Njerez

“Shyqyr që u kapëm, është ftohtë këtu”… Në Angli, emigrantët shqiptarë tentojnë të grabisin shtëpinë 1.5 mln paund në lagjen e futbollistëve

Dy emigrantë të paligjshëm shqiptarë që tentuan të grabisin një shtëpi prej 1.5 milion paundësh janë burgosur dhe do të dëbohen nga Britania.

Daily Mail shkruan se Sebastiano Gjoni, 23 vjeç dhe Skelidano Koliqi, 26 vjeç, u arrestuan pasi u kapën duke hyrë në një shtëpi luksoze në ‘lagjen e futbollistëve’ Cheshire në fshatin Alderley Edge në janar të këtij viti.

Policia u vu në lëvizje kur pronarët e shtëpisë i telefonuan duke u thënë se kishin dëgjuar zhurma që vinin nga kati i poshtëm në orën 20:00.

Sebastiano Gjoni (djathtas), 23 vjeç dhe Skelidano Koliqi (majtas), 26 vjeç, tentuan të grabisin një shtëpi prej 1.5 milion paund dhe tani do të dëbohen nga Britania.

Dy të rinjtë shqiptarë kishin hyrë ilegalisht në Britani me shpresën për të gjetur punë, por pasi u kapën, thanë para gjykatësit “Na vjen mirë që u kapëm, këtu është jashtëzakonisht shumë ftohtë dhe nuk kemi ku të shkojmë”.

Më vonë u zbulua se njëri nga dy të rinjtë fliste rrjedhimisht italisht, gjermanisht dhe anglisht dhe ‘puna’ e tij në Britani ishte të futej nëpër shtëpi për të vjedhur, ku vetëm 5 ditë më parë kishte vjedhur në një pronë prej 3 milion paund.

Në Chester Crown Court Gjoni u burgos për 28 muaj ndërsa Koliqi u dënua me 18 muaj pasi të dy pranuan vjedhjen. Ata do të deportohen në Shqipëri pas lirimit nga burgu.

Gjoni i tha policisë se nuk kishte dashur të shkaktonte ndonjë dëm në shtëpi dhe tha se ishte i lumtur që u kap pasi ishte i pastrehë, nuk kishte një punë dhe ka jetuar ilegalisht në Britani që nga viti 2018.

Avokati Brendan Carville tha për Gjonin se ai u largua nga Shqipëria në moshën 14-vjeçare dhe udhëtoi vetëm për në Gjermani.

“Ai erdhi në Britani kur ishte 17 vjeç e gjysmë. Këtu ka edhe babain e tij. Në Shqipëri ka nënën dhe gjyshen. Gjyshja e tij është 90 vjeç dhe në gjendje të keqe shëndetësore. Ai është inteligjent. Përveç shqipes ai flet rrjedhshëm edhe italishten, gjermanishten dhe anglishten, si dhe spanjisht dhe portugalisht. Ai ka kaluar nëntë muaj në paraburgim duke studiuar matematikë të avancuar. Ai është një artist. Ai pranon se këto janë krime të rënda dhe se do të riatdhesohet në Shqipëri”.

Gjoni dhe Koliqi (në foto) hynë në Britani ilegalisht me shpresën për të gjetur punë në industrinë e ndërtimit.

Edmund Potts, avokati i Koliqit, tha se “'I pandehuri dëshiron që unë të shpreh se i vjen keq për veprimet e tij. Ai e di se çfarë ndikimi do të kishin veprimet e tij te banorët dhe është penduar për këtë. Ai erdhi në Britani pasi në vendin e tij është në gjakmarrje dhe kjo i vë jetën në rrezik”.

Gjykatësi Patrick Thompson tha se secili prej djemve do të kryejë gjysmën e dënimit dhe më pas do të kthehen në Shqipëri.

Marrë nga Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë