Mjedis

Tirana, gangrena e trafikut pa ligje

Endri është një djalë te të 30-at. Për arsye të punës që bën, atij i duhet të lëvizë së tepërmi me makinë nëpër gjithë Tiranën. Disa ditë më parë, ai i shpëtoi për fije një aksidenti, që për pak mund t’i kishte kushtuar edhe jetën.

“Isha te Rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Ishte orar dreke dhe kishte shumë trafik. Pas meje erdhi një makinë, e cila donte të parakalonte dhe që në lëvizje e sipër më goditi në pjesën e pasme të makinës. Makina u gërvisht, por unë, desh Zoti dhe nuk pësova gjë”- tregon ai, ndërsa shton, se të ecësh me makinë në rrugët e Tiranës kërkon aftësi të mëdha dhe fat, sepse sado i kujdesshëm të jesh gjatë drejtimit të mjetit, mund të përfshihesh në aksident për shkak të trafikut të rënduar dhe gabimet e të tjerëve, drejtues mjeti apo këmbësorë.

E vërteta është se rrugët e Tiranës ofrojnë pak siguri për drejtuesit e mjeteve dhe nga të dhënat statistikore mund të themi, se siguria rrugore dhe aksidentet nuk janë të pakta edhe në qytete apo zona të tjera të vendit.

Edhe pse i shpallur si viti i sigurisë rrugore, 2020-a nuk ndryshon shumë nga vitet e mëparshme përsa i përket aksidenteve rrugore.

Ndonëse periudha e izolimit për shkak të pandemisë dhe kufizimi i lëvizjes pati një lloj ndikimi në uljen e qarkullimit të automjeteve, aksidentet e rënda kanë vazhduar të jenë të lartë në numër.

Vetëm gjatë gushtit u numëruan 195 aksidente dhe 24 viktima përsa i përket ngjarjeve rrugore.

Ndërkohë, nga të dhënat e policisë, krahasuar me muajin gusht 2019 kanë ndodhur 43 aksidente më shumë dhe dy jetë të humbura më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë, vetëm gjatë gushtit, policia ka vendosur rreth pesë mijë masa më shumë se një vit më parë. Shumica e këtyre masave janë për parakalim të gabuar si dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

Por, pavarësisht se rritja e numrit të aksidenteve është shoqëruar me rritjen e numrit të gjobave, situata përsa i përket sigurisë rrugore lë ende për të dëshiruar.

Me të drejtë, shumëkush mund të shtrojë pyetjen se në ç’mënyrë aksidentet rrugore mund të ulen dhe siguria rrugore të rritet?! A mjaftojnë gjobat e vendosura, që situata të përmirësohet?!

Eksperti i Sigurisë Rrugore, Msc.Ing.Mamir Hodo

Mungesa e inspektimeve rrugore

Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, Msc.Ing.Mamir Hodo nga Byroja Inxhinierike e Ekspertëve, “Eksperiencat më të mira në botë kanë treguar se vdekjet mund të ulen 30 deri në 40 % nëse zbatohen planet e veprimit të sigurisë rrugore me bashkërendim shumë sektorial”.

Ai sugjeron që për të pasur rrugë më të sigurta duhet të ketë “përmirësim të punës për parandalimin e aksidenteve automobilistike, duke përfshirë jo vetëm rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë së drejtuesve të mjeteve për respektimin dhe zbatimin e kërkesave të Kodit Rrugor e akteve të tjera në këtë fushë.”

Eksperti vë theksin te auditimet dhe inspektimet e sigurisë rrugore, të cilat sipas tij “deri tani janë inekzistente.”

Policët e qarkullimit rrugor

Në një gjatësi prej disa metrash, në një aks në rrugën e Elbasanit, rradha e automjeteve është e gjatë. Përveç shiut që bie, trafiku rëndohet edhe nga orientimi jo i duhur i makinave prej punonjësit të qarkullimit rrugor.

Duke dashur të ulë fluksin e lëvizjes, ai orienton makinat të lëvizin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit dhe atë çfarë dikton semafori, gjë që shkakton edhe një lloj irritimi te drejtuesit e mjeteve.

Për ekspertin e sigurisë rrugore, Msc. Ing. Mamir Hodo është shumë e nevojshme, që punonjësit e qarkullimit rrugor të kenë një performancë më të mirë.

“Punonjësit e qarkullimit rrugor duhet të kenë në fokus rritjen e përgjegjësisë për zbatimin e masave specifike në zonat me rrezikshmëri të lartë e me pasoja fatale, si dhe trajnimin e vazhdueshëm për rritjen e profesionalizmit”, pohon Hodo.

Polic rrugor

Pajisja me leje drejtimi

Ndërkohë ai vëren edhe se kuadri ligjor duhet të përmirësohet, ashtu si dhe masat administrative, ndërsa duhet të përdoren praktika më të mira, sidomos për pajisjen me leje drejtimi dhe forcimin e penaliteteve në këtë fushë.

Për Hodon, një pikë tjetër, që duhet të kihet parasysh, për uljen e aksidenteve rrugore është edhe puna që duhet të bëhet përsa i përket perceptimit të qytetarëve për sigurinë rrugore, ndërsa “organet e drejtësisë duhet të thërrasin ekspertë me integritet dhe profesionistë të vërtetë me shkollim dhe eksperiencë, për të dhënë mendim rreth mekanizmit të ndodhjes së aksidentit, po ashtu edhe rekomandime për zgjidhjen e problematikave sipas këndvështrimit të gjithsecilit. Dua të ritheksoj se “Ky zanat nuk e njeh termin “më fal”!”

Për periudhën 1992 deri në 2020, në Shqipëri kanë ndodhur afërsisht: 31 718 aksidente rrugore prej të cilëve kanë humbur jetën 8 690 shtetas dhe janë plagosur 18 004 shtetas, ndërsa fatura financiare mendohet afërsisht 1.5-2 miliardë euro.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkaku i aksidenteve në masën mbi 90 për qind të rasteve janë shoferët, ndërsa këmbësorët ngjan se janë ndërgjegjësuar për sjelljen e tyre në rrugë, në krahasim me një vit më parë.

“Në muajin Gusht 2020, aksidentet rrugore, në 91,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 25,4 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 36,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tetëmujorin e 2020, aksidentet rrugore, në 14,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21,5 %, krahasuar me një vit më parë”.

Trafik në Tiranë Gazeta "Si"

Qarkullimi i mjeteve dhe semafori, detyrë e policisë apo bashkisë?

Sipas ekspertit të sigurisë rrugore, Msc. Ing. Mamir Hodo, “Ka një rregull ‘potent’ të njohur nderkombetarisht”, në lidhje me binomin qarkullim mjetesh-sistem semaforik…

“Nëse gjatë kalimeve të njëpasnjëshme, kryqëzimi në nivel nuk boshatiset, atëherë është detyrë e shërbimeve të Policisë së Shtetit, që t’i bëjë me dije Bashkisë, që trafikun rrugor do ta menaxhojnë shërbimet policore, derisa qyteti të marrë frymë dhe kjo me arsyen e vetme, se trafiku në Tiranë është kthyer në shqetësim shëndetësor: miliona metër kubik diokisid karboni etj) dhe psikologjik (stres permanent). Nuk matet trafiku vetëm me sa vdiqën dhe sa u plagosën”, vëren Hodo, ndërsa shpjegon, se nuk është ky indikatori, por ka mbi 30 tregues minimalisht dhe ky është vetëm kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm!

“Ka ardhur koha dhe ligji e parashikon të detyrueshëm: aty ku kryhen punime me shumë trafik, aty duhet punuar me tre turne”, bën me dije eksperti, ndërsa thekson, se në fakt, në rrugët e Tiranës, nuk punohet kështu.

Ai ngre edhe njëherë shqetësimin për auditimet e sigurisë rrugore, ndërsa bën thirrje konkrete, që të shikohet sinjalizimi rrugor: “në Bashkinë Tiranë, rrugës për në Tufinë, të shikohet rruga Myslym Keta, ku sinjalizimi rrugor është i njëjti në të dy senset, por pa lidhje”.

Hodo komenton, se sinjalizimi në këtë rrugë është si sfidë në formë “rebusi” për zgjidhje dhe drejtuesit e mjetit nuk dinë çfarë veprimesh të bëjnë.

Gjendja e rrugëve dhe trafiku

Rrugë “të shqepura”, ku gjithnjë punohet apo ndryshohet diçka, ndryshim sensi të lëvizjes për automjetet dhe trafik i krijuar për shkak të këtyre ndryshimeve. Për dikë që jeton në Tiranë, një situatë e tillë është e zakonshme, sigurisht edhe kaotike, stresuese dhe bezdisëse.

Për ekspertin e sigurisë, Msc.Ing. Mamir Hodo ka ardhur koha, që provave të tilla t’u jepet fund. Ai bën një analizë të situatës, duke u ndaluar në disa pika kryesore, të cilat, sipas tij janë kthyer në problematike përsa i përket trafikut dhe krijojnë bllokim të lëvizjes në qytet.

“Pas provës që u bë me sheshin qendror të kryeqytetit u konstatua se trafiku nuk funksionon, por përkundrazi, ai është kthyer në bllokues dhe i pakuptimtë. Ai mund të ketë funksione të tjera, por jo për trafikun”- vëren Hodo, ndërsa shton se “nisur nga kjo situatë kaotike, bezdisëse dhe strapacuese për drejtuesit e mjeteve”, këshillon në rolin e audituesit “të zhbllokohet sensi i lëvizjes nga Rruga e Kavajës në drejtim të Pazarit të Ri, duke kaluar në nënkalimin poshtë sheshit qendror (aty ku sot gjendet parkimi nëntokësor).”

“Duhet të hiqet dorë nga qarkullimi në forma labirinthi. Prova deri tani konsiderohet e dështuar!”- vijon Msc.Ing. Hodo.

Sipas tij, edhe për Rrugën e Durrësit duhet të ndryshojë urgjentisht formula, që zbatohet aktualisht, pra lëvizja me një sens e automjeteve, gjë, “që nuk shkon praktikisht dhe që sjell stres te drejtuesit e mjeteve, duke i kthyer ata në ‘Dangerous Driving’ nga mospërballimi i fluksit në rrugën Mine Peza”.

Ai vëren edhe se miliona metër kub diokisid karboni (CO2), që çlirohen përditë e kthejnë ajrin në rrezik potencial për qytetarët, kjo për arsye të lëvizjes së trafikut me “hapin e breshkës” (5 km/orë mestarja).

“Jetojmë në kohëra gjithmonë e më dinamike, ku shpejtësia dhe përfitimi në kohë për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave është bërë kriteri i parë i mirëqenies. Pa rrugë të niveleve që dikton zhvillimi i vrullshëm i ekonomisë, nuk ka prosperitet”.- përfundon eksperti i sigurisë rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë