Super operacioni i koduar nga policia “Vol-vo 4” i shtrirë në 12 qytete ka prangosur 44 shtetas. Ata akuzohen për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për tjetërsim pronash dhe korrupsion pasiv nga zyrtarët e lartë.
Shifrat e operacionit u bën publike në konferencën për shtyp të dhënë nga ana Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.
Katër grupe kriminale u zbuluan nga përgjimet e nisura prej muajsh nga shërbimet e specializuara të prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese.
Zbulimi i laboratorit të drogës në Has është siç duket zanafilla e zbulimit të katër grupeve kriminale, për të cilat janë rrjeta e aksionit të policisë ka kapur edhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Arben Çuko, si dhe ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka. Përgjimet e policisë kanë zgjatur për dy vite, gjersa kanë ndërmarrë operacionin për tre ditë me radhë, duke angazhuar 1500 forca policore, i shtrirë me një përfshirje të madhe gjeografike nga Hasi deri në Sarandë.
Klani Avdyli dhe Lul Berisha
Laboratori i gjetur në zonën e Hasit, në veri të vendit, në një fshat të humbur ku nuk i shkonte mendja njeriu, ka qenë baza e prodhimit të lëndëve narkotike, ku sipas policisë ishte ngritur me kërkesën e bandës së të fortëve të Shijakut, fisit Avdyli, të cilët kërkonin prodhimin e drogave të forta.
Ndërsa shpërndarjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike drejt shteteve të BE-së, sipas hetimeve të konkluduara i ka marrë përsipër Lulzim Berisha, i forti i bandës së dikurshme të Durrësit, një emër i njohur në botën e krimit. Ai, sipas hetimeve, kishte hyrë garant për të transportuar drogën drejt Gjermanisë.
Arrestimi i Ndokës dhe Çukos
Nga përgjimet dyvjeçare në grupin kriminal “Avdyli” kanë dalë edhe emrat e zyrtarëve dhe të ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. I zgjedhuri si deputet i Lezhës nën siglën e PS-së, Ndoka ka rezultuar se është mik me pjesëtarë të një prej anëtarëve të grupit të të fortëve të Shijakut. Dy ish-deputetët dyshohet se kanë pasur rol në këtë grup kriminal, përmes veprimeve të tyre. Po ashtu janë arrestuar nga ana e Policisë dhe nipërit e ish-deputetit Ndoka në qytetin e Lezhës. Ndërsa grupi hetimor ka zhvendosur hetime në disa drejtime, duke i ndarë në veç çështjen Ndoka dhe Çuko.
“Është konkluduar se një grup personash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal në bashkërendim me grupe të tjera kriminale kanë kryer vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave, formularëve të kryera në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ndaj janë nxjerrë masa sigurimi ndaj Gjelin Ndoka, Arben Ndoka, Vlash Gazuli, Zef Ndoka, Zef Lazi, Lule Zeneli, Marjeta Perskura, Edi Ndokaj, Vasil Nika, Kol Lleshi, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni. Janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë. Këta persona janë të përfshirë si në aktivitetin kriminal të përfitimit, falsifikimit ashtu edhe punonjës të zyrave shtetërore, noterë publikë. Ka të dhëna për veprime të kundërligjshme dhe korrupsion në disa institucione të vendit për të cilat po vijojnë hetimet në vijimësi’, tha në konferencën për shtyp prokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.
Me gjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të rishpallur në kërkim. Siç duket pjesë e këtij
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko ndërkohë ka dalë nga përgjimet e kësaj bande, ku është përmendur për një favorizim për transferim të një të burgosuri, Olsi Karagjozi, një i dënuar, i njohur si killer me pagesë. Ai kërkonte transferimin nga burgu i Bradasheshit të Elbasanit në atë të Fierit. Pikërisht në këto biseda kanë dalë edhe emri i Arben Çukos, që bëhet fjalë për transferim të burgosurish që kanë pjesë e klanit mafioz Avdyli.
Çuko akuzohet për korrupsion pasiv, bashkë me të është arrestuar dhe shoferi personal Qerim Musha, i cili shihet si implikuar në ryshfete që i merrte në transferimin e të burgosurve në shuma që varionin nga 1500-3000 euro. Nga përgjimet ai është kapur duke i premtuar të dënuarve transferime.
Arrestimi i Çukos, erdhi pas shkarkimit që të firmosi kryeministri Edi Rama, ku propozimi u bë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ka në varësi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, në datën 3.09.2018 i kam propozuar Kryeministrit shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko. Shkarkimi i tij imediat për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ. Në cilësinë gjithashtu edhe të Koordinatores Kombëtare të Task-Forcës Antikorrupsion i kam dërguar prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditimi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, deklaroi ministrja Gjonaj, menjëherë pas arrestimit të ish-vartësit të tij Çuko.
Ndërkohë Arben Ndoka, ka qenë një deputet problematik. Ai ka qenë i akuzuar për trafik prostitucioni në Itali, madje i dyshuar dhe si i dënuar. Ndërsa si pjesë e ligjit të Dekriminalizimit, Ndoka u detyrua të largohej nga jeta politike, si përfaqësues i Parlamentit.
Ish-deputeti i PS-së, Arben Çuko, nuk njihet për ndonjë të kaluar të dyshimtë. Prej disa mandatesh ishte deputet i PS-së në qarkun e Fierit, që operonte kryesisht në zonën e Lushnjës.
Mega operacioni i policisë u shtri në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë. E pikërisht në këto kontrolle dhe përgjime ambientale mund të kenë dalë emrat e dy ish-deputetëve socialistë.
Arrestimi i vëllait të ish-deputetit Isaraj
Në kuadër operacioneve që policia ka ndërmarrë është pranguar edhe Altin Isaraj. Ai është vëllai i drejtorit të Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Isarajt. Mësohet se 47-vjeçari, është arrestuar mbrëmë, pasi akuzohet për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prodhim dhe shitje të narkotikëve’.
Arben Isaraj u emërtua në detyrë më 2 tetor të vitit 2017. Emërimi i tij atë kohë u firmos nga kryeministri Edi Rama me propozim të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Për herë të parë, Arben Isaraj ka kandiduar si deputet i PS në zgjedhjet parlamentare mazhoritare të vitit 2005-së në qarkun e Vlorës. Ai ka qenë deputet për dy mandate (2005-2013) dhe ka mbajtur postin e sekretarit dhe nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013-të, Arben Isaraj u emërua zëvendësministër i Drejtësisë. Post të cilin e la për të marrë detyrën që ka aktualisht.
Në aksionin e Policisë janë arrestuar edhe punonjës të policisë, të cilët janë pjesë e hetimit të nisur për grupin Avdylaj. Ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e Lulzim Berishës, por edhe të Klemend Balilit, të njohur si “Eksobari i Ballkanit”. Operacioni i policisë, FNSH-së dhe të Forcave RENEA në fshatin Stjar të Sarandës për kapjen e Balilit ka dështuar, por gjatë këtij aksioni është prangosur Petro (Abedin) Kuçi. Ai njihet si kushëriri i Klemend Balilit.
Kuçi është arrestuar edhe më parë në vitin 2016, në kuadër të operacionit “QUARANTA”, së bashku me 6 persona të tjerë ku u sekuestruan rreth 86 kg kanabis. Hetimi për këta persona ka pasur një shtrirje kohore trevjeçare, edhe në Zviceer.
Sipas Policisë, të arrestuarit trafikonin drogën që sigurohej në Lazarat dhe në Malësinë e Vlorës drejt Greqisë dhe Italisë. Pasi grumbullohej, droga më pas transportohej me mushka, grumbullohej në një zone të pyllëzuar të Delvinës ose në shtëpi të pa banuara dhe trafikohej jashtë vendit, në disa raste përmes malit me mushka.
Shifrat e megaoperacionit “Volvo 4”
Janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.
Të arrestuarit për laboratorin e drogës në Has
1. Vehbi Berushi, 57 vjeç
2. Flamur Çela, 48 vjeç
3. Xhevit Shuti, 48 vjeç
4. Mustaf Shuti, 76 vjeç
5. Anila Shuti, 42 vjeç
U shpallën në kërkim 4 persona: 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar.
Të 19 arrestuarit në grupin Avdyli, dy në kërkim
1. Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin“Cine”, nga Shijaku;
2. Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin“Kiçi”, nga Shijaku;
3. Denis Llaftiu, nga Shijaku;
4. Fatos Llaftiu, nga Shijaku;
5. Hajri Seferi, nga Shijaku;
6. Petro Kuçi, alias Abedin Kuçi, nga Delvina;
7. Ilirjan Prifti, nga Fieri;
8. Elton Shehaj, nga Tirana;
9. Armand Spiro, nga Tirana;
10. Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku;
11. Altin Avdyli, me pseudonimin“Niçja”, nga Shijaku;
12. Saimir Gjepali, nga Shijaku;
13. Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin“Xhevi”, nga Lezha;
14. Esat Mehmeti, me pseudonimin“Çakja”, nga Fieri;
15. Saimir Sulejmani, nga Fieri;
16. Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin“Nita”, nga Tirana;
17. Elis Bahushi, nga Elbasani;
18. Elis Guri, nga Shkodra.
19. Artur Balla, nga Elbasani.
Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 shtetas: M.Z., dhe P.S.
Policët bashkëpunëtorë
1. Ardit Gjyriqi, nga Tirana;
2. Jasin Abdul, nga Saranda
3. Bledar Koçi, nga Lushnja
Grupi i tokave dhe falsifikim dokumentesh në Lezhë
Dhënë masa e sigurimit për: Gjelin Ndoka, Arben Ndoka, Vlash Gazuli, Zef Ndoka, Zef Lazi, Lule Zeneli, Marjeta Perskura, Edi Ndokaj, Vasil Nika, Kol Lleshi, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni. Janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë.
Arrestimi për transferimet në burgje
Arben Çuko, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve
Qerim Musha, shoferi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.