Rend dhe Ligj

Shullazi kërcënon gjyqtaren! Dollani merret në mbrojtje nga policia

Përveç shfrytëzimit të hapësirave ligjore për të zvarritur seancat gjyqësore në Apelin për Krimet e Rënda, grupi i Emiljano Shullazit dyshohet se po vepron edhe jashtë sallës së gjykatës për të ushtruar presion ndaj trupës gjykuese.

Top Channel raporton se gjyqtarja Saida Dollani, njëkohësisht kryetare e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është marrë në mbrojtje nga ana e Policisë së Shtetit. Në mbrojtje janë marrë edhe familjarë të gjyqtares.

Dyshohet se Saida Dollani, që kryeson trupin gjykues në çështjen ndaj grupit të Emiljano Shullazit është kërcënuar nga anëtarë të bandës, gjyqi për të cilët nuk po zhvillohet që prej muajit janar, duke u zvarritur seancat njëra pas tjetrës.

Që prej 21 janarit të këtij viti kanë dështuar plot 8 përpjekje për të zhvilluar seancë gjyqësore në Apelin e Krimeve të Rënda, ku është apeluar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që e dënoi grupin e Emiljano Shullazit me 55 vite burgim në total.

Ashtu si në seancat në shkallën e parë, edhe në Apel policia shfaqet me forca të përforcuara dhe në gjendje gatishmërie maksimale në ambientet e gjykatës, ndërkohë që një njësi speciale ruan kryesuesen e trupës që po gjykon që prej muajit prill Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endir Qyqen dhe Endri Zelën.

Gjyqtarja Saida Dollani

Gjithçka ka nisur në seancën e 23 prillit, kur i pandehuri Blerim Shullazi kërkoi dorëheqjen e gjyqtares Saida Dollani. Dollani u bë pjesë e trupës pas përjashtimit të gjyqtarit Fehmit Petku. Ky i fundit ishte kryesues i trupës gjykuese, por dështoi në kalimin e procesit të vettingut.

Pas kësaj seance ka dyshime se të afërm të gjyqtares janë kërcënuar me jetë, çka ka sjellë edhe nisjen e hetimeve sekrete nga ana prokurorisë dhe marrjen menjëherë në mbrojtje të gjyqtares. Trupa gjykuese ndaj grupit të Shullazit ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë. Dosja është në dorë të Saida Dollanit dhe Albana Boksit, pasi gjyqtarja e tretë, Nure Dreni dha dorëheqjen me argumentin se kishte qenë e angazhuar në një proces të mëparshëm ndaj anëtarëve të grupit. Pritet që trupa të plotësohet sërish me anëtarin e tretë.

Jo vetëm në trupën gjykuese. Dosja ka ndërruar duar edhe në organin e akuzës. Isa Jata është prokurori i ri pas përjashtimit nga vettingu të prokurorit Artan Bajrami. Edhe në shkallën e parë, dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Elisabeta Imeraj u kërcënuan nga Gilmando Dani me argumentin se po e mbanin në paraburgim pa të drejtë dhe se “kishin për ta parë çfarë do t’u ndodhte”.

Prokurori Eneid Nakuçi mori gjashtë muaj leje me justifikimin se kishte probleme shëndetësore duke shkaktuar edhe vakuum në gjetjen e prokurorëve që do të shpallnin pretencën, që u bë shkas edhe i një sherri të pazakontë tek Prokuroria për Krimet e Rënda, sherr që doli përtej mureve të këtij institucioni. E gjitha kjo pasoi një situatë të pashembullt pasi prokurorët refuzuan të përfaqësojnë akuzën e shtetit në gjykatë, derisa pretenca u shpall me një grup të ngritur enkas.

Gjatë atyre ditëve, policia mori në ruajtje godinën, ndërsa e gjithë klima e krijuar përforcoi perceptimin se drejtësia ishte tejet e brishtë para një grupi kriminal të lakuar shpesh edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kanë dhënë shpesh mesazhe mbështetje për misionarët e drejtësisë që tregojnë guxim në zbatimin e ligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë