Para

Si menopauza u kthye në biznes

Djersitja gjatë natës nisi në moshën 43-vjeçare për aktoren Naomi Watts. Ylli i filmave "Mulholland Drive" dhe "King Kong", foli për simptomat e saj të menopauzës sepse ishte e lodhur nga ideja se duhet mbajtur sekret.

“Është tema tabu për të cilën askush nuk flet”, - tha ajo në një intervistë për revistën InStyle, tetorin e shkuar. “Kjo është qesharake sepse është pikërisht fundi i librit të pubertetit. Tani le të flasim dhe të përgatisim brezin e ri”.

Tabu? Jo nëse matet nga bisedat e të famshmëve. Watts është një ndër figurat publike që kanë folur për rënien e niveleve të tyre të progesteronit dhe estrogjenit gjatë peri-menopauzës dhe menopauzës (e cila fillon 12 muaj pas ndërprerjes së periodave), me një sërë simptomash si afshet e nxehta (Michelle Obama), dridhjet (Oprah Winfrey), problemet me gjumin, lëkurën e thatë dhe parehati seksuale ( Davina McCall).

Një sinqeritet i tillë nuk është gjithmonë tërësisht altruist. Watts, e cila filloi peri-menopauzën në të tridhjetat e saj, është themeluesja dhe zyrtarja kryesore e Stripes, një forum i markës dhe komunitetit që përmban këshilla për gjumin, humbjen e peshës dhe seksin. Ajo gjithashtu shet produkte për kujdesin e lëkurës, flokëve dhe vaginës për gratë në menopauzë. Këto nuk janë të lira. Serumi i fytyrës Power Move shitet për 85 dollarë, hidratuesi Dew As I Do kushton 80 dollarë, ndërsa një paketë suplementesh vitaminash e quajtur The Inside Addition kushton 40 dollarë për 60 pilula.

Watts nuk është e vetmja që bën "meno-biznes" që fiton para për një kategori në rritje të produkteve të synuara për gratë në menopauzë. Firma me pakicë e modës së shpejtë Primark ka një gamë veshjesh nate dhe të brendshmesh për menopauzën, të krijuara për të ftohur “furrën”. Markat e bukurisë No7 dhe Vichy, për të përmendur vetëm dy, kanë trajtime të reja për kujdesin e lëkurës të dizajnuara për të hidratuar, mbushur dhe ftohur lëkurën e menopauzës. Ndërsa kompanitë e udhëtimit ofrojnë atraksione holistike për trupin dhe mendjen. Stacy London, një redaktore e revistës amerikane e kthyer në personalitet televiziv, mblodhi një konferencë vitin e kaluar, “Samiti i CEO-ve të Menopauzës”, me folës nga markat e bukurisë dhe mirëqenies.

Deborah Jermyn, një studente në Universitetin e Roehampton, po hulumton temën dhe po identifikon një "kthesë menopauze" të fundit në kulturë, të mbështetur nga të famshëm që ndajnë historitë e tyre personale. Kjo është pjesërisht e nxitur nga një dëshirë e grave që nuk duan "të zbehen nga syri i publikut siç do të kishin bërë shumë nga paraardhësit e tyre të moshuar dhe të kenë një platformë ku kërkojnë ndryshim". Por gjithashtu pasqyron dhe rritjen e sinqeritetit për çështje të mëparshme që mbaheshin private, si shëndeti mendor.

Ka edhe arsye të tjera pse këto gra po marrin vëmendje. Gratë në moshë janë një demografi në rritje dhe të pasura. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2021 numri i grave mbi 50 vjeç ishte 26%e të gjitha grave dhe vajzave në nivel global, nga 22%një dekadë më parë. Duke parë përpara, tregu global për produktet e menopauzës parashikohet të rritet nga 15.4 miliardë dollarë në 2021 në 24.4 miliardë dollarë deri në vitin 2030, sipas Grand View Research.

Nga gratë e moshës së mesme pritet që jo vetëm të përballojnë ndryshimet trupore, por edhe t'i riemërojnë ato.

Gratë pritet të punojnë më gjatë me rritjen e moshës së pensionit në mbarë botën. Vitin e kaluar, Shoqëria Fawcett, në një fushatë bamirësie për barazinë e grave, tha se 1 në 10 gra në menopauzë kanë lënë punën për shkak të simptomave të tyre. Jermyn thotë se ka një nxitje për bizneset që të sigurojnë mirëqenien dhe të ofrojnë mbështetje për stafet femër.

Mridula Pore, bashkëthemeluese dhe bashkë-drejtuese ekzekutive e Peppy, një ofrues i kujdesit shëndetësor digjital për menopauzën dhe fertilitetin, thotë se kur kompania u lançua në 2018-n, menopauza u trajtua si "segment i kujdesit shëndetësor" kur "ka qenë e fshehur për shumë vite.“ Kompania, klientët e së cilës përfshijnë Accenture dhe Financial Times, së fundmi mblodhi 45 milionë dollarë financime të Serisë B nga investitorët, përfshirë Fondin e Inovacionit Sony.

Eileen Burbidge, investitore dhe drejtoreshë në Fertifa, një shërbim digjital i shëndetit riprodhues, është optimiste për rritjen e sektorit. "Kur keni më shumë vëmendje dhe konkurrencë, ju merrni produkte më kuptimplotë," - thotë ajo. “Zbrazëtia ishte aq e madhe sa ka vend për shumë biznese të reja.”

Ndërsa është e mrekullueshme që gratë e moshuara janë më të dukshme në ekranet tona dhe në vendet tona të punës, ka diçka mjaft rraskapitëse në ndryshimin e menopauzës. Teksa jam rritur, kalimi i kohës është shënuar jo vetëm nga ritet e kalimit - adoleshenca, karriera, marrëdhëniet, fëmijët - por krijimi i kategorive të reja të konsumatorëve: recipeta për adoleshente, veshjet të llojit “girl boss” për vajza, veshjet e lehonisë, dietat pas shtatzënisë. Edhe feminizmi u bë diçka tjetër për t'u blerë me bluzat 690 £ të Dior-it, të zbukuruara me sloganin "Ne duhet të jemi të gjithë feministë". Tani, nga gratë e moshës së mesme pritet që jo vetëm të përballojnë ndryshimet trupore, por t'i riemërojnë ato.

Rreziku është që kjo lëvizje e menopauzës të bëhet vetëm një mënyrë tjetër për të inkurajuar gratë të blejnë shërbime dhe produkte. Gratë duhet të hedhin një sy kritik ndaj bizneseve të tilla, thotë Rina Raphael, autore e Ungjillit të mirëqenies, e cila shton se problemi me mesazhin e fuqizimit është se çdo kritikë mund të perceptohet si kundër grave: "Nuk është feminizëm nëse ju do t'i shisni ato pa asnjë qëllim.”

Millie Kendall, shefja ekzekutive e Këshillit Britanik të Bukurisë, thotë se produktet e bukurisë mund të adresojnë disa nga ndryshimet në lëkurë, flokë dhe trup gjatë menopauzës, por “ne nuk duhet të abuzojmë me këtë dhe ta kthejmë në reklamë marketingu ose për të turpëruar gratë në blerjen e një produkti”. Kjo vijë e paqartë midis konsumizmit dhe aktivizmit u pranua kohët e fundit nga Stacy London, e cila shkroi në revistën Fast Company: “Ndihesha gjithnjë e më e keqe vetëm duke promovuar një produkt – më dukej sikur po thosha, “Kam nevojë që ti të blesh diçka” në vend të "Unë dua që ju të mësoni diçka."

Disa argumentojnë se inkurajimi i grave për të punuar me veten nuk trajton çështje më të gjera. Një raport i vitit 2020 nga banka Standard Chartered zbuloi se nuk ishin vetëm simptomat fizike dhe mendore të menopauzës që po pengonin karrierën e grave mbi 50 vjeç, por edhe mosha.

Shani Orgad, profesoreshë e medias dhe komunikimit në London School of Economics, sheh një paralelizim midis marketingut të këtyre produkteve të reja dhe reklamave të viteve 1950 dhe 1960 për produktet e estrogjenit si Premarin “që u premtoi grave dhe burrave të tyre se duke marrë këto pilula hormonale gruaja do të bëhej “e këndshme për të jetuar me të edhe një herë”.

“Mesazhet e fuqizimit që shohim sot duken milje larg këtyre mesazheve famëkeqe seksiste dhe moshore”, -thotë Orgad - “por nëse mendoni për këtë, mesazhet dhe fushatat që targetojnë gratë në menopauzë sot nuk janë dhe aq të ndryshme, në atë që ato i nxisin gratë që të “rregullonin” veten për t'i mbajtur ato të qeta dhe të kënaqura, si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë