Futboll

Shuhet ikona korçare Teodor Vaso, ish-futbollisti i shquar i Kombëtares

Gazeta Si – Shuhet një tjetër emër i madh i futbollit shqiptar. Lajmi i trishtë ka ardhur mëngjesin e sotëm nga Korça. Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare Teodor Vaso, mjeshtër i futbollit korçar dhe atij kombëtar.

Teodor Vaso

Shumë aktiv deri në momentet e fundit të jetës, Vaso ka mbyllur sytë për shkak të një infarkti. Ish-mbrojtësi i shquar korçar i Kombëtares njihet nga të gjithë, pasi përveç Skënderbeut ka luajtur dhe ka fituar gjithçka edhe me Partizanin.

Teodor Vaso ka mbetur në memorien e të gjithëve për sakrificën që bëri në ndeshjen e 1967-ës kundër Gjermanisë, duke luajtur i dëmtuar për mbi 30 minuta.

Edhe pse një mbrojtës, Vaso ka shënuar 26 gola në karrierë. Ai ka zhvilluar 36 ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat 18 me Shqipërinë, 15 me Partizanin dhe 3 me Skënderbeun.

Me fanellën e Kombëtares është ndeshur me emra të mëdhenj të futbollit europian, siç janë gjermanët Overat dhe Bekenbauer. Në vitin 1967 ishte pjesë e ekipit që me atë barazim 0-0 i mohoi Gjermanisë pjesëmarrjen në Europian. Vaso ishte protagonist në atë sfidë, ku trajneri Loro Boriçi i kërkoi të luante i dëmtuar dhe ai sakrifikoi për fanellën kuq e zi.

Vaso ndaj Gjermanise ne 1967

Teodor Vaso lindi më 15 shtator 1941, në Korçë. Sportin e nisi si atlet, më pas kaloi në futboll me Dinamon. Kaloi më pas te Partizani, 17 Nëntori dhe në fund Skënderbeu. Vaso ishte një nga titullarët kryesorë të Kombëtares së asaj kohe, që drejtohej nga Loro Boriçi. Me fanellën kuqezi lujati 8 ndeshje zyrtare dhe 10 miqësore.

Si trajner ka drejtuar Skënderbeun. Teodor Vaso ka qenë padyshim një nga personalitetet më të mëdha të sportit korçar dhe atij kombëtar, i vlerësuar me disa tituj. Lamtumirë mjeshtër i madh!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë