Mjedis

Si po i rrezikojnë ndryshimet klimatike resortet e skive

Nga Alpet Zvicerane në Malet Shkëmbore, resortet e skive po përballen me ndikimet e ndryshimeve klimatike. Si po përshtaten ata në një botë që po ngrohet?

Anzère njihet si resorti më i gjelbër i skive në Europë por fshati zviceran pati një fillim të vështirë të sezonit 2023. Ashtu si shumë qendra të tjera, Anzere u detyrua të mbyllte disa nga pistat për shkak të mungesës së borës në fund të dhjetorit dhe ditët e para të janarit.

Alpet përjetuan temperatura të larta rekord gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke arritur në 20.9 gradë Celsius në Zvicrën veriperëndimore.

"Ishte jashtëzakonisht ngrohtë gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri," thotë Stephanie Dijkman, drejtoreshë e qendrës së skive në Anzère.

"Pothuajse e gjithë bora në fshat ishte zhdukur dhe njerëzit nuk ishin në gjendje të bënin ski”, shton ajo.

Për fat të mirë, bora filloi sërish në fillim të janarit, pikërisht në kohën e ardhjes së “dashamirësve të vërtetë të skijimit” të cilët rezervojnë udhëtimet e tyre jashtë sezonit të festave dhe shpresojnë për “kushte shumë të mira”, thotë ajo.

Por moti i ngrohtë i kohëve të fundit është një paralajmërim për atë se cfarë e pret industrinë e skive.

Shumë resorte tashmë kanë dy opsione: ose të mbyllin biznesin ose ta përshtasin atë për të përballuar kërcënimet në rritje.

Nga Alpet Zvicerane në Malet Shkëmbore, resortet po përballen me ndikimet e ndryshimeve klimatike duke u përpjekur të sigurojnë mbulesë të mjaftueshme dëbore dhe të përshtaten me shpejtësi me kushtet në ndryshim, ndërsa parashikojnë se si duket e ardhmja e tyre në një botë që ngrohet.

Përveç masave për të reduktuar emetimet e veta, të tilla si duke investuar në energjinë e rinovueshme dhe ndërtimin e centralit më të madh të ngrohjes me dru në Europë, Anzère po planifikon për kohën kur skijimi mund të mos jetë më biznes në atë vend.

"Ne jemi të vetëdijshëm se duhet ta përshtatim resortin për vitet në vijim", thotë Dijkman.

"Ne po investojmë më shumë në shtigjet e biçikletave, në shtigjet e ecjes dhe po mundohemi të zbulojmë çdo gjë që mund të ofrojmë, në dimër dhe në verë”.

Ndryshimi i klimës po e kthen skijimin në një argëtim të rrezikuar. Sezonet e skijimit po bëhen më të shkurtra dhe pistat po bëhen të gjelbra me rritjen e temperaturave. Reshjet e dendura në vendpushimet alpine kontribuan në shkrirjen e borës dhe krijimin e baltës.

Vendpushimet e skive po investojnë në shtigje biçikletash malore, shtigje ecjeje për të inkurajuar turistët që t'i vizitojnë gjatë verës

Kur temperaturat rriten, atmosfera përfundon duke mbajtur më shumë avuj uji, gjë që çon në më shumë reshje”, thotë Marie Cavitte, studiuese e klimës në Universitetin e Louvain në Belgjikë.

“Kur temperaturat rriten, avulli i ujit bie si shi në vend që të bjerë si borë. Kjo është ajo që po ndodh në stacionet e skive në lartësi të ulëta, të cilat janë nën 1,600 metra”.

Në vendpushimet me lartësi të ulëta në Europë, thellësia e borës po zvogëlohet me 3-4 cm çdo 10 vjet, thotë Cavitte.

Një tjetër shqetësim i madh është zhdukja e shpejtë e akullnajave. Vendpushimet alpine si Tignes në Francë mbështeten në akullnajat për mbulimin e borës dhe furnizimin me ujë. Në Alpet Europiane, akullnajat pritet të zhduken pothuajse plotësisht deri në vitin 2100, me Panelin Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike duke paralajmëruar se ato mund të humbasin 94% të vëllimit të tyre deri në fund të shekullit. Me rritjen e temperaturave, akulli i akullnajave shkrihet më shpejt dhe ka më pak borë të freskët. Shkrirja e akullnajave mund të çojë në përmbytje të rënda dhe erozion në luginën poshtë dhe të rrisë rrezikun e ortekëve, duke shkatërruar infrastrukturën si dhe duke reduktuar ndjeshëm furnizimin me ujë për komunitetet lokale.

Në një sërë vendpushimesh skish në SHBA, sezoni i skive u tkurr me një mesatare prej 34 ditësh midis 1982 dhe 2016, sipas një studimi të vitit 2018.

Sezoni i dimrit në Anzère është zvogëluar me vetëm disa ditë gjatë 30 viteve të fundit, thotë Dijkman. “Por në disa resorte europiane, sezoni është shkurtuar me javë dhe kjo padyshim do të ketë një ndikim mjaft të madh”.

Mungesa e borës nuk është sfida e vetme me të cilën po përballen vendpushimet e skive.

“Në Shtetet e Bashkuara, zjarret janë një kërcënim më i madh", thotë Auden Schendler, ekspert në Aspen Skiing Company, i cili operon në resortin Aspen Snoëmass në Kolorado.

Gjatë pesë viteve të fundit, zjarret u janë afruar rrezikshëm qyteteve dhe kanë mbyllur autostradat kryesore në rajonin e skive.

“Ne po shohim tashmë zjarre në vendpushimet e skive. Ato janë një kërcënim i madh, njësoj sa humbja e borës",, thotë Schendler, duke shtuar se në vitet e fundit resorti ka përjetuar edhe rrëshqitje dheu të shkaktuara nga reshjet ekstreme.

Vendpushimet e skive po përpiqen të sigurojnë që të mund të qëndrojnë të hapura për të gjithë sezonin e tyre dhe t'u ofrojnë turistëve mjediset piktoreske të mbuluara me borë që ata presin.

Për ta bërë këtë, ato janë duke shfrytëzuar makina të mëdha bore të cilat mbulojnë pistat me të.

Një studim nga Universiteti i Bazelit në Zvicër paralajmëron se resortet që ndodhen nën 1800-2000 metra do të duhet të mbështeten gjithnjë e më shumë në borën artificiale për të mbajtur të hapura pistat e tyre më të larta të skive deri në 100 ditë rresht, ndërsa shpatet më të ulëta mund të mos jetë e mundur pasi kjo do të rriste konsumin e tyre të ujit me 79% deri në vitin 2100. Gjatë një dimri mesatar nga fundi i shekullit, një resort do të konsumonte rreth 540 milionë litra ujë, krahasuar me 300 milionë litra sot.

Në Alpet Franceze, konsumi i ujit mund të rritet nëntëfish deri në vitin 2100, sipas studimit.

Kjo mund të çojë në konflikt midis industrisë së skijimit dhe komuniteteve lokale që mund të mbështeten në ujin për hidrocentralet, paralajmëruan studiuesit.

Studimi parashikon gjithashtu një rritje të madhe të kostove operacionale për vendpushimet e skive nëse janë të detyruar të përdorin borë artificiale për të ruajtur shpatet e tyre. Kjo për shkak se makineritë që shpërndajnë borën dhe që rregullojnë pistat punojnë me lëndë djegëse fosile ndotëse. Aktualisht nuk ka makineri për prodhimin e borës që funksionojnë me burime të rinovueshme.

Thënë kjo, zgjidhjet për t'u përshtatur me ndryshimin e klimës në male, "në mënyrë ironike shtojnë më shumë CO2 në atmosferë dhe po e bëjnë problemin klimatik më keq", thotë Cavitte.

Përveç ndikimit klimatik të makinave të borës, ekziston edhe një sfidë operacionale pasi bora artificiale mund të prodhohet vetëm kur temperaturat qëndrojnë nën 1 gradë Celsius.

Ajri duhet të jetë mjaft i ftohtë që pikat e ujit që nxjerrin makinat të ngrijnë dhe të kthehen në grimca bore.

Gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shumë vendpushime alpine u detyruan të mbyllnin shpatet e tyre pasi temperaturat ishin shumë të larta për të gjeneruar borë artificiale.

Ndërkohë, disa kanë përdorur mbulimin e akullnajave me mbulesa mbrojtëse për të ndaluar shkrirjen e tyre gjatë verës. Të bëra nga materiali sintetik i bardhë rezistent ndaj UV-së, mbulesat mbrojnë borën e trashë të dimrit nga rrezet e diellit gjatë muajve të ngrohtë të verës. Sipas një studimi të vitit 2021, teknika mund të zvogëlojë shkrirjen e borës dhe akullit me 50-70%, krahasuar me sipërfaqet e pambrojtura.

Disa vendpushime skish po mbulojnë akullnajat me mbulesa mbrojtëse për të ndaluar shkrirjen e tyre gjatë verës.

Por është një proces i kushtueshëm, paralajmërojnë autorët e studimit. Mbulimi i të gjitha 1000 akullnajave më të mëdha të Zvicrës do të kushtonte rreth 1.5 miliardë dollarë në vit.

“Këto masa afatshkurtra nuk do ta mbrojnë industrinë nga kërcënimi i afërt i klimës. Industria e skive nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë veten”, pranon Schendler.

Edhe nëse nuk janë në gjendje të ndryshojnë fatin e tyre, vendpushimet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike, thotë Schendler.

"Roli i industrisë është të ndihmojë publikun të kuptojë se çfarë do të humbasë nga ndryshimet klimatike”.

Vendpushimet e skive janë "lajmëtari i përsosur" për të theksuar realitetin e krizës klimatike.

“Njerëzit e duan atë që skijimi u ofron sot. Kërcënimi i zhdukjes është goditja që ju duhet për të kuptuar se çfarë po ndodh rreth tyre”, thotë Schendler.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë