjtën kohë, asnjë udhëheqës serb nuk do ta pranonte ta lëshonte këtë territor, i cili kufizohet me Serbinë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ndryshe nga çdo grup tjetër etnik në rajon, ajo që i dallon boshnjakët nga Republika Srpska është feja. E mbërthyer nga Turqia dhe aktorë të tjerë të dyshimtë të Lindjes së Mesme, Bosnja do të përfshihej në një konflikt të përgjakshëm me serbët ortodoksë. Me siguri ajo do të mbetej pa dalje në det, pasi edhe kroatët e vendit do të këmbëngulin për t’u bashkuar me Zagrebin.

Mitrovicë, një shqiptar i Kosovës qendron para një muri ku shkruhet "Për këtë vend ja vlen të vdesësh”

Duke pasur parasysh përqindjen relativisht të lartë të rekrutëve të Shtetit Islamik nga rajoni dhe faktit se shumë prej tyre janë gati të kthehen, Bolton dhe mbështetësit e tjerë të shkëmbimit territorial duhet të marrin në konsideratë skenarin e frikshëm që i pret Kosovën dhe Bosnjën, dy shtete të gjunjëzuara ekonomikisht në zemër të Europës, të cilat me siguri do t’i nënshtrohen ndikimit ekstremist islamik.  Nëse kufijtë e Kosovës ndryshohen, ngjarjet që do pllakosin në rajon nuk do të jenë më surprizë për askënd. Diskutimi i shkëmbimit të territoreve nga Bolton dhe zyrtarët e tjerë europianë ka qenë i mjaftueshëm për të entuziazmuar udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili po ndërmerr prej kohësh hapa paraprak drejt shkëputjes, duke e cilësuar pavarësinë e Kosovës si një arsye për ndarjen nga Bosnja. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Shqiptaret atje, rreth e një e treta e popullsisë, ishin në luftontë me maqedonasit në vitin 2001. Shqiptarët e Maqedonisë janë të lidhur ngushtë me të afërmit e tyre në Kosovë dhe Shqipëri dhe për shumë prej tyre kufiri mes shteteve të rajonit në të cilat ata ndodhen nuk ekziston. Pavarësisht zotimeve të liderëve shqiptarë në Maqedoni, tentativat për shkëputje do të rikthehen, veçanërisht nëse "Kosova e re", etnikisht homogjene, do të dojë të bashkohet me Shqipërinë. Në këto kushte, shqiptarët e Maqedonisë nuk do të kishin asnjë arsye për të qëndruar jashtë portës së Shqipërisë së Madhe. Ashtu si Bosnja, edhe ndarja e Maqedonisë është një çështje komplekse që mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Shkëputja e shqiptarëve atje, do të zgjonte ndjenjat nacionaliste në Bullgari, Greqi dhe Serbi, për të rikthyer kështu edhe njëherë Luftën e re Ballkanike. Ashtu siç ndodhi në konfliktin e një shekulli më parë, Ballkani do të zhytet në kaos.

Deklarata e Boltonit erdhi në një kohë mjaft të papërshtatshme. Uashingtoni ndihmoi në hartimin e marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë, e cila mund të çcojë në zgjidhjen e tensioneve shekullore në të gjithë rajonin. Por për fat të keq, verejtjet e parakohshme të Boltonit për Kosovën kanë injektuar pasiguri të reja, duke inkurajuar të gjithë aktorët e jashtëm dhe të brendshëm që duan të pengojnë marrëveshjen. Në zellin e tyre për të gjetur një zgjidhje sa më të shpjetë, mbështetësit ndërkombëtarë të ndarjes territoriale po harrojnë një nga pasojat më të mëdha të kësaj marrëveshjeje: koston njerëzore për pakicat që do të vijë më pas. Beogradi dhe Prishtina planifikojnë të shkëmbejnë tre komuna të populluara nga shqiptarët në jug të Serbisë (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) dhe tre ose katër komuna të populluara kryesisht nga serbët në veri të Kosovës (Lipjan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veriu i Mitrovicës). Por mes këtyre dy grupeve të qytetarëve ka një dallim të rëndësishëm: shumë serbë do të gjejnë veten në "anën e gabuar" të kufirit. Një pjesë e mirë e tyre jetojnë në jug të Kosovës dhe do të jetojnë mes shqiptarëve dhe të braktisur nga Beogradi.

Angela Merkel, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Pikërisht për këtë arsye, kreu i manastirit të Deçanit në Kosovë dhe serbët e tjerë në jug  kundërshtojnë me zë të lartë ndryshimin e kufijve. Me fjalë të tjera, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç përballet me dilema serioze përpara së të vulosë shkëmbimin territorial me homologun e tij në Kosovë, Hashim Thaçin. Por tre komunat që Serbia dëshiron të marrë, përfshijnë edhe minierën strategjike të Trepçës. Thaçi do t’i jepte Serbisë një aset strategjik të Kosovës, duke nxitur edhe reagime të ashpra në vend dhe ndryshe nga Vuçiç, ai ka një ndikim shumë më të dobët politik. Mënyra e vetme për të ndaluar në kohë këto trazira, thonë analistët, është që Bolton dhe administrata Trump të kuptojnë se paqja në Ballkan është një interesat kryesore të SHBA-së.  Udhëheqësit amerikanë duhet të jenë të vendosur dhe të bashkojnë forcat me Berlinin. Fakti që Beogradi dhe Prishtina po flasin për shkëmbimet territoriale, tregon se arritja e një marrëveshje është afër. Ndoshta emërimi i një të dërguari të posaçëm të BE-së për Kosovën dhe Serbinë (me të cilin do të bashkëpunonte edhe Uashingtoni) do të dërgonte një sinjal të rëndësishëm në rajon.

Megjithatë, nëse Beogradi dhe Serbia insistojnë për shkëmbime territoriale, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania mund të punojnë së bashku për të mbajtur nën kontroll pasojat. Së pari, nuk mund të ketë marrëveshje për ndryshimin e kufijve të Kosovës pa marrë zgjidhje Bosnja.  Perëndimi nuk mund të lejojë një marrëveshje të pamatur që të destabilizojë Prishtinën, ende pa u shëruar nga lufta e përgjakshme e gati 2 dekadave më parë. Beogradi, i cili është bashkë-nënshkrues i Marrëveshjes së Dejtonit, duhet së pari të angazhohet me vëllezërit e tij serbë dhe t'i udhëzojë ata për të negociuar reformat e shumëpritura në Bosnje. Së dyti, Serbia dhe Kosova duhet të pranojnë parimin se asnjë shkëmbim territorial nuk mund të ndodhë pa miratimin e vetë pakicave, i cili do të bëhej nëpërmjet një referendumi në zonat e propozuara për shkëmbimin territorial. Së treti, BE-ja duhet të sigurohet se nëse Serbia anëtarësohet në union, nuk do ta pengojë hyrjen e ndonjë shteti tjetër në rajon, si Kosova ose Bosnja. Askush nuk mund të insistojë që popujt e Ballkanit të pëlqejnë me forcë njëri-tjetrin, por ata janë të detyruar të bashkëjetojnë.

Çfarë thonë banorët e Luginës së Preshevës?

Shaip Kamberi, kryetari i bashkisë së Bujanocit shprehet nëse Beogradi dhe Prishtina arrijnë marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, do të fillojë të jetojë një ëndërr. "Të gjithë shqiptarët kanë ëndërruar që kjo të ndodhë një ditë- tha Kamberi, por nuk do ta kishim menduar kurrë që do të ishte kaq afër."

Pronari  i një dyqanit pret klientët në qytetin e Preshevës, në Serbi 

Vuçiç pritet të vizitojë Kosovën për t'u shpjeguar implikimet e mundshme serbëve që jetojnë atje. Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999, pas fushatës së NATO-s për të ndalur masakrimin e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga vendi. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga më shumë se 100 shtete, përfshirë 22 anëtarë të BE-së, edhe pse Serbia ende pretendon se ajo është pjesë e shtetit të saj.  Në vitin 2013, Prishtina dhe Beogradi u angazhuan në një dialog të sponsorizuar nga BE-ja, për të zgjidhur të gjitha konfliktet e mbetura.

"Por një zgjidhje e nxituar do të hapte një sërë problemesh të reja, ashtu siç vendimet e nxituara në vitet 1990 çuan në hapjen e kutisë së Pandorës dhe konflikteve të përgjakshme nacionaliste", tha Sava Janjiç, kreu i manastirit ortodoks në Deçan, për Reuters. "Kjo nuk do të stabilizonte Ballkanin, por do të hapë plagë të reja”, paralajmëron ai.

Shkëmbimi i territoreve është kundërshtuar po ashtu edhe nga një grup aktivistësh që e quajnë veten “Qytetarët dhe Miqtë e Ballkanit”, të cilët paralajmërojnë BE-në të ndalojë në kohë këtë “marrëzi”. 

Burimet: "Foreing Policy","Reuters" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë