Lajme

Shtetësia e Nderit, si kosovarët po marrin pasaportë shqiptare

Dekadën e kaluar, radhët e gjata jashtë ambasadave europiane ishin pamje normale në kryeqytetet anembanë Ballkanit, pasi qytetarët e ish-Jugosllavisë dhe ata të Shqipërisë postkomuniste nxitonin të merrnin një vizë për të udhëtuar në Perëndim.

Por këto radhë shihen ende sot në Prishtinë, ndërkohë që Kosova jeton në izolimin prej gati 10 vitesh, pasi fqinjëve të saj iu është dhënë e drejta për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Europian.

Megjithatë, jo të gjithë shqiptarët e Kosovës duhet të presin në radhë. Kryeministri, Ramush Haradinaj, nuk ka nevojë për vizë dhe kjo gjë nuk është çudi. As gruaja e tij; dy fëmijët e ish-kryeministrit, Isa Mustafa; djali i presidentit, Hashim Thaçi; shumë deputetë dhe ish-deputetë, si dhe një numër familjarësh të ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Të gjithë ata i bashkon një fakt: janë shtetas nderi të Shqipërisë. Praktika e dhënies së pasaportave për qytetarët që konsiderohen si persona me “interes të veçantë” është e zakonshme nëpër botë, shpesh si mënyrë për t’i nderuar figurat e njohura politike, për të shpërblyer ndonjë investim madhor ose për të forcuar ndonjë ekip sportiv, kombëtar.

Megjithatë marrja e nënshtetësisë shqiptare është kthyer për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës në mënyrën e vetme për të udhëtuar pa viza drejt Europës ose si mjet për të vizituar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat janë rreth 80 prej 193 shteteve anëtare në OKB.

Shumë nga këto pasaporta e përmbushin kriterin e “interesit të veçantë”, artistë, sportistë, aktivistë të OJQ-ve dhe personalitete që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Shqipëri. Për disa të privilegjuar pasaporta shqiptare është thjesht një kujtim, një simbol i përkatësisë së tyre ndaj një kombi shqiptar, por për të tjerë është mënyra e vetme për t’i shpëtuar izolimit.

11 vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, shqiptarët e Kosovës janë ende në pritje të së drejtës për të udhëtuar lirshëm në Schengen. Në qershor të vitit 2018, Komisioni Europian bëri të ditur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave, më i rëndësishmi nga të cilët ka qenë ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi dhe forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimi tani mbetet në dorë të 28 shteteve anëtare të BE-së. Ai u shty disa herë për shkak të hezitimit të disa vendeve anëtare të BE-së për t’i hapur dyert një fluksi të mundshëm emigrantësh nga Kosova.

BIRN ka siguruar një listë me emrat e shqiptarëve të Kosovës të cilëve u dhënë shtetësia shqiptare që nga viti 2000. Që nga koha kur BE hoqi vizat për Shqipërinë, numri i marrjes së nënshtetësisë shqiptare është rritur. Nga 733 raste të marrjes së pasaportës shqiptare nga personat me interes të veçantë që nga viti 2000, 564 erdhën, pasi Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Në vitin 2008 ishin vetëm tri raste, ndërsa në vitin 2012 ishin 72, kurse rekordi u arrit në vitin 2018 me 119 raste.

Lista përbëhet nga emra të njohur biznesmenësh, gazetarësh, aktivistësh të shoqërisë civile, artistësh dhe sportistësh nga Kosova.

“Pas liberalizimit të vizave, ne u përballëm me rritjen e kërkesa për marrjen e nënshtetësisë, sidomos nga qytetarët nga Kosova”, thotë ish-ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj.  “Të jem i sinqertë, rritja e kërkesave ishte logjike dhe, nëse kërkesa nuk binte ndesh me ligjin, ne e kishim detyrim t’i mbështetnim bashkatdhetarët tanë”.

Lista megjithatë përfshin një numër individësh të lidhur me politikën, si Anita Haradinaj, gruaja e kryeministrit të Kosovës, e cila e mori shtetësinë me meritë të veçantë në vitin 2017, në të njëjtën kohë me burrin e saj; Endrit Thaçi, djali i presidentit Hashim Thaçi, i cili mori nënshtetësinë shqiptare në maj të vitit 2018; Afërdita dhe Besnik Mustafa, vajza dhe djali i ish-kryeministrit, Isa Mustafa, të cilët e morën nënshtetësinë shqiptare në janar të vitit 2018, si dhe 15 anëtarë të familjes Pacolli.

Ramush dhe Anita Haradinaj

Në një kohë kur mund të jetë e argumentuar se disa politikanë e biznesmenë i plotësojnë kriteret për shtetësi në bazë të ‘meritave të veçanta’, nuk ka asgjë në ligj që thotë se këtë trajtim duhet ta kenë automatikisht edhe anëtarët e familjeve të tyre. Arsyeja specifike pse dikush mund ta meritojë shtetësinë e nderit – pse Shqipëria i sheh ata si ‘interes i veçantë’- është konfidenciale, duke e bërë kështu të pamundur të përcaktohet, nëse anëtarët e familjeve të politikanëve i kanë marrë pasaportat si rezultat i punës apo lidhjeve të tyre.

Anita Haradinaj thotë se e ka marrë nënshtetësinë shqiptare për shkak të punës së burrit të saj.

Intervistat me disa nga ata që kanë marrë shtetësinë shqiptare, njerëz që kanë aplikuar dhe burime nga qeveria flasin për një proces me shumë pak udhëzime të qarta se si të aplikohet për shtetësi dhe si jepet ajo, por edhe për një mungesë të dukshme transparence.

 “Si është e mundur që merita e veçantë e dikujt të mbetet çështje private?” thotë Spartak Ngjela. “Këtu nuk është në pyetje vetëm ligji për Informacionin, por edhe moraliteti i shtetit”, shton ai.

Sipas ligjit shqiptar, vetëm presidenti ka autoritetin për të dhënë nënshtetësinë e nderit, zakonisht pas një propozimi nga një ministri specifike e qeverisë – shpesh ajo e Kulturës dhe Sporteve ose ajo e Ekonomisë.

Presidenti është i obliguar të sigurohet vetëm që kandidati nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. Duket se nuk ka mbikëqyrje të pavarur të procedurës, Ngjela thotë se mungesa e udhëzimeve, transparencës ose mbikëqyrjes nënkupton se ligji lë mundësi për abuzime.

“Si mund të mos dyshojë dikush se ky proces iu është nënshtruar pazareve?” pyet ai.

“Ne kemi vetëm një nen në ligj për këtë çështje dhe tërë procesit i mungojnë detajet”.

Është e qartë se dhënia e shtetësisë në këtë mënyrë është e drejtë e presidentit, por institucionet e tjera mund ta mbikëqyrin procesin, siç është Akademia e Shkencave për shembull”.

Në pjesën e listës së personaliteteve të Kosovës që kishin marrë nënshtetësinë shqiptare mbizotëron mbiemri Pacolli.

Behgjet Pacolli

I njohur gjerësisht si një nga shqiptarët më të pasur në botë, Behgjet Pacolli zotëron firmën e ndërtimit Mabetex të regjistruar në Zvicër dhe që nga shtatori i vitit 2017 mban postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Nga më shumë se 700 personat që kanë marrë nënshtetësinë e nderit që nga viti 2000, së paku 15 kanë mbiemrin Pacolli. Duke filluar nga viti 2015, kur Bujar Nishani ishte President i Shqipërisë, vëllai i Pacollit, Selimi, gruaja dhe tre fëmijët e tij, katër kushërinj, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes kanë përfituar nënshtetësinë shqiptare.

I pyetur pse ka pranuar një numër kaq të madh shtetësish për familjen Pacolli, Nishani tha se ata janë propozuar nga ministra të qeverisë socialiste të Edi Ramës mbi bazën se kjo familje konsiderohet “investitor strategjik” në Shqipëri.

Mabetex, e cila kontrollohet dhe menaxhohet nga familja Pacolli, ka plan për të ndërtuar një resort turistik në Parkun Kombëtar të Karavastasë në Divjakë, por projekti pret miratimin e autoriteteve dhe përballet me kundërshtime të mëdha nga ambientalistët.

I pyetur për shtetësinë e tij, Selim Pacolli, i cili është bërë zëvendëskryetar i bashkisë së Prishtinës në dhjetor të vitit 2017, thotë se: “Do duhej kohë e gjatë për t’i listuar të gjitha kontributet që familja e im ka dhënë për shtetin amë. Arsyeja pse kam aplikuar për këtë pasaportë, është që të kemi një dokument kombëtar me shqiponjën në të”.

Ai, gruaja dhe fëmijët e tij nuk e kanë problem lirinë e lëvizjes në Europë, meqë kanë edhe shtetësi zvicerane.

“Është e tmerrshme që shtetasit e Kosovës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në Europë, por përgjigjja për të duhet të kërkohet në institucionet më të larta shtetërore”, thotë Selim Pacolli.

I pyetur për shumë nga të afërmit e tij që kanë marrë shtetësi shqiptare, Behgjet Pacolli tha se ata kanë marrë pasaporta shqiptare se e kanë për krenari.  Vetë Pacolli e ka marrë shtetësinë shqiptare në prill të vitit 2018. Ai gjithashtu ka edhe pasaportë zvicerane.

Nishani tha se në rreth 80 për qind të rasteve që përfshijnë shqiptarët e Kosovës, nënshtetësia iu është dhënë futbollistëve dhe shpjegoi se ata ishin të shumtë në dy ose tri vitet e fundit të presidencës së tij. “Disa nga ata ishin sportistë të mëdhenj, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare, për shkak se pasaporta kosovare nuk njihej, të tjerë ishin artistë të ndryshëm, të cilëve iu dha nënshtetësia me kërkesë të Ministrisë së Kulturës”, tha Nishani. “Disa ishin politikanë të rëndësishëm, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në emër të Kosovës në aktivitete të rëndësishme politike. Jam krenar për të gjitha rastet që kam dhënë nënshtetësinë shqiptare për shqiptarët e Kosovës dhe më vjen keq që nuk kam mundur t’iu jap shtetësi të gjithë atyre që e kanë kërkuar, sepse ligji fatkeqësisht kishte disa kufizime”, thekson ai.

Nishani mohoi që procesit t`i mungonte transparenca, duke thënë se procedurat ishin qartësisht të garantuara në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. I pyetur nëse sistemi po përdorej vetëm në interes të njerëzve të fuqishëm, Nishani u përgjigj se : “Nëse me njerëz të fuqishëm nënkuptoni ata që janë anëtarë apo përfaqësues të institucioneve shtetërore në Kosovë, atëherë mendoj se kjo e ndihmon lëvizjen e tyre të lirë për të përfaqësuar shtetin dhe popullin e Kosovës dhe kjo është gjë e mirë”.

Shtyrja e procesit

Në intervista me disa shqiptarë të Kosovës që kanë marrë shtetësinë shqiptare ose janë në proces të aplikimit disa thanë se fuqia e raporteve personale ka luajtur rol të rëndësishëm. Disa thanë se iu është dashur të kenë rekomandim mbështetës nga një institucion publik, të tjerë e morën pa pasur mbështetje. Për disa procedura ishte e ngatërruar.

“Kam dëgjuar dhjetëra raste, në të cilat shtetasit e Kosovës kanë marrë nënshtetësinë në mënyrë të përshpejtuar. Unë them se procesi është i papërshtatshëm dhe pa meritokraci”, thotë Alba Alishani, një gazetare e lindur në Kosovë, por që jeton në Shqipëri.  

Në vitin 2010, Flamur Vezaj, një gazetar shqiptar nga Kosova, kërkoi nga Ministria e Kulturës ta rekomandojë te presidenti që t’i jepej shtetësia e ‘meritës së veçantë’ për kontributin e tij në gazetarinë shqiptare.  Por, pas pesë muajsh pritjeje pa një përgjigje nga zyra e Presidentit, Vezaj vendosi të përshpejtojë procesin dhe kërkoi përmes miqve të përbashkët të takojë sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës, tashmë të ndjerin Aleksandër Flloko.

“E takova dhe i kërkova që propozimi të miratohet,” thotë ai. “Besoj se sikur të mos e kisha takuar, rasti im do të mbetej në arkiv”.

Pse e mora nënshtetësinë shqiptare?

Luan Shllaku, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Kosova ka marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 2012.

“Kërkesa ime erdhi kryesisht për shkak të pamundësisë për të udhëtuar në disa vende

europiane, të cilat nuk e njohin pasaportën e Kosovës. Arsyeja e aplikimit kishte të bënte me angazhimin tim të drejtpërdrejtë në një projekt të Fondacionit për Shoqërinë Hapur në

Prishtinë, i cili kërkonte të intensifikoheshin marrëdhëniet mes Kosovës dhe shteteve që ende nuk e kanë njohur”, thotë ai.

Edi Shukriu, shkrimtare dhe arkeologe, ka marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 2012, bashkë me vajzën e saj Erleta Hoti.

“Morën nënshtetësinë shqiptare, sepse ndjekja e procedurave të Schengen-it ishte shumë e kushtueshme dhe na merrte shumë kohë”, thotë ajo.

Alban Muja , një artist nga Kosova ka marrë nënshtetësinë shqiptare në vitin 2015.

“Ishte një kombinim i dëshirës dhe nevojës. Dëshirë, sepse jam shqiptar dhe  deri në kohën që kam marrë pasaportën e Shqipërisë, kam qenë dhe jam një shtetas krenar i Kosovës.

Tani kam dy shtetësi. Sa i përket nevojës, siç e dini, qytetarët e Kosovës ose shumica e qytetarëve të Kosovës që janë shqiptarë, janë padrejtësisht të dënuar të mos udhëtojnë lirshëm dhe jetojnë gati në izolim. Kjo është pasojë e politikës në Kosovë, por gjithashtu edhe për shkak të kushteve të padrejta që i janë vënë Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave. Unë jam artist dhe udhëtimi është themelor”, thotë ai. /Birn/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë