Treg

Shtohen kultivuesit afrikanë të kanabisit

Kur ai ishte fëmijë, prindërit e Lauben Kabagambe në Ugandën perëndimore zienin gjethet e kanabisit për të kuruar kafshët e sëmura. “Unë u rrita me informacionin se ai ishte një ilaç”, thotë ai. Tani si pronari i “Industrial Hemp”, një kompani ugandaneze e kanabisit, ai kultivon hashash në një serë të kontrrolluar me kompjutera e në partneritet me një filial të “Together Pharma”, një firmë farmaceutike izraelite. Në prill ata eksportuan 250 kilogramë kanabis për në Izrael e ky ishte malli i parë komercial që dilte nga kjo kompani jashtë kufijve të Ugandës.

Afrikanët kanë pirë mariuanë me gjenerata. Gjurmë të saj janë gjetur në llullat e shekullit të 14-të të Etiopisë. Në kohërat e kolonisë përdorimi i saj ishte i ndaluar nga kisha e nga shteti. Por tani qeveritë nuhasin një oportunitet. Që prej 2017-s pesë vende afrikane e kanë legalizuar kultivimin e kanabisit për qëllime mdeicinale apo industriale.

Lulet e mariuanës së rritur në Uganda përmbajnë nivele të larta të CBD-së, një kimikat që përdoret në vajrat terapeutikë. “Është më e lirë ta kultivosh në vendet afrikane”, shprehet Nir Sosinsky drejtues ekzekutiv i “Together Pharma” duke përmendur faktin e rrogave të ulëta dhe ujit me bollëk.

Kanabisi i kultivuar në “Industrial Hemp” thuajse nuk përmban THC, ingredienti që jep efektin sikur ndihesh lart (ose ndryshe në terminologjinë angleze “high”). Të mbjellat e kësaj bime mund të përdoren për ushqim, litar, tekstile e madje e për beton. Zorodzai Maroveke, një dentiste nga Zimbabue u ndesh me mariuanën kur ajo bleu një fustan nga Kina e bërë nga një fibër e çuditshme e quajtur “ma”. “Unë nuk e dija se çfarë ishte kjo, kështu që m’u desh të shkoja online dhe sapo bëj kontrrollin e parë për këtë fjalë, foto të mariuanës nisnin të më dilnin në rezultatet e kërkimit”, shprehet znj. Maroveke.  Tani ajo po kultivon mariuanën e parë legale të Zimbabues në afërsi të një prone që i përket burgut shtetëror të vendit. Hapësira është e mirë për arsye sigurie si dhe puna në bujqësi i jep mundësi që të gjejnë një punë e të paguen mirë gjithë të ish-burgosurit.

Boniface Kadzamira, një politikan nga Malaui, shprehet se thuajse i tërë parlamenti në fillim nuk ishte dakort me të kur ai propozoi në fillim legalizimin e mariuanës. Drejtuesit e partive të ndryshme si dhe anëtar të kishave të vendit i kërkuan atij që të shpjegonte veten. Madje në zgjedhjet e ardhshme ai humbi vendin e tij në parlament.

Por me kalimin e kohës një ndryshim politik po vërehet në disa prej vendeve të Afrikës që duket se po ndjekin ideologjinë liberale të vendeve të pasura. Kjo ka krijuar hapësirë për një treg me rritje të shpejtë për kërkesë të produkteve të kanabisit. Firmat afrikane kanë avantazhin që të jenë furnitorë me kosto të ulët drejt botës, shprehet John Kagia i “New Frontier Data”, një firmë kërkimi me bazë në ShBA. Në Afrikën jugore kanabisi mjaft mirë mund të mbushë hapësirat boshe të lëna nga rënia e eksportit të tobakos. Por liçensat e shtrenjta dhe standartet strikte kanë mbyllur e nxjerrë jashtë loje shumë biznese nga tregu i kanabisit për arsye medicinale. Mariuana për arsye industriale, në kontrast me atë për qëllime medicinale, ka me pak barriera hyrjeje. Zoti Agyemang po regjistron fermerët ganez të cilët kishin kohë që po kultivonin hashash.

Ndërsa përdoruesit e mariuanës për arsye rekreacionale do të duhet që të presin. Rreth një e treta e përdoruesve të kanabisit janë Afrikanë (madje lloje të mariuanës si “Malawi Gold” tymosen anembanë botës). Por veçse në shtetin e Afrikës së Jugut ku një gjykatë vendosi se ndalimi i përdorimit të mariuanës përbënte kufzim ndaj të drejtave të njeriut është e ligjshme ta tymosësh e kultivosh. Legalizimi i plotë i mariuanës në të tërë kontinentin afrikan e kontinentet e tjera mbetet akoma një ëndërr.    

Ky artikull është marrë nga "The Economist" dhe është përshtatur nga Gazeta “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë