Ana e errët

Si dështoi ligji i ‘spiunëve’ për luftën antikorrupsion: 11 ministri asnjë denoncim

Në vitin 2016 hyri në fuqi ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i njohur ndryshe i ai i bilbilfryrësve duke i cilësuar si mekanizëm i fortë që të do të shërbente për luftën kundër korrupsionit jo vetëm në administratën shtetërore, por edhe në sipërmarrjet private.
Pas rreth tre vitesh nga hyrja në fuqi, që nga mandati i parë i qeverisë Rama ligji duket i pazbatueshëm, edhe pse u hartua edhe nën ekspertizën e misionin të BE-së, EURALIUS. Për zbatimin e këtij ligji i është lënë përgjegjësi e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Ky institucion bashkëpunon me njësitë e veçanta pranë çdo institucioni shtetëror dhe privat që shërbejnë për zbatimin e këtij ligji.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një raport të posaçëm thekson se në 11 ministri të linjës nuk është dorëzuar asnjë sinjalizim për korrupsion nga ana e këtyre njësive. Ndonëse ligji parashikon një sërë garancish që mbrojnë individët që sinjalizojnë veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës, si dhe detyrimet e autoriteteve publike e të subjekteve private në lidhje me sinjalizimin, duke se shqiptarët tremben nga pasojat që mund të vijnë në rast kur do të përballen me këto fakte, duke menduar më mirë që të ruajnë vendin e punës apo të mos etikohen si spiunë. KSHH, thekson në raport se një pjesë e mos funksionimit të ligjit vjen edhe prej faktit se niveli i informimit për ligjin e sinjalizuesve dhe mbrojtjen e tyre konstatohet i pamjaftueshëm, përfshirë edhe etiketimin e sinjalizuesve me konotacion negativ si “spiunë”, “5 lekësha” apo “informatorë”.

Faksimile e raportit të KSHH-së


ILDKPKI, si mekanizëm i jashtëm ka referuar rastet e para në vitin 2017, ku shënohen 8 raste sinjalizimi dhe 1 rast kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja, ndërkohë që në vitin 2018 shënohen 16 raste sinjalizimi dhe 3 për mbrojtje nga hakmarrja. Ndërsa në përfundim të hetimit administrativ për kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja ka rezultuar se nuk ka ndodhur asnjë akt hakmarrje i marrë nga institucioni në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Konkretisht, në raportin vjetor për vitin 2017, në lidhje me rastet e sinjalizimit, denoncimet kanë qenë si më poshtë vijon: në 4 raste është pretenduar për shkelje të detyrimeve ligjore për konfliktin e interesit; në 3 raste është pretenduar për shkelje ligjore në procedurat e tenderimit; 1 rast është pretenduar për shkelje në dhënien e vendimeve gjyqësore dhe falsifikim dokumentacioni në proceset gjyqësore.
Lidhur me trajtimin e sinjalizimeve të jashtme, ILDKPKI referon se në përfundim të hetimit administrativ, për zyrtarët e gjetur në shkelje të parashikimeve ligjore të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave janë aplikuar 4 masa administrative me “gjobë”, si dhe është kërkuar e zgjidhur konflikti i interesit me largim nga detyra të zyrtarëve që kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesit. Rastet e tjera janë referuar pranë organeve kompetente për vijimin e procesit, siç rezultojnë të jenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, Autoriteti Publik Qendror, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KSHH nuk disponon informacion nëse këto institucione kanë përfunduar ose jo shqyrtimin e çështjeve dhe nëse janë marrë masa ndaj autorëve apo shkelësve të ligjit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se duke qenë se perceptimet për korrupsionin janë sërish në nivele të larta dhe numri i sinjalizimeve është relativisht i ulët. Kjo gjë bie disi në kontradiktë edhe me tablonë tjetër që parqet qeveria shqiptare, ku në çdo javë jep me bujë rezultatet e luftës Antikorrupsion, nëpërmjet konferencave për shtyp të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
KSHH ka evidentuar mangësi në organizimin dhe funksionimin e njësive përgjegjëse, duke sjellë mungesë të rasteve të sinjalizimit. Në përmbushje të një prej objektivave të ligjit, për nxitjen e sinjalizimeve të veprimeve apo praktikave të dyshuara të korrupsionit, këto njësi nuk kanë ndërmarrë hapa për ndërgjegjësimin e nëpunësve të ministrive për ligjin në fjalë, madje sugjerohet që të bëhet edhe ndryshimi i ligjit aktual.

Konstatimet e raportit të KSHH-së


Në këtë raport janë dhënë edhe katër mangësitë e mos funksionimit si duhet të ligjit. Së pari përfaqësuesit e njësive përgjegjëse janë shprehur se ishte e papërshtatshme caktimi i tyre.
Së pari, nga takimet me përfaqësuesit e njësive përgjegjëse u pohua si e papërshtatshme caktimi i tyre si nëpunës i këtyre njësive, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të tyre si auditues, ku kjo strukturë në çdo autoritet publik është kontrolluese e veprimtarisë së të gjithë punonjësve. Kështu, sipas raportit mund të krijohet perceptimi tek sinjalizuesit e mundshëm se sinjalizimi që ata do bëjnë do të jetë objekt shqyrtimi nga nëpunësit e auditit, të cilët kontrollojnë dokumentacionin dhe praktikat e ndjekura të të gjithë nëpunësve të institucionit, përfshi këtu edhe ato të sinjalizuesve.

Së dyti, nëpunësit e njësive përgjegjëse pohuan se pavarësisht detyrave dhe përgjegjësive të shtuara në kuadër të ligjit ata nuk kanë përfituar asnjë trajtim favorizues të diferencuar financiar. Kjo mund të ndikojë në motivimin e këtyre nëpunësve për të nxitur zbatimin më efektiv të ligjit. Një nga punonjësit e njësive përgjegjëse kishte qëndrim pozitiv ndaj faktit se nuk kishte pasur asnjë rezultat ky ligj, për shkak se detyrat e caktuara nga ligji ishin një “angari” në punën e tyre.

Së treti, “ problem” se mekanizma janë më të fortë se sa këto njësi duke pasur kontroll efektiv të shkeljeve të kryera nga eprorët, të cilat janë më të besueshme për punonjësit. Për shembull, punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët gëzojnë statusin e ushtarakut përdorin mekanizmat të ofruara nga ligji “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit ata kanë të drejtë që në mënyrë individuale apo në grup të bëjnë propozime, kërkesa ose ankesa për veprime të paligjshme të eprorëve, kur preken të drejtat e tyre.

“Në çdo rast ushtaraku nuk i nënshtrohet asnjë mase ndëshkuese ose disiplinore, për shkak të ankesës ose kërkesës së bërë prej tij. Gjithashtu mekanizmat e tjerë ligjorë si Shërbimi Informativ Ushtarak dhe Policia Ushtarake, për shkak të natyrës dhe funksionimit të tyre ofrojnë një mbrojtje të veçantë ligjore që garanton ruajtjen e informacionit dhe burimit në mënyrë konfidenciale”, thuhet në raport.

Si aryse të katërt për mungesën e sinjalizimeve është lëkundja e besueshmërisë tek sinjalizuesit potencial për garancitë e ligjit dhe anëtarët e njësisë përgjegjëse. Mungesa e njohjes dhe kontakteve të vazhdueshme e sinjalizuesve me nëpunësit e njësive përgjegjëse krijon lëkundje të besimit se pikërisht këta punonjës do ta trajtojnë me paanshmëri dhe profesionalitet një sinjalizim potencial.

Të gjitha arsyet me natyrë objektive dhe subjektive të përmendura sipas KSHH-së reflektojnë problematika në drejtim të mënyrës se si janë konceptuar dhe organizuar njësitë përgjegjëse, si dhe tregojnë gjithashtu edhe mungesën e vullnetit dhe motivimit të duhur të nëpunësve të këtyre njësive për ta zbatuar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë