Njerez

Shuhet At Artur Liolin, pasardhësi i Fan Nolit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA

“Kam qenë në shumë vende të botës, por entuziazmin që gjeta në Shqipëri nuk e kam hasur askund”. Kështu do të shprehej Kancelari i Kishës së Shën Gjergjt në Boston, atë Artur Liolini si përfaqësues i Kryeepiskopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës gjatë vizitës në Shqipëri më 6 qershor të vitit 1991.

At Artur Liolini i cilësuar si njeriu që mishëroi atributet e një personi me mjaft reputacion në diasporën shqiptare të SHBA, udhëtoi drejt parajsës të enjten e 28 shtatorit.

Lajmin e ndarjes nga jeta e ka bërë me dije Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

“Në datën 28 shtator 2023 ndërroi jetë atë Artur Liolini, Kryekancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Atë Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij”, shkruan Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Si Kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare me qendër në Boston, At Arturi vlerësohej si një pasardhës i denjë i Fan Nolit, themeluesit të kësaj kishe.

Pyetjes se përse nuk ktheheshin në atdhe eshtrat e Fan Nolit, At Artur Liolini do t’i përgjigjej: “Në qoftë se i merrni ato, atëherë ku do të falen shqiptarët e Amerikës?”

At Arturi ishte një dashamirës i madh i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mbështeti veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist. Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.

Ndërsa gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 1991, At Arturi meshoi në shumë qytete të Shqipërisë.

Në emër të komunitetit ortodoks teologu Dhimitër Beduli do t’i uronte mirëseardhjen: “I përndershëm atë Artur, ardhja juaj mes nesh si përfaqësues i Kryeepiskopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe mesha solemne që kryesoni, janë për Kishën tonë Ortodokse Autoqefale dhe veçanërisht për komunitetin ortodoks të Tiranës një ngjarje historike. Meshimi juaj i sotëm më kujton në radhë të parë meshën e parë në gjuhën shqipe që u bë më 22 mars të vitit 1908 në Boston të Amerikës prej të parit prift ortodoks shqiptar Theofan Stilian Nolit si dhe vendosjen prej tij të gurit të parë themeltar për Autoqefalinë e Kishës sonë Ortodokse Shqiptare”.

Kush ishte At Arturi Liolini

At Artur Liolin lindi në Nju Jork në vitin 1943 nga prindër shqiptarë me prejardhje nga Boboshtica e Korçës.

Studimet e larta i kreu në vitin 1967 për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin Princeton, ku u diplomua me (Summa cum laude). Gjithashtu, ka bërë studime në Institutin “Albert Schveitzer” në Zvicër në programin: “Kriza në Qytetërimin Perëndimor,” ku përfshihen një sërë hulumtimesh ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike. Atë Arturi ka shkruar mjaft artikuj rreth çështjes shqiptare.

Në vitin 1970 u dorëzua në gradën priftërore në Boston ku i ka shërbyer popullit shqiptaro-amerikan. Ai ka organizuar Bibliotekën e Fan Nolit, pranë Kryekishës së Shën Gjergjit në Boston. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Në vitin 1991 At Arturi bëri udhëtimin më të rëndësishëm të jetës së tij, në 22 qytete të Shqipërisë.

Ka udhëtuar në Shqipëri edhe dy herë të tjera për të qartësuar pozicionin e kolonisë amerikane në çështjen e Kishës Ortodokse Autoqefale.

Ishte i martuar dhe la pas tre fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë