Parlamenti kishte sot një axhendë të vakët, ku çështja më kryesore në rendin e ditës ishte votimi i dy anëtarëve të KQZ-së, i dy emrave të propozuar nga ana e Partisë Socialiste, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri, pasi pikat e tjera ishin ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Mazhoranca votoi me 74 vota në favor të këtyre kandidaturave për në KQZ. Pas votimit, të dy anëtarët bënë betimin përpara deputetëve, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se dy vendet e tjera të anëtarëve i takojnë opozitës, duke e ftuar kryedemokratin Lulzim Basha që të plotësojë këto dy vendeve vakante. Ai i kujtoi PD-së se ka dy dhe jo një vend siç kishte deklaruar kryedemokrati.
Mazhoranca mblidhej pas një furtune politike brenda kampit socialist. Të shtunën e shkuar u largua ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrejtin social Twitter bëri të të ditur se në vend të tij firmosi propozimin për të caktuar Sandër Lleshin në këtë post.
Seanca ka nisur e vakët, mund të jetë mbase e vetmja herë që kryeministri Edi Rama nuk foli në seancën parlamentare, pasi edhe çështjet e rendit të ditës nuk ishin të nxehta sa për t'i krijuar mundësinë atij për të sulmuar opozitën. Madje ai pjesën më të madhe të seancës nuk ishte i pranishëm dhe u paraqit vetëm në momentin kur do të votohej për pikat e rendit të ditës.
Në seancën parlamentare merrte pjesë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Deputeti i PS-së preferoi të ulej në pjesën e fundit të radhëve të deputetëve të mazhorancës, në krah të deputetit Robert Bitri, i zgjedhur nga LSI, por që tashmë i është bashkuar PS-së. E gjithë vëmendja ishte përqendruar tek Xhafaj, i cili në jo pak raste fliste në telefon.
Xhafaj ka votuar pro për projektligjet në rendin e ditës, duke mos dalë kundër qëndrimit të mazhorancës.
Për shkak të mos dekretimit të ministrit të ri të Brendshëm nga ana e presidentit Ilir Meta, mazhoranca nuk përfshiu në rendin e ditës votimin për shkarkimin e Xhafajt.
Pas mbylljes së seancës Xhafaj gjatë daljes nga sallla e Parlamentit, nuk pranoi të fliste sërish për mediat për arsyet e largimit. "Kam folur aq shumë sa nuk ka kuptim të flas më. Nuk është faji im që nuk kuptoni. Mirupafshim!", do të deklaronte Xhafaj për median.
Mos votimi i Kuvendit i dekretit për shkarkim bën që Xhafaj të qëndrojë sërish në detyrën e ministrit të Brendshëm, kjo derisa sa të votohet pasardhësi. Kjo është e përcaktuar edhe në sanksionimin kushtetues, nenit 106 të Kushtetutës, i cili përcakton vijueshmërinë e punës së kryeminsitrit dhe kabinetit të tij deri në marrjen e detyrës nga zëvendësuesit.
Presidenti Meta firmosi menjëherë për shkarkimin e Fatmir Xhafajt, dekreti u publikua të shtunën në faqen e Presidencës. Ndërsa për dekretimin e Sandër Lleshit në këtë post ka hezituar deri më tani.
Sipas Kushtetutës, Presidenti ka 7 ditë kohë për dekretuar propozimet e kryeministrit për poste ministrash dhe Meta ka ende afat deri të shtunën. Pas kësaj date të shikohet nëse Presidenti është dakort me kandidaturën e Lleshit.
Ndërsa Kuvendi ka dhjetë ditë kohë për të votuar dekretin e presidentit për emërim apo shkarkim ministrash.
Kështu edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga shkarkimi, Xhafaj e mban ende detyrën e ministrit të Brendshëm dhe kjo për shkak të mos dekretimit të ministrit të ri Brendshëm.
Deri në nxjerrjen e dekretit nga ana e presidentit, Kuvendit i duhet të vendosë nëse do ta mbledhë më herët seancë për të votuar dekretet e ministrave ose jo, pasi kjo procedurë lidhet dhe me afatet kohore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.