Ka ndodhur

Shuhet poeti Lefter Çipa, mjeshtri i vargjeve popullore

Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti i njohur, Lefter Çipa, mjeshtri i vargjeve popullore.

Mësohet se poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Çipa njihet si poeti i së bukurës e shpirtit njerëzor, dhe ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare dhe la pas një pasuri gjuhësore, e cila shënjon kulturën e shekullit XX.

Lefter Çipa është autor i librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Për ndarjen nga jeta të poetit Lefter Çipa, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.

Në një mesazh ngushëllues në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se Çipa na la të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore.

“Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë, legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u nda sot prej nesh.

Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë”, shkruan Meta.

Ndër të tjera, Presidenti Meta thotë se Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë