Futboll

Shumë e lehtë për Interin në Monca, 5 gola për t’u shkëputur 5 pikë nga Juventusi

Gazeta Si – Në ‘U-Power Stadium’ kanë vendosur dygolëshat e kapitenit Lautaro Martinez dhe Çalhanoglu, si dhe goli i Markus Turam. Për momentin zikaltrit janë 5 pikë para Juventusit.

Interi ka mundur sot në mbrëmje 1-5 Moncën në ndeshjen e javës së 20-të të Serisë A, duke vazhduar marshimin në krye të klasifikimit. Gjithçka u bë e thjeshtë për skuadrën e Inazagit, që shënoi dy herë në minutat 12 dhe 14 të ndeshjes, fillimisht me një penallti me ndihmën e VAR-it dhe pastaj me golin e Martinez.

Në pjesën e dytë Çalhanoglu firmosi trisin, para se t’ia linte vendin Kristjan Asllanit, gjysmë ore në fushë për mesfushorin kuqezi në këtë ndeshje.

Pesina shkurtoi me penallti në 1-3, por sërish me penallti Interi shënoi edhe golin e katërt, me autor Lautaro Martinez. Në fund shënoi emrin në listën e shënuesve edhe Turam. Me këtë fitore të thellë Interi i dërgon një mesazh të qartë Alegrit dhe Juventusit para Superkupës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë