Art dhe Kulture

Shuhet në moshën 77-vjeçare regjisori i njohur, Kristaq Mitro

Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta në moshën 77-vjeçare regjisori Kristaq Mitro, një emër i njohur në historinë e filmit shqiptar.

Ai ka qenë regjisor i disa prej filmave më të arrirë të kinematografisë shqiptare.

Lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit Mitro e ka dhënë aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universitetin e Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke lënë në ekranin shqiptar si regjisor vepra me sukses të pa kontestuara! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve!”, shkruan regjisori Mevlan Shanaj.

Emrin e regjisorit Kristaq Mitro e mbajnë prodhime të suksesshme të kinematografisë shqiptare si filmat “Njeriu i mirë”, “Duaje emrin tënd”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Apasionata”, etj.

Ndërkohë që në vitin 1990 solli filmin artistik “Një vajzë dhe një djalë”. Ky film ishte projekti i fundit i Kristaq Mitros.

Në një intervistë të dhënë tri vite më parë, Mitro u shpreh se po mendonte të rikthehej, madje kishte përzgjedhur kastin dhe vendet e xhirimit.

“Rikthimin sërish në kinema e ëndërroj”, do të shprehej regjisori.

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën Regji Filmi dhe Televizioni.

Kristaq Mitro ka lindur më 1 dhjetor 1945 në Vlorë. Mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e Dramës duke filluar punën menjëherë si asistent regjisor në Kinostudio “Shqipëria e Re” me filmat “Kur zbardhi një ditë” – 1971 ku luan edhe si aktor në rolin e një partizani, “Yje të netëve të gjata” 1972.

Punën e pavarur si regjisor e filloi me filmat dokumentarë “Basketbollistja me numër 10”; “Përse qajnë fëmijët” ku dhe u dallua për aftësitë krijuese të tij.

Filmat e Kristaq Mitros:

Një djalë edhe një vajzë (1990)

Telefoni i një mëngjesi (1987)

Duaje emrin tënd (1984)

Apasionata (1983)

Njeriu i mirë (1982)

Në prag të lirisë (1981)

Liri a vdekje (1979)

Nusja dhe shtetrrethimi (1978)

Dimri i fundit (1976)

Tokë e përgjakur (1976)

Kur zbardhi një ditë (1971)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë