Futboll

Si do të rifillojë Serie A: Nuk lejohet të protestosh ndaj arbitrit dhe ti afrohesh

Lega Serie A ka hartuar udhëzimet në funksion të një rikuperimi gjithnjë e më të mundshme të kampionatit pas mesit të qershorit, nga stadiumi, tek dhomat e zhveshjes, duke kaluar te intervistat dhe kërkesat higjeno-sanitare. Në impiantin e ndeshjes do të jenë maksimumi 300 persona, asnjë kontakt me arbitrat përpara fillimit të ndeshjes, ndërsa gjatë ndeshjes do të jetë e ndaluar të protestosh dhe të afrohesh më pak se 1,5 metra. Ndalohen shtrëngimet e duarve, lamtumirë maskotave.

NË STADIUM

Stadiumi i ndarë në tre zona: Zona teknike, tribunat, zona e jashtme e stadiumit. Maksimumi 300 persona në total. Maksimumi 100 për zonë. Udhëzimet specifikojnë në mënyrë të detajuar numrin e personave në zona të ndryshme në periudha të ndryshme gjatë zhvillimit të ndeshjes. Nëse ndeshja nis në orën 14:00, nga 14:00-17:00 janë parashikuar 22 lojtarë në fushë, 22 rezerva dhe 20 pjesëtarë të stafit. Edhe kapësit e topave do jenë 4. Është përcaktuar edhe numri i gazetarëve në tribuna (10), i steward dhe të gjithë anëtarëve të sigurisë.

MBËRRITJA NË STADIUM

Ardhja e skuadrës me autobusë të ndryshëm ose mjete transporti (rritje e distancës së sigurisë ose përdorimi i maskave mbrojtëse në fytyrë). Skuadrat dhe arbitrat do të mbërrijnë në orare të ndryshme. Për skuadrën pritëse rekomandohet ardhja e lojtarëve me makinat e tyre.

DHOMAT E ZHVESHJES

Përdorimi i sa më shumë dhomave të lira, në mënyrë që të ndahen titullarët, portierët dhe rezervat. Nuk do të lejohet asnjë kamera televizive në brendësi të dhomave të zhveshjes të higjienizuara.

CEREMONIA E NDESHJES

Skuadrat do të futen në fushë në kohë të ndryshme për të shmangur grumbullimet. Ndalohen shtrëngimet e duarve, foto e skuadrës, nuk do të ketë maskota dhe as fëmijë që shoqërojnë zakonisht futbollistët.

INTERVISTAT

Si intervistat mini flash (në fund të pjesës së parë) ashtu dhe super flash (fundi i ndeshjes) duhet të respektojnë distancat mes gazetarit dhe futbollistit të paktën 1,5 metra. Zona mix do të qëndrojë e mbyllur. Konferenca për shtyp sipas modelit F1: pyetje përmes skype-whatsapp.

KËRKESAT HIGJENO-SANITARE

Parashikohen rregulla të rrepta higjeno-sanitare për të garantuar siguri maksimale për të gjithë ata që janë të pranishëm në stadium. Kërkohet matja e temperaturës trupore, përdorimi i dezinfektuesve, ushqime të përgatitura dhe të paketuara, shishe uji të personalizuara, përdorimi i dusheve-dhomave të zhveshjes në grupe të vogla dhe me distancë minimale prej 2 metrash.

NDRYSHIMET ARBITRALE

Asnjë person nuk do të lejohet të hyjë në dhomën e arbitrave. Pajisjet e tyre do të vendosen jashtë dhomës. Nuk do të ketë më mbledhje arbitrale. Futbollistët nuk mund të protestojnë më kundër arbitrave dhe nuk mund të afrohen për asnjë arsye më shumë se 1,5 metra distancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë