Ne rrjet

Shtrimi në spital dhe bastuni, Mbretëresha Elizabeth ngadalëson, por nuk ndalet

Si është në të vërtetë mbretëresha? Thashethemet për shëndetin e Elizabeth po ndjekin njëra-tjetrën në Londër, pasi sovranes iu desh të hiqte dorë të martën "me keqardhje" për të marrë pjesë në COP26, konferencën e OKB-së për klimën që hapet të dielën në Gllazgou të Skocisë.

Dhe kjo, pasi kishte kaluar një natë në spital javën e kaluar: një rrethanë që Buckingham Palace ishte përpjekur – pa sukses – ta mbante sekret, por që tabloidët e palodhur britanikë ia kanë zbuluar publikut.

Është e vërtetë që edhe të martën Elizabeth u shfaq e buzëqeshur në një audiencë virtuale me ambasadorët: fustan i verdhë, gjerdani me perla, mbretëresha kishte treguar atë “humorin e mirë” që vazhdojnë t’i atribuojnë këto ditë.

Por është e qartë se mjekët e mbretërisë kanë mbajtur një qëndrim të kujdesit ekstrem. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një zonjë 95-vjeçare, e cila nuk i ka lejuar vetes as edhe një moment pushimi në “karrierën” e saj.

Këmbana e alarmit kishte rënë që javën e kaluar, kur Elizabeth anuloi në minutën e fundit - krejt e pazakontë - një vizitë të planifikuar prej kohësh në Irlandën e Veriut. Mjekët e kishin këshilluar për disa ditë pushimi, pasi ajo kishte marrë pjesë tashmë në 19 angazhime zyrtare në tetor dhe në fund priti një grup investitorësh në Windsor - përfshirë Bill Gates - në këmbë dhe duke shtrënguar duart për gati një orë.

Kështu, nga një kujdes i tepruar, Elizabeth u dërgua në spitalin e Londrës për “ekzaminime paraprake”, pasi u shfaqën simptomat e para të të ftohtit.

Sipas versionit zyrtar, ajo u mbajt aty brenda natës vetëm për arsye praktike, pasi ishte tepër vonë për ta kthyer në Windsor. Por vendimi për të anashkaluar COP26, është cilësuar një "masë paraprake e ndjeshme", jo diçka për shkak të një sëmundjeje.

Në përgjithësi, mbretëresha nuk vuan nga ndonjë problem shëndetësor të veçantë, përveç dhimbjeve të shpinës dhe gjurit. Por së fundmi, asaj i është dashur të bëjë disa tolerime për moshën e saj padyshim të nderuar: këtë muaj ajo u pa duke ecur në publik e mbështetur në një shkop për herë të parë dhe u mësua se, me këshillën mjekësore, hoqi dorë nga zakoni i koktejlit të ‘Martinit’ në mbrëmje.

Por për sa i përket humorit, ajo mbetet e paepur: sapo ka refuzuar çmimin “E moshuara e Vitit”, duke shpjeguar se “të gjithë janë aq të vjetër sa ndihen” dhe se nuk e konsideron fare veten të moshuar.

Dhe për të thënë të vërtetën, muajt e fundit Elizabeth ishte shfaqur në formë të shkëlqyer, pavarësisht mbajtjes së zisë për humbjen e bashkëshortit të saj, princit, Filip në prill.

Në mbledhjen e G7-ës në qershor në Cornwall, ajo kishte eklipsuar liderët botërorë me guximin e saj dhe së fundmi kishte folur për çështjet e klimës në stilin e Greta Thunberg.

Me pak fjalë, në muzgun e mbretërimit të saj, sovrania duket se ka fituar atë butësi të shpirtit që ajo duhej të abdikonte që nga ngjitja në fron.

Përveç kësaj, etika e saj e punës dhe përkushtimi ndaj Mbretërisë do të thotë se ajo as nuk mendon të ndalojë. Por nuk ka dyshim se Elizabeth do t'i duhet të zvogëlojë përpjekjet tani e tutje, edhe sepse vitin e ardhshëm e presin festimet e mëdha për jubileun e “Platinumit”, ai i 70-vjetorit të mbretërimit të saj në Mbretërinë e Bashkuar. Një moment historik që synon ta presë me shëndet të shkëlqyer.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë