Ne rrjet

Si është një ditë e Navalnit në qeli: Zgjimi në 6, pastaj 7 orë punë në një makinë qepëse mbi një stol druri!

Aleksei Navalni, armiku numër një i Putinit, i mbyllur në një burg të sigurisë së lartë në Moskë, ndan ditën e tij në Twitter: “10 minuta për t'u larë, 15 për të ngrënë. Unë jetoj mes gardheve, si kreu i Kremlinit dhe Medvedev”

Gazeta Si - Çdo ditë nga dymbëdhjetë “cicërima”. Aleksei Navalni, disidenti numër një i regjimit të Vladimir Putinit, donte t'i bënte të ditur botës, përmes profilit të tij në Tëitter të menaxhuar nga aktivistët, se si kalon orë të tëra në burgun ku po mbahet për të vuajtur një dënim 9-vjeçar për mashtrim.

Nuk dihet se ku ndodhet, pasi më 14 qershor u transferua nga burgu i Pokrovit, jo shumë larg Moskës, në një burg të panjohur. Por tani, të paktën e dimë se si e kalon kohën pas hekurave.

"Unë jetoj si Putini dhe Medvedevi". Kështu e nis të parin nga 12 postimet, me ironinë e paprekur dukshëm nga mbyllja: “Ose të paktën, kështu mendoj unë kur shikoj gardhin që rrethon kasollen time. Të gjithë këtu futen brenda një gardhi normal, me shufra për të varur rrobat. Gardhi im, nga ana tjetër, është gjashtë metra i lartë: kam parë të ngjashme vetëm rreth ndërtesave të Putinit dhe Medvedevit, mbi të cilat kemi hetuar”.

Këtu pra është krahasimi i parë me “Carin” rus: “Putini jeton dhe punon në një vend të tillë. Dhe unë gjithashtu jetoj në një vend të ngjashëm”.

Pastaj, e dyta: “Putini i lë ministrat të ulen në dhomën e pritjes për gjashtë orë, madje edhe avokatët e mi duhet të presin pesë ose gjashtë orë për të më parë mua personalisht”.

Dhe i treti: "Ka një altoparlant në kasollen time, luan këngë si ‘Gloria e FSB-së (FSB është Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Moskës) dhe mendoj se edhe Putini ka një të tillë. Pikërisht këtu përfundojnë ngjashmëritë”.

I burgosuri shënon rutinën e tij, orë pas ore: “Putini fle deri në dhjetë, pastaj bën  not në pishinë dhe ha mëngjes me djathë dhe mjaltë. Për mua, ka një pushim dreke në dhjetë. Sepse puna fillon në 06:40”.

Alarmi bie dyzet minuta më herët: “Ora 6, zgjohem, pastaj dhjetë minuta për të rregulluar shtratin, për t'u larë dhe për t'u rruar. Ora 6:10, stërvitje. Ora 6:20 e mëngjesit, shoqërohem për të ngrënë mëngjes. Ora 6:40 e mëngjesit kontroll dhe më pas në punë”.

Në Kremlin, Putin drejton Operacionin e tij Special Ushtarak në Ukrainë, në burg, Navalni ka punë të tjera për të bërë: “Brenda kasolles sime, ka një dhomë të veçantë me tre makina qepëse. Është një zonë e veçantë industriale e ‘burgut brenda burgut’ tim. E çuditshme që nuk më vendosën një makinë qepëse pranë krevatit tim”.

“Punë” do të thotë "shtatë orë në makinë qepëse, ulur në një stol prej druri që nuk arrin gjunjët". Më pas, kritiku i ashpër i Putinit, ngrihet në orën 10:20 për një pushim dreke 15-minutësh.

Pastaj ulet përsëri “për disa orë në një stol prej druri, nën një portret të Putinit. E quajnë “veprimtari disiplinore”.

Por ai nuk e di se kush mund të “disiplinohet nga një gjë e tillë, nëse jo një sakat me mesin e thyer”.

Kjo procedurë ndiqet nga e hëna në të premte. Po të shtunën? “Pesë orë punë, pastaj ulem sërish në stol, nën portretin e Putinit”.

E diela është pushim total: “Ose të paktën, do të ishte dita e pushimit. Por kushdo që ka menduar për rutinën time në administratën e Putinit, është një ekspert i relaksimit. Kjo është arsyeja pse ne ulemi në një stol prej druri për dhjetë orë të dielave”.

Megjithatë, Navalni siguron se ai nuk e ka humbur optimizmin e tij. “E dini, unë gjithmonë kërkoj një anë pozitive, edhe në një ekzistencë të trishtuar si e imja”, shkruan ai.

“Përpiqem të argëtohem sa më shumë: ndërsa qep, recitoj përmendësh monologun e Hamletit në anglisht. Por të burgosurit që punojnë në turnin tim, më thonë se kur mbyll sytë dhe pëshpërit disa pasazhe në anglisht shekspiriane, si ‘Të gjitha mëkatet e mia mund të kujtohen në lutjet tuaja’, ata kanë përshtypjen se po thërras një demon".

Por Navalni siguron, gjithmonë me një nuancë sarkazme: "Unë nuk kam asnjë qëllim të tillë: thirrja e një demoni do të shkelte rregullat e brendshme".

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë