Nga Gazeta ‘Si’- Valët e të nxehtit nuk janë më një anomali meteorologjike në Europë, por një realitet me pasoja të thella ekonomike, sociale dhe shëndetësore.
Temperaturat rekord të ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah, veçanërisht në vendet e Europës Veriore, dobësitë e infrastrukturave të ndërtuara për një klimë më të butë.
Kjo realitet i ri ka hapur një debat që shkon përtej emergjencës klimatike: sa duhet të investojnë qeveritë, bizneset dhe familjet për t’u përshtatur me një botë më të nxehtë.
Ftohja- nga kondicionerët në shtëpi deri te sistemet komplekse që nevojiten për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale- po shfaqet si një nga mundësitë më të mëdha ekonomike të dekadës së ardhshme.
Analistët e Goldman Sachs vlerësojnë se temperaturat ekstreme dhe thatësirat do të shihen gjithnjë e më shumë si rreziqe strukturore dhe jo si fenomene të përkohshme. Kjo pritet të përshpejtojë investimet në përshtatjen klimatike, ndërsa rritja e temperaturave sjell edhe rritje të kërkesës për sisteme ftohjeje.
Çështja ka hyrë tashmë edhe në politikë. Partia franceze e ekstremit të djathtë National Rally ka propozuar një plan investimi prej 20 miliardë eurosh për zgjerimin e instalimit të kondicionerëve në ndërtesa publike dhe private.
Temperaturat e pazakonta të këtij vere po ndikojnë në politikë, shëndet publik dhe produktivitet ekonomik. Për investitorët, kjo përkthehet në mundësi në kompanitë e kontrollit të klimës, aksionet e të cilave janë rritur rreth 30% këtë vit.
Por industria e ftohjes po përfiton jo vetëm nga ndryshimet klimatike. Një tjetër forcë e madhe është inteligjenca artificiale.
Zhvillimi i shpejtë i AI po rrit kërkesën për kapacitete kompjuterike dhe po shton konsumin e energjisë nga qendrat e të dhënave, të cilat kërkojnë sisteme gjithnjë e më të avancuara ftohjeje për të funksionuar.
Edhe Elon Musk ka hedhur idenë e zhvendosjes së qendrave të të dhënave në hapësirë, megjithëse pa shpjeguar mënyrën e realizimit.
Kështu, dy fenomene që në dukje nuk kanë lidhje – valët e të nxehtit dhe bumi i inteligjencës artificiale – po i japin shtysë të njëjtës industri: ftohjes.
Goldman Sachs ka identifikuar 42 kompani ndërkombëtare që pritet të përfitojnë nga rritja e kërkesës për sisteme ftohjeje, si për banesat ashtu edhe për qendrat e të dhënave që mbështesin revolucionin e AI.
Një nga kompanitë më të pozicionuara është amerikania Carrier Global, e cila mban emrin e inxhinierit Willis Haviland Carrier, i konsideruar shpesh si shpikësi i sistemit modern të ajrit të kondicionuar në fillim të shekullit XX.
Më shumë se një shekull më vonë, kompania është sërish në qendër të një transformimi të madh ekonomik të nxitur nga ngrohja globale dhe zgjerimi i inteligjencës artificiale.
Aksionet e Carrier janë rritur me 32.6% këtë vit. Pavarësisht kësaj rritjeje, analistët besojnë se ka ende potencial për rritje të mëtejshme. Një arsye kryesore është kërkesa në rritje nga qendrat e të dhënave: kompania ka raportuar se porositë për projekte të lidhura me këto qendra janë rritur me 500%.
Një tjetër kompani që shihet si përfituese e bumit të AI është Johnson Controls. Pas shitjes së biznesit të kondicionimit për banesa dhe biznese të vogla te Bosch në vitin 2025, kompania është fokusuar më shumë në segmentet me rritje më të shpejtë, veçanërisht te qendrat e të dhënave.
Aksionet e saj janë rritur rreth 19% këtë vit, ndërsa kompania synon një rritje vjetore organike të të ardhurave mbi 10%, e nxitur kryesisht nga biznesi i qendrave të të dhënave.
Sipas Bloomberg Intelligence, tregu global i pajisjeve për menaxhimin termik në qendrat e të dhënave mund të dyfishohet nga viti 2025 deri në 2030, duke arritur në 35-40 miliardë dollarë.
Në tregun e kondicionerëve për banesa, një nga kompanitë më të ekspozuara është japonezja Daikin, prodhuesi më i madh në botë i sistemeve të ajrit të kondicionuar. Aksionet e saj janë rritur pothuajse 30% këtë vit.
Europa paraqet një mundësi të veçantë, pasi ndryshe nga tregje si Japonia, ku kondicionerët janë tashmë shumë të përhapur, kontinenti europian nis nga një nivel shumë më i ulët përdorimi.
Sipas analistëve të Goldman Sachs, ndërsa kondicionerët ishin tashmë të zakonshëm në vende si Greqia, Italia dhe Spanja në vitin 2024, përdorimi i tyre mbetet relativisht i ulët në shumë prej zonave më të populluara të Europës.
Kjo mund të ndryshojë. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt. Temperaturat mesatare janë tashmë rreth 2.5°C mbi nivelet para-industriale, krahasuar me rritjen globale prej 1.4°C.
Megjithatë, rritja e kërkesës për ftohje nuk do të jetë pa sfida. Debati mbi konsumin e energjisë dhe ndikimin mjedisor të kondicionerëve po përforcohet nga problemet infrastrukturore.
Zgjerimi i njëkohshëm i sistemeve të ftohjes dhe qendrave të të dhënave mund të ushtrojë presion shtesë mbi rrjetet elektrike, të cilat në shumë vende tashmë po përballen me vështirësi.
Disa qytete europiane, përfshirë Londrën, po promovojnë rregulla ndërtimi që favorizojnë zgjidhje natyrale ftohjeje dhe ndërtesa më efikase energjetikisht, për të ulur varësinë nga kondicionerët.
Paradoksi është se Europa ka kaluar dekada duke u përgatitur për uljen e emetimeve, por tani duhet të mësojë edhe të përballet me temperatura gjithnjë e më ekstreme.
Në këtë proces, ftohja po kalon nga një komoditet në një mjet të domosdoshëm përshtatjeje. Qoftë në shtëpi apo në qendrat e të dhënave që fuqizojnë revolucionin e inteligjencës artificiale, kërkesa për ftohje pritet të rritet vazhdimisht në vitet e ardhshme.
Për kompanitë e sektorit, kjo përfaqëson një mundësi biznesi prej miliarda dollarësh. Për qeveritë dhe konsumatorët, është një kujtesë se kostoja e përshtatjes me një botë më të nxehtë ka nisur të ndihet tashmë./ El Pais
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje