Treg

Si ndikon moti tek çmimet e gazit në Europë

Çmimet e gazit natyror në Europë u rritën me 15% në tetor dhe prekën nivelin më të lartë në 8-muaj, pas rikthimit të motit më të freskët, që mbështeti shtrenjtimin e këtij produkti.

Konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme ka ndikuar edhe në çmimin e gazit natyror pas mbylljes së fushës Tamar në Detin Mesdhe. Për më tepër, ka shqetësime për sigurinë e anijeve të Katarit me gaz natyror të lëngshëm (LNG) që kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit.

Shtimi i kërkesës kineze për LNG, i cili është rritur me 6% këtë vit, që ka të ngjarë të rrisë gjithashtu çmimet e gazit natyror në Europë, ndërsa konkurrenca për të po rritet.

Në kohën e shkrimit, kontrata standarde e gazit holandez për dhjetorin, në Europë, brenda ditës u rrit me 2.85% në 49.95 € për megavat orë (MWh). Edhe pse çmimi është më i lartë, ai është shumë më i ulët se vlera prej 120€ që tregtohej një vit më parë, ndikuar nga lufta ruse në Ukrainë.

Megjithatë, sipas të dhënave nga Trading Economics, inventarët e gazit në Europë mbeten rreth 99% të mbushura dhe moti më i ngrohtë parashikohet të jetë prezent në të gjithë kontinentin për javën e parë të nëntorit, gjë që më pas mund të ushtrojë presion në rënie mbi çmimet e gazit ndërsa kërkesa për ngrohje ulet.

Nëntori pritet të jetë një muaj më i ngrohtë dhe më i lagësht në të gjithë Europën, ku Gjermania, Polonia dhe pjesa më e madhe e Ballkanit do të kenë mot më të butë se zakonisht.

Temperaturat do të jenë mesatarisht 6°C mbi mesataren sezonale për pjesën e parë të muajit me shumë pika të motit që parashikojnë edhe rikthimin e El Niño, që i referohet fenomenit kur ujërat në Oqeanin Paqësor bëhen shumë më të ngrohta se zakonisht.

Gjatë fenomenit, temperatura globale rritet me rreth 0.2 gradë Celsius, sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA (NOAA).

Parashikimi i motit më të ngrohtë rezulton më pas në më pak kërkesë për gaz natyror, gjë që ndihmon në stabilizimin e çmimit në tregje, ndërsa investitorët konsiderojnë faktorët shtesë që peshojnë mbi çmimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë