Lajme

Si fitoi tender Victoria Invest? APP: E pezulluar nga PPP, jo nga prokurimi publik

Kompania “Victoria Invest”, sipas Autoritetit të Prokurimeve Publike nuk ka qenë e përjashtuar nga pjesëmarrja në tenderin për lotin e tretë të Unazës së Madhe, pjesë e aksit nga “Pallati me Shigjeta” tek “Sheshi Shqiponja”.

APP thotë se kjo kompani ishte e pezulluar nga procedurat “koncesionare/partneritet publik privat” dhe jo nga “procedurat me prokurim publik”.

“Shoqëria “Victoria Invest” është përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e koncesioneve /partneriteteve publike private dhe jo nga pjesemarrja në procedurat e prokurimit publik, ndërkohë që procedura që ju përmendni në kërkesën tuaj është procedurë prokurimi dhe jo koncensioni/partneritet publik privat”, thuhet në përgjigjen që APP i ka dërguar interesimit të Gazetës.

Sipas këtij interpretimi juridik të bërë nga Drejtoria Juridike e APP-së, “Victoria Invest” nuk kishte asnjë pengesë për të marrë pjesë në garën e hapur në muajin shtator dhe më pas për t’u shpallur fituese e tenderit me vlerë rreth 10 milionë euro për ndërtimin e lotit 3 të këtij aksi.

Pyetja që ne i drejtuam lidhej me vendimin Nr.75 të datës 3 gusht 2018 të Autoritetit të Prokurimeve Publike. Sipas këtij vendimi, “Victoria Invest” përjashtohej me një vit nga pjesëmarrja në koncesione dhe skema e partneriteteve publike-private, duke filluar që nga datat 3 gusht 2018 deri më 3 gusht 2019.

Drejtoria Juridike dhe e Verifikimit e Agjencisë së Prokurimit Publik ishte vënë në lëvizje pas një kërkese të Bashkisë së Kamzës. Kjo bashki ka dorëzuar kërkesën me nr.2402 më 2 maj të 2018, ku propozon nisjen e hetimit administrativ ndaj kompanisë “Victoria Invest” dhe përjashtimin e saj nga pjesëmarrja në procedurat koncesionare dhe partneritete publike-private.

Bashkia e Kamzës pretendonte se kompania në fjalë kishte manipuluar dokumentacionin e paraqitur për pjesëmarrje në një tender të saj, në mënyrë që të kualifikohej në garë. Në përfundim të procedimit administrativ, APP ka arritur në përfundimin se plotësoheshin kushtet e keqinformimit sipas nenit 13/3/a të ligjit për prokurimet publike.

Masa e marrë ishte përjashtimi për një vit, pra nga 3 gushti 2018 deri më 3 gusht 2019 i pjesëmarrjes në tendera për “Victoria Invest”. Ndëshkimi mund të ishte më i ashpër, por APP thotë se janë marrë parasysh faktet që kompania në fjalë ishte skualifikuar nga gara dhe nuk kishte përfituar fonde publike, si dhe historiku “i pastër” i “Victoria Invest”, që nuk rezultonte e përjashtuar më parë nga pjesëmarrja në koncesione dhe PPP.

Vetë kompania nuk është pajtuar me këtë ndëshkim dhe i është drejtuar Gjykatës Administrative duke paditur APP-në. Çështja mban numrin 31155-05056-80-2018 në Gjykatën Administrative, e cila në nëntor i ka dhënë të drejtë kompanisë duke shfuqizuar pezullimin.

Kjo nuk është hera e parë që emri i kompanisë “Victoria Invest” përmendet në media si e përfshirë në praktika të dyshimta tenderimesh. Në 2017, ajo përfitoi një tender me prokurim të drejtpërdrejtë nga Bashkia e Elbasanit, megjithëse nën sekuestro për shkak të mosmarrëveshjeve me një tjetër kompani.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Victoria Invest” rezulton e regjistruar me adresën Elbasan, “Lagjja 28”, Rruga “11 Nëntori”, pallati pranë Tatim-Taksave, kati 2-të me administrator Fatmir Kuçin. Në ekstraktin historik të saj, kompania rezulton disa herë e vënë nën sekuestro për shkak mosmarrëveshjesh me kompani të tjera, ndërkohë që më 20 korrik të këtij viti, si ortake tek “Victoria Invest” është përfshirë “Victoria Invest International”.

“Victoria Invest International” vetë është e regjistruar si degë e një kompanie të huaj, që në vitin 2010 dhe për përfaqësuese ligjore ka shtetasen Valbona Kuçi. Adresa e kësaj dege është e njëjtë me atë të “Victoria Invest”, në të njëjtin kat, pallat, rrugë dhe lagje të qytetit të Elbasanit.

Ndërkohë, emri i Fatmir Kuçit del i lidhur me kompaninë “Victoria Marine LTD”. Nga publikimi i dokumenteve pas “Panama Papers”, rezulton se kjo kompani është e regjistruar në Maltë, që njihet si një parajsë fiskale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë