Analize

Si mund ta shndërrojë Amerika Ballkanin në një rajon të fuqishëm?

Pse Amerika nuk i ka kushtuar vëmendje mundësive të shumta gjeopolitike për të krijuar një marrëdhënie më të fortë me Ballkanin Perëndimor?

Në vitet 1990, Shtetet e Bashkuara u përfshinë në dy konflikte të tmerrshme në Ballkanin Perëndimor. Edhe pse kanë kaluar gati  20 vite, Kryeministrja serbe vizitoi disa javë më parë Amerikën për t’i përçuar mesazhin historik se Ballkani nuk do t’i rikthehet më kurrë luftës. Thirrja e saj në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara ishte një sinjal se Ballkani Perëndimor (Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria) ishte futur sërish në listën e interesave të Uashingtonit. Amerika ka këmbëngulur vazhdimisht që luftërat në Ballkan të mbeten pjesë e së kaluarës. Shtetet e Bashkuara shpresojnë gjithashtu se e ardhmja e Ballkanit do të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm për paqen dhe prosperitetin e komunitetit transatlantik. Megjithatë raportet dhe kritikat se Shtetet e Bashkuara po distancohen nga Europa dhe se janë indiferente ndaj fatit të rajonit, kanë ngritur jo pak shqetësime në Ballkan. Kjo është koha e duhur që Uashingtoni të ndalojë së menduari apo dëshiruari për të transformuar Ballkanin Perëndimor, por të hidhet në veprim për ta shndërruar rajonin në aktor të rëndësishëm ekonomik dhe politik. Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojmë perceptimin që Perëndimi ka për "ballkanizmin", duke bërë që ky term të paraqesë një impakt pozitiv në mbarë botën. Në vend që të përfaqësojë fragmentimin dhe përçarjet, rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të kthehet në shembullin më të mirë të integrimit dhe mirëkuptimit.

Trazirat në Ballkan

Së shpejti në Ballkan do të festohet një tjetër përvjetor: njëzet vjetori i përfundimit të luftës së fundit ballkanike. Edhe se nuk ka pësuar asnjë konflikt të hapur gjatë kësaj periudhe, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një rajon trazuar, i konsideruar shpesh si pjesa më e brishtë e Europës. “Edhe pse kanë kaluar dy dekada nga përfundimi i luftës, rajoni nuk ka gjetur ende paqe- shprehet një aktivist i të drejtave të njeriut- Çështja shqiptaro-serbe vazhdon të jetë e hapur. Ballkani është Izraeli dhe Palestina e Europës ". Nga ana tjetër, politika e brendshme e Ballkanit Perëndimor i bën banorët edhe më nervozë. Në një epokë ankthi në të gjithë Europën, nuk është e dobishme që demokracitë e brishta të rajonit të fillojnë të lëkunden. Problemet në Ballkan “refuzojnë” të zhduken për dy arsye: paratë dhe gjeografia.

Shqipëria e parë nga Korfuzi

Ekonomitë e dobëta të rajonit vonojnë edhe pjesën tjetër të Europës. Lajm i mirë është se destinacionet mahnitëse të rajonit janë shumë të lira për turistët. Lajmi i keq është se Ballkani është një vend ku me pak para, mund të blesh shumë influencë. Dhe blerja e influencës nuk e justifikon turizmin e lirë.

E vendosur mes Adriatikut dhe Detit të Zi, Ballkani është udhëkryqi midis Veriut dhe Jugut, Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ka bërë që përveç Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në rajon të përfshihen një sërë lojtarësh të tjerë, ai Rusia, Kina, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Turqia dhe Kina. Përveç kësaj, fqinjët e rajonit, duke përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Kroacinë, kanë gjithashtu interesat e tyre në rajon. Por aspekti më alarmant është mënyra sesi lidhen paratë dhe influenca. Shqetësimi më madh në rajon janë masat e ndërmarra nga rusët për të bllokuar integrimin e rajonit në BE, zgjerimin e NATO-s dhe për të siguruar dominimin e energjisë ruse. I gjunjëzuar nga problemet ekonomike dhe ndërhyrjes së fuqive të jashtme, Ballkani Perëndimor përballet tanimë me dy sfida të vazhdueshme: njëra është siguria, ndërsa e dyta është rritja ekonomike.

Në frontin e sigurisë, rajoni jeton nën hijen e vazhdueshme të konflikteve të pazgjidhura, të cilat edhe pse nuk kërcënojnë të dalin në luftë të hapur, krijojnë përçarje etnike që minojnë stabilitetin dhe integrimin rajonal. Për momentin, e ardhmja e Bosnje-Hercegovinës është problemi më shqetësues. "Moska e di se mënyra më e lehtë për të parandaluar hyrjen e Bosnjës dhe Hercegovinës në komunitetin transatlantik është duke shfrytëzuar përçarjet e brendshme etnike dhe fetare midis popullatave boshnjake, kroate dhe serbe brenda vendit", shkruante analisti Daniel Kochis, në një artikull për mediat boshnjake. Një tjetër problem po aq shqetësues është marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb dhe Vladimir Putin

"Serbia. . . nuk e ka njohur pavarësinë e kombit të Kosovës- theksonte më tej Kochis- Ndërkohë që anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara vazhdon të bllokohet nga vetoja e Kinën dhe Rusisë, Ambasadori rus në Serbi shkroi një opinioin të pashembullt, në gazetën serbe ‘Politika;, ku deklaronte  ndër të tjera se Krimeja është Rusi dhe se Kosova është Serbi!”

Dobësia e dytë e madhe e rajonit është mungesa e zhvillimit ekonomik dhe integrimit. Rezultatet e rajonit në Indeksin e Ekonomisë për 2018 të janë mediokre. Për më tepër, pabarazitë në rajon janë edhe më shqetësuese. Masat e Perëndimit për të adresuar këto sfida kanë zvogëluar kërcënimet, si një aparat që mban kancerin nën kontroll, por nuk e shfaros kurrë tumorin. Dikur, shumë vende besonin se anëtarësimi në BE do të zgjidhë të gjitha këto sfida, por kjo e nuk është e vërtetë. Rruga drejt anëtarësimit në BE po bëhet gjithnjë e më e ngadalshme. Për më tepër, angazhimi i Bashkimit Europian ndaj rajonit pësoi një pengesë të turpshme në Samitin Londrës, i cili sipas shumicës së komenteve, u mbajt mes trazirave të mëdha politike dhe përfundoi pas asnjë arritje konkrete. Nëse rajoni nuk zbaton reforma që në të vërtetë do të liberalizojnë ekonominë (duke nxitur rritjen dhe krijimin e vendeve të punës), hyrja në BE do të inkurajonte qytetarët e Ballkanit që të emigrojnë drejt pjesëve të tjera të Europës.

Amerika e Para dhe Ballkani

Shtetet e Bashkuara duhet të dinë marrëdhëniet ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi nuk janë edhe aq të mira. Ballkani, si një partner i fortë transatlantik do të ishte jetik për strategjinë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gjëja e fundit që Uashingtoni do të donte të shikonte, është një Europë e trazuar nga problemet e Ballkanit, siç ndodhi në vitet 1990. Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë edhe Zëvendëspresidentin dhe sekretarin e shtetit dhe atë të mbrojtjes, kanë shprehur tashmë interes të madh që Amerika të luajë një rol më të rëndësishëm në rajon. Për më tepër,pas rrëmujës mes Trump dhe BE-së mbi tarifat tregtare, Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin një Europë më të fortë. Por më e rëndësishmja nga të gjitha, Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se duan të shohin rikthimin e Ballkanit në sferën ndërkombëtare.

Forcat amerikane në Ballkan

 Në fakt, Ballkani Perëndimor mund të luajë një rol kryesor në vizionin e Amerikës për një komunitet më të fortë transatlantik. Një rajon i integruar dhe i begatë mund të hedhë themele të qëndrueshme për një Europe edhe më të fortë. Përveç sigurisë së ofruar nga NATO-ja dhe kohezionit të komunitetit europian, Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe mes BE-së dhe Ballkanit, të cilat do të bëheshin një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike dhe një korridor për të siguruar pavarësinë energjetike të rajonit nga gazi rus. Këto marrëdhënie dypalëshe nuk do ta zëvendësonin BE-në apo NATO-n. Përkundrazi, ato do t'i bënin këto aleanca edhe më të forta. Perëndimi ka ndërtuar një rrugë të artë për bashkëpunimin ekonomik, e cila fillon nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Islandë, vazhdon në Britaninë e Madhe dhe shtetet nordike e baltike dhe mbyllet në kombet qendrore europiane. Por kjo rrugë duhet të vazhdojë të zgjerohet  edhe në Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor.

Kush ka nevojë për burokracinë e Komisionit Europian, ndikimin e dëmshëm të Putinit, investimet e Kinës apo pastrimin e parave nga sheikët e Lindjes së Mesme? Një përpjekje joformale për bashkëpunimin nga Veriu në Jug të Europës, do të ishte shumë më efektive për rajonin.  Dëshira për ta parë Ballkan si një rajon edhe më të fuqishëm dhe ndërtimi i një Ballkani më të fuqishëm janë dy gjëra të ndryshme. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për përmirësimin e sigurisë rajonale, rritjen ekonomike dhe vendosjen e politikanëve të përgjegjshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në vendet përreth rajonit. Ky është antidoti më i mirë si për konfliktet e brendshme në rajon, ashtu edhe ndikimin e dëmshëm të aktorëve të jashtëm.

Energjia

Fakti që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë thirrje për ndërtimin e një korridori për bashkëpunim energjik nga Veriu në Jug, nuk mjafton. Uashingtoni duhet ta bëje këtë strategji realitet sa më parë të jetë e mundur. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin e tubacionit “Nord Stream II” dhe të ofrojnë një mbështetje të fuqishme energjetike për rajonin. Administrata  e Presidentit Donald Trump duhet të nxisë investimet private në Kroaci dhe të ndihmojë Kosovën të modernizojë industrinë e saj të qymyrit, duke ndërtuar një fabrikë moderne të energjisë me qymyr. Për më tepër, Uashingtoni duhet të mbështesë zhvillimin e energjisë bërthamore në rajon dhe zhvillimin e një tubacioni gazi që nuk varet nga Rusia.

Investimet Ekonomike

Korporata e Investimeve Private, USAID-i dhe Korporata e Mijëvjeçarit janë prej kohësh aktive në rajon. Sidoqoftë, ajo që rajoni ka nevojë në të vërtetë është investimi privat i kompanive amerikane.

Qeverisja

Nxitja e investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk do të përmirësojë cilësinë e jetës në rajon, qeveritarë të përgjegjshëm. Administrata Trump u ka dhënë fund politikave të mëparshme të Shtëpisë së Bardhë për nxitjen dhe imponimin e politikave sociale në rajon dhe ndërhyrjeve të panevojshme në politikën e brendshme të kombeve ballkanike. Këto aktivitete ishin më shumë destabilizuese sesa të dobishme. Ky është një fillim i mirë, por nuk mjafton. Tanimë Shtetet e Bashkuara duhet të perqëndrohen në mënyrë konstruktive në përmirësimin e demokracive të brendshme të rajonit, duke forcuar lirinë ekonomike, luftuar korrupsionit, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke reduktuar taksave dhe borxhet.

Siguria

Uashingtoni duhet të ndjekë njëkohësiht dy rrugë të ndryshme në Ballkan: zgjerimin e NATO-s (Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin pranimin e Maqedonisë në NATO) dhe bashkëpunimin ushtarak me vendet e Ballkanit dhe fqinjët e tyre. Për shembull, Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë të gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen e mundshme për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin e forcave të saj të armatosura.

Strategjia politike

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të pengojnë Rusinë, Iranin dhe Kinën, për t'i dhënë fund ndikimit të politikave të jashtme që dëmtojnë interesat e SHBA-së në Ballkan. Uashingtoni duhet t’i vërë këta “konkurrentë” nën presion dhe do t’i mbajë ata sa më larg Ballkanit Perëndimor. Kroacia, Hungaria, Rumania, Italia, Austria, Gjermania dhe Greqia duhet të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, për të fuqizuar Ballkanin Perëndimor. Shtetet Gjirit duhet të gjejnë një mundësi më të mirë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për fuqizimin e rajonit. Turqia duhet të pranojë se fuqizimi i Ballkanit është një gjë e mirë për sigurinë dhe interesat ekonomike të Ankarasë. Në fund të fundit, edhe Rusia dhe Kina do të kuptonin se një Ballkan Perëndimor më i lirë, i qëndrueshëm dhe më i begatë, është një rajon ku ia vlen të investohet në mënyrë të ndershme. /National Interest/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë