Ka ndodhur

Shuhet kompozitori i njohur, Avni Mula

Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare kompozitori i njohur, Avni Mula.

Lajmi i hidhur është dhënë nga e bija, Inva Mula. Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme (30 tetor) në orën 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve.

“Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!

Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020”, shkruan e bija, Inva Mula.

I pari që ngushëlloi familjen për humbjen e madhe ishte Ardit Gjebrea. Ai shkroi një statusi të ndjerë në Instagram për humbjen e kompozitorit të madh.

“Tashmë u bashkuan në qiell!
Dhe unë kthehem në fëmijëri, kur muzika e Tij më dha emocionet e para:
“Kur këndoj për ty moj nënë”
“I ëmbël zëri i gjyshes”
“Për çdo vit në maj”
Sa shumë kujtime Avni Mula – paqe për Ty!
Ngushëllime @invamula”, shkruan Ardit Gjebrea në Instagram.

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik.

Karrierën artistike e nisi pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë