Analize

Si po e lufton Maqedonia korrupsionin?

“Nuk duam të jemi të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Perspektiva për anëtarësimin në BE është motori që çon përpara zbatimin e reformave. Ballafaqohemi me sfida të mëdha, por nuk do të ndalojmë kurrë së luftuari për një të ardhme më të mirë. Anëtarësimi me BE-në do të sjellë stabilitet më të madh për të gjithë dhe ne po marrim të gjitha hapat e mundshëm për të arritur standardet e BE-së, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.”

Kryeministri Zoran Zaev hapi me anë të kësaj deklarata një nga tubimet e fundit për referendumin e së dielës në Maqedoni. Në prezencë të disa përfaqësuesve të lartë perëndimorë, ai zotua se do të çojë deri në fund luftën ndaj korrupsionit dhe se në një të ardhme të afërt Shkupi do të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie dhe ardhjes në pushtet të Social Demokratëve, mes premtimeve për një program të hekurt antikorrupsioni, Maqedonia duke se ka nisur reformat për të përmirësuar jetën politike të vendit dhe për të përmirësuar imazhin e saj në Europë. Një sërë mediash të lidhura me Bashkimin Europian shkruajnë së fundmi se Shkupi është në rrugën e duhur për vendosjen totale të sundimit të ligjit dhe zgjidhjen hap pas hapi të problemeve të brendshme, si krimi i organizuar apo përçarjet etnike.

Vitet e fundit, Shkupi ka qenë në qendër të vëmendjes në lidhje me skandale nga më të ndryshme. Pas raporteve se Zaev, në atë kohë në opozitë, ishte përfshirë në një rrjet të gjerë përgjimesh telefonike, të organizuara nga sigurimi i  brendshëm i  vendit, i udhëhequr nga kushëriri i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, një sërë skandalesh tronditë sistemin politik maqedonas. Këto regjistrime, të cilat u zbardhën kohët e fundit në seancat gjyqësore, zbuluan një sërë skandalesh për mënyrën se si funksiononte shteti, duke dëshmuar përdorimin afatgjatë të organeve shtetërore për qëllime pasurimi nga një grup politikanësh të quajtur "familja". Regjistrimet nxorën në dritë manipulimin e proceseve zgjedhore nëpërmjet nënshtrimit të gjykatave dhe mediave shtetërore duke çuar në një kontroll të plotë të institucioneve shtetërore, në mënyrë që t'i shërbenin interesave të partisë dhe udhëheqësve të saj.

Ndërkohë që qeveria e Nikola Gruevskit, i cili u bë kryeministër në vitin 2006, mori hap pas hapi nuanca autoritare, diskreditoi opozitën dhe kundërshtarëve si edhe çoi gradualisht në rritjen e pakënaqësisë publike. Ishte dëshira e qeverisë për të zgjeruar kontrollin mbi universitetet, ajo që çoi në fund të vitit 2014 në protestat e para masive në Maqedoni. Të nxitura fillimisht nga studentët, këto demonstrime dhe greva në universitete u shndërruan gradualisht në protesta masive që u shuan vetëm pasi qeveria pranoi të tërhiqej nga reforma universitare.

Kryeministri Zoran Zaev

Pavarësisht protestave, opozita nuk arriti të përfitonte nga ngërçi për t'u pozicionuar si një alternativë ndaj qeverisë nacionaliste të VMRO-DPMNE-së. Por në vitin 2013, kreu i Partisë Social Demokratike, Branko Crvenkovski dha dorëheqjen, duke i hapur rrugën një brezi të ri udhëheqësish. Zëvendësimi i tij nga Zoran Zaev në vitin 2013 ishte pjesë e një përpjekjeje për të rivendosur besueshmërinë e partisë. Rruga e Zaev drejt pushtetit nuk ishte e lehtë.

Këto ngjarje, që përfunduan me formimin e qeverisë së kryeministrit Zaev në fund të majit 2017, zbuluan përçarjet në shoqërinë maqedonase. Politizimi i jetës së përditshme, si rezultat i i punësimeve publike nga ana e VMRO DPNE-së, si një mjet për të siguruar besnikërinë e pjesëtarëve të saj, ka ndarë në mënyrë të thellë popullsinë. Por rezultatet e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit të kaluar, sugjerojnë megjithatë se gjendja në Maqedoni është më e qëndrueshme, pas skandaleve të qeverisë së VMRO-DPMNE, e cila humbi shumicën e komunave në vend (dhe shumë prej bastioneve të saj), duke përfshirë edhe atë të Shkupit.

Megjithatë, tani është më e domosdoshme se kurrë që qeveria të provojë veten duke bërë që institucionet dhe administrata të punojnë drejt zbatimit të programit kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha duke shmangur çdo kthim në praktikat e kaluara të politizimit të punësimit. Tani që shumica e Perëndimit është fokusuar tek referendumi në Maqedonia, Kryeministri Zaev është zotuar të cojë deri në fund luftën kundër korrupsionit për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të bërë të mundur anëtarësimin e saj në BE dhe NATO.

Raportet e fundit të BE vunë në dukje se qeveria e kryeministrit Zaev duket se po merr seriozisht korrupsionin politik dhe po tenton të vërë baza  për një shtet demokratik. Rezultatet e Maqedonisë në indekset e ndryshme të korrupsionit po përmirësohen, ndërkohë që imazhi i vendit në arenën ndërkombëtare është tjetërsuar.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Jean-Claude Juncker

Sipas një sondazhi të realizuar së fundmi, qytetarët maqedonas besojnë se anëtarësimi në NATO dhe BE do të çojë përpara luftën kundër korrupsionit dhe se do të imponojë standardet perëndimore në vendin e tyre. Por cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet qeveria e Zaev për të përmirësuar  jetën politike dhe etnike të vendit?

Sundimi i ligjit

Sundimi i ligjit është një ndër kushtet kryesore që i është vënë Shkupit zyrtar edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Vendi i vogël i Ballkanit është i njohur për abuzimin me pushtetin, skandalet e brendshme politike dhe kapjen e një pjesë të mirë të institucioneve nga politika.

Skandali më i fundit erdhi vetëm disa javë më parë, kur opozita tentoi t’i bënte presion qeverisë së Kryeministrit Zoran Zaev nëpërmjet referendumit për ndryshimin e emrit. VMRO DPMNE-ja ka kërkuar amnisti për zyrtarët e saj të vënë nën akuza, në këmbim të përkrahjes së referendumit, përfshirë këtu edhe amnistinë për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Ky është vetëm një nga shembujt që tregon se Maqedonia duhet të fokusohet në çlirimin e institucioneve shtetërore nga kontrolli politik dhe zbatimin me përpikmëri të ligjeve dhe kushtetutës. Një tjetër problem i sundimit të ligjit në Maqedoni janë dhe liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Sipas indeksit demokracisë  për vitin 2017, qeveria maqedonase ka shkelur disa nga liritë dhe të drejtat e njeriut, përfshirë këtu edhe të drejtën për mos t’u diskriminuar për shkak të përkatësive etnike. Ligji kundër diskriminimit ka hasur vështirësi në normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Liria e mediave është një tjetër e drejtë që është shkelur vazhdimisht në vendin fqinj.

Raportet ndërkombëtare konfimojnë se mediat në Maqedoni keqpërdorin shpesh lirinë e informimit, duke filtruar lajmet në përputhje me nevojat e qeverisë ekzistuese, duke fshehur të vërtetën dhe duke manipuluar publikun.

Shkup

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Lufta kundër krimit të organizuar është kthyer vitet e fundit në një nga prioritetet strategjike të qeverisë maqedonase. Krimi i organizuar është fuqizuar përmes organizimit të grupeve kriminale që veprojnë në nivele rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas një raporti të publikuar një vit më parë, bandat përdorin të gjitha burimet financiare në dispozicion për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe në situata të caktuara përdorin edhe bizneset ligjore për fshehjen e pasurive. Fushat kryesore të krimit të organizuar në Maqedoni janë droga, trafikimi, kontrabandimi i emigrantëve, krimi kibernetik, kontrabanda e mallrave dhe evazionit fiskal. Këto banda kanë zakonisht edhe një ndikim të madh në sferën politike të vendit.

Maqedonia vuan gjithashtu edhe nga shkalla e lartë e korrupsionit në sektorin e shërbimeve publike dhe institucioneve shtetërorë. Ato vuajnë nga korrupsioni i përhapur, patronazhi politik, konfliktet e interesit dhe mungesa e aftësive teknike. Një nga fenomenet më të përhapura është dhënie e ryshfeteve për zyrtarët publikë, me qëllim përshpejtimin e shërbimeve. Zyrtarët nga ana tjetër, përdorin pozicionet e tyre për t’i bërë presion jo vetëm qytetarëve të thjeshtë, por edhe bizneseve të ndryshme. Këto të fundit raportojnë se ryshfeti mund të ndihmojë në përshpejtimin ose përfundimin e procedurave administrative. Ndryshimet e shpeshta në legjislacion dhe rregulloret e njëpasnjëshme duket se kanë krijuar një mjedis biznesi të paparashikueshëm, që favorizon korrupsionin dhe përdorimin e inspektimeve për qëllime politike.

Pavarësia e gjyqësorit

Krizat politike dhe institucionale në Maqedoni përgjatë viteve të fundit, kanë nxjerrë në pah të gjitha të metat dhe dështimet e sistemit kushtetues dhe politike të vendit. Ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë, pasi pjesa më e madhe e gjyqtarëve janë të lidhur me politikën. Përgjimi i bisedave telefonike të politikanëve maqedonas zbuloi si përdorej gjyqësori për interesa politike, cilat ishin rrjetet e ndikimit, korrupsionit dhe klientelizmit. Ky zhvillim përkeqësoi perceptimin e publikut dhe shtoi edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit. Pavarësia e gjyqësorit është jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por edhe në procesin e integrimit europian. Për shkak të rëndësisë thelbësore, një nga prioritetet kryesore të qeverisë maqedonase është reforma e gjyqësorit. Për këtë qëllim, qeveria miratoi kohët e fundit Strategjinë e Reformës Gjyqësore 2017-2022, për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe një këshill më të fortë dhe më të fuqishëm gjyqësor.

Burimet: "EU-OSC", “Transparency International”, “Balkan Insight”,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë