Editorial

Si e zgjidhi Tsipras “Nyjen Gordiane”

Nga Aleksandër Marku- 2351 vjet më parë Aleksandri i Madh, që marshonte në atë kohë  me ushtrinë e tij në Gordium, gjeti një qerre me disa nyje që ishin të lidhura aq fort dhe në mënyrë aq të ngatërruar sa ishte e pamundur të zgjidheshin, pasi u përpoq pa sukses deklaroi tek turma që po e ndiqte se nuk kishte rëndësi mënyra dhe menjëherë nxori shpatën duke e bërë copash nyjen me një goditje të vetme.

Thuajse në të njëjtën mënyrë kryeministri Tsipras veproi me ministrin e tij të Jashtëm Nikos Kotzias, konfliktet e të cilit me partnerin qeveritar Panos Kammenos kishin mbërritur në atë pikë sa të konsideroheshin të pazgjithshme.

Dhe për çudi ata që prisnin që Aleksis Tsipras të merrte ministrinë e Mbrojtjes, u habitën kur kryeministri njoftoi paksa i inatosur, se merr Ministrinë e Jashtme, pas dorëheqjes së papritur të Nikos Kotzias.

Nëse dikush kërkon të gjejë çelësin e kësaj dorëheqjeje ai ndodhet pas deklaratës së Tsipras se  "nuk do të tolerojmë strategjitë personale dhe dygjuhësinë".

Në gjurmët e Andrea Papandreut

Edhe më parë Aleksi Tsiprën e kanë përngjasuar me liderin e famshëm të socialistëve grekë Andrea Papandreu, madje kanë thënë se përdor edhe disa prej metodave të tij.  "Treni i qeverisë ecën përpara dhe do të arrijë në destinacionin e vet. Kush nuk dëshiron të arrijë në këtë destinacion ose kush ndjehet i lodhur mund të zbresë" –kishte deklaruar dikur Papandreu dhe të njëjtën thuajse shprehje, përdori edhe zëdhënësi i qeverisë greke në mbyllje të gjithë kësaj dorëheqje që tronditi më shumë se kurrë Athinën zyrtare.

Kryeministri Alexis Tsipras dhe Nikos Kotzias

U shkruan shumë vargje për zënkën e madhe në mbledhjen e kabinetit Tsipras. Ajo që kuptuan të gjithë ishte se Kotzias shkëmbeu shumë debate me ministrin e Mbrojtjes, pak ditë pasi ky i fundit shpallte në Uashington një plan B, në rast dështimi të marrëveshjes së Prepsës, që shfuqizonte gjithë përpjekjen e kryediplomatit dhe emëronte z.Kammeno pilotin e dytë të vijës qeveritare, ndërsa nuk ishte sqaruar, sipas Kotzias, nëse kryeministri ishte ose jo dakord me këtë plan.

Akuzat e ndërsjellta kishin të bënin me fondet e fshehta të të dy ministrive dhe të menaxhimit të tyre, ndërsa Kotzias vazhdimisht kërkonte nga kryeministri të zbatonte të njëjtin ligj që vlen për ministrinë e Jashtme, edhe për të gjitha ministritë e tjera që lëvronin të tilla fonde sekretete . Panos Kammenos nga ana e tij akuzoi Nikos Kotzias për keqpërdorimin e fondeve sekrete të Ministrisë së  Jashtme dhe shumë ministra e mbështetën atë dhe jo kryediplomatin.

Me postimin e tij në Twitter pak më vonë Kotzias  deklaroi se kryeministri dhe disa ministra bënë zgjedhjen e tyre dhe ai bëri të tijën. Ish-ministri i Jashtëm nuk foli për anashkalimin e tij nga ministri i Mbrojtjes, por ju drejtua direkt kryeministrit. Dhe kjo zemëroi z. Tsipras, në një moment kur ai po përpiqej të siguronte qëndrueshmërinë e qeverisë së tij, duke i kërkuar partnerit të tij në koalicion, të mos rrëzojë qeverinë dhe në rast votimi të marrëveshjes në parlament, të votojë vetëm kundër saj.

Por pika që derdhi gotën dhe që mërziti Tsiprasin ishte momenti  kur ministri i tij largohet nga kabineti për të shkuar tek Presidenti i Republikës. I ndodhur para dilemës Kotzias apo Kammenos, Tsipras bëri atë që duhej të bënte një kryeministër për të rruajtur stabilitetin e tij qeveritar.  Zgjodhi partnerin e tij në koalicion,duke shtyrë të japë dorëqjen ministri i tij kryesor dhe ndoshta në të ardhmen një nga ata që do ta luftonin.

Kjo ngjarje ndodh ndërsa duket se marrëveshja e Prespës nuk kalon dot nga Parlamenti në Shkup dhe kjo ndoshta nuk është e rastësishme. Edhe fakti se në Moskë bashkë me Tsipras në fillim të nëntorit është vendosur që do të shkojë z.Kammenos, do të thotë se vendimi ishte i marrë më parë.

Alexis Tsipras, Nikos Kotzias dhe Panos Kamenos

Dhe ndoshta kjo nuk ishte pa lidhje, jo vetëm me dështimin e marrëveshjes së Prespës. Por edhe me fatin e debatit mbi Zonën Ekonomike Ekskluzive me Shqipërinë, me dëbimin e diplomatëve rusë, të akuzuar si agjentë disa kohë më parë. Ishin çastet kur shumë prej mediave opozitare theksonin se ishte Kotzias dhe jo Kammenos që sillej si kryeministër dhe madje mjaft arrogant.

Aleksis Tsipras nuk e "zhduku" Kotziasin për Kammenon në një moment që ai bëri një deklaratë të qartë se nuk do të rrëzonte qeverinë. Kotzias përveç lavdeve, nuk ja doli mbanë me marrëveshjen, nuk arriti në fund të problemeve me Tiranën, edhe pse deklaroi shumë herë se do të zgjidhë çështjet e mbetura pezull nga 30 deri në 80 vjet me Shqipërinë. Tha se do ti zgjidhte para se të shkonte me pushime, do ti zgjidhte ai, jo qeveria dhe Aleksis Tsipras. Një frazë që po përdorej nga ministri grek përherë e më shumë.

Ishte ai që kishte thënë në vitin 2017 se "Greqia për herë të parë do të zgjerojë ujërat e saj territoriale në 12 milje dhe pastaj do të deklarojë Zonën Ekonomike Ekskluzive- një vendim që ndoshta as Tsipras nuk e njihte deri sa shkoi me nxitim në diskutimin trepalësh midis Greqisë , Qipros dhe Egjiptit në Kretë - ku ra dakord të përcaktonte ZEE.

Problemi kryesor i tij nuk ishte Kammenos, por fakti që Kotzias e tërhiqte  kryeministrin në rrugën e tij, ndërsa duhej të ndodhte e kundërta. Ndarja pritej prej kohësh dhe konflikti me Kammenon ishte në thelb konflikti me vetë z.Tsipras.

A ishte i ministër i sukseshëm Kotzias?

Nikos Kotzias, lideri i vjetër i Organizatës së të Rinjve Komunistë, në të cilën morri pjesë dhe Aleksis Tsipras si student, ishte pa dyshim ministri më modern i Jashtëm që ka pasur Greqia në dekadat e fundit. Përgatitja e tij e madhe, durimi i tij, menyra diplomatike dhe këndvështrimi i problemeve ballkanike që kanë hedhur rrënjë prej vitesh, ishin disa prej karakteristikave të tij.

Alexis Tsipras dhe Panos Kamenos

Ai vuri në tryezën e bisedimeve me fqinjët ato çështje që për Greqinë ishin kthyer në tabu dhe që askush nuk guxonte ti prekte për të mos prishur klientelën politike. Por me sa u duk Aleksi Tsipras vendosi më shumë ti besonte Kammenos që kurrë nuk i ka mbajtur diçka të fshehtë dhe ka vepruar gjithnjë me mirëkuptim, sesa Kotziasit që për shumë raste merrte vetë iniciativat.

Rasti i ngjan shumë çëshjtes "Varoufakis" që gjithashtu tërhiqte me teoritë e tij kryeministrin dhe merrte vendime për të ardhmen e vendit, derisa papritmas u shkarkua natën e referendumit. Më pas u zbulua se gjatë gjithë asaj periudhe Aleksis Tsipras ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me kreun e Eurogroup-it, ashtu si dhe më vonë me  ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov apo me Vladimir Putinin.

Ndoshta ky është shpjegimi më i mirë jo vetëm për dorëheqjen e Kotzias, por edhe për faktin se ndërsa ministri i Jashtëm grek përjashton diplomatët rusë si spiunë dhe tërheq ambasadorin e Greqisë në Moskë me një vendim personal, Aleksis Tsipras do të jetë në Moskë më 7 dhjetor. Pa ministrin e tij kryesor.

Për shumë të tjerë Nikos Kotzias, arriti me megalomani ta kthejë çështjen maqedonase në një çështje qëndrore politike që kërcënon kohezionin e partisë dhe vetë qeverisë, tronditi marrëdhëniet me Rusinë –çka nuk ishte në planet e kryeministrit dhe u përpoq të shkruante histori, por veçse historinë e tij.

Problemi ishte se ai filloi të merret me politikën e brendshme të vendit duke kërkuar të vendoste aleanca tek Kryeministri apo edhe të ndikonte për zgjedhjet greke.


Kryeministri Alexis Tsipras dhe Nikos Kotzias

Opozita shigjeton Tsiprasin

Tsipras nuk është kryeministri i parë në Greqi që merr edhe postin e ministrit të Jashtëm. Por kjo nuk i ka qetësuar, përkundrazi i ka irrituar edhe më shumë konservatorët grekë. Në deklaratën e fundit të Demokracisë së Re thuhet:

-Sa herë dhe kur do të shkojë Tsipras në Ministrinë e Jashtme?

- A do të merret me të gjitha çështjet kritike të politikës së jashtme apo vetëm me Marrëveshjen e dështuar të Prespës?

- Kush do ta përfaqësojë vendin në Këshillat e Çështjeve të Përgjithshme në BE dhe detyrimet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare?

- Si do të mbulohen nevojat në rritje për monitorimin dhe përfaqësimin e vendit në kontekstin e marrëdhënieve serioze bilaterale?

- Kush do të udhëheqë administratën e përditshme të Ministrisë së Jashtme në këtë periudhë vendimtare?

Për më tepër vendi ka përpara tre beteja elektorale dhe Tsipras e di mirë se humbja nuk do të jetë një humbje politike e rradhës, por diçka shumë më e madhe. Ndërkohë ka bërë të qartë se do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e marrëveshjes së Prespës, ashtu edhe për problemet me Shqipërinë. Tani për tani nuk ka hollësi për mënyrën se si do të veprojë, përveç se bindjes së tij të fuqishme për një rajon me probleme të zgjidhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë