Ka ndodhur

Shtyhet në 11 mars seanca për shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha

Shtyhet sërish seanca për shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha.

Vendimi do të merret më 11 mars në orën 10.00.

Gjyqtarja Hoxha gjatë seancës ka kërkuar kohë për të përgatitur parashtrimin e saj mbi këtë procedim disiplinor.

“Nuk shoh realisht arsye ligjore për shtyrje sepse avokati ka qenë prezent në çdo seancë dhe ka bërë parashtresën dhe ka paraqitur pretendimet në emër të klientes së tij. Por në kuadër të respektit të gjendjes në të cilën ndodhet magjistratja, tentoj të jem mirëkuptues ndaj kërkesës së saj dhe shprehem pozitivisht, por jo më shumë se disa ditë shtyrja”, është shprehur kreu i ILD-së, Artur Metani për kërkesën e gjyqtares.

Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, duke respektuar të drejtën e magjistrates, është shprehur që seanca e radhës të mbahet më 11 mars.

Mungesa e gjyqtares në mbledhjen e 25 shkurtit të KLGJ shkaktoi debate mes anëtarëve të këtij institucioni dhe kreut të ILD, Artur Metani. KLGJ i kishte kërkuar drejtorisë së burgjeve që të bënte të mundur prezencën e gjyqtares, por ajo kishte kërkuar që seanca të shtyhej.

Më 2 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e gjyqtares Hoxha për të dalë nga qelia, por la në fuqi masën “arrest me burg” ndaj saj, avokatit Aldo Tabaku, kryesekretares Manuela Mallkuçi dhe shtatë të tjerëve, të dyshuar për “korrupsion”.

Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, u arrestua me urdhër të SPAK për veprën penale të korrupsionit më 11 shkurt së bashku me disa zyrtarë të tjerë të kësaj gjykate të akuzuar për korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë