Vende dhe Udhetime

Shtatë magjitë e rivierës  franceze

Në juglindje të Francës, brigjet e mbushur me jahte, qytezat mbi shkëmbinj dhe fshatrat e fjetur të peshkimit ngrohen nën diellin mesdhetar. Zbuloni luksin dhe bukurinë e rivierës në shtatë qytete

Kanë

Ndërsa njihet për shkëlqimin dhe glamour-in e të përvitshmit Festival të Kanës, brenda kufijve të qytetit shtrihen qindra vite histori. Disa mendojnë se Kana e ka marrë emrin nga kallamat që dikur mbulonin brigjet e tij dhe se,  Napoleoni fushoi në dunat e tij gjatë kthimit nga Elba. Më 1834-ën, qyteti nisi transformimin nga një fshat i qetë peshkimi në një qytet-resort, kur pasaniku Lord Brougham pushoi në Kanë,  gjatë epidemisë së Kolerës në Nisë. Pasi u magjeps nga fshati, ndërtoi një vilë luksoze dhe e vizitoi çdo dimë,  për 34 vjet.

Menton

Gjendet pranë kufirit italian, dhe thuhet se gjiri i tij është më i ngrohti në rivierën franceze, gjatë dimrit. Qyteti është i famshëm për pemët e qitros, që bëhen kryefjalë gjatë të përvitshmit Fête du citron (Festivali i Limonit). Afro 140 ton limonë dhe portokaj vendosen në korniza teli dhe marrin formën e skulpturave gjigante nëpër qytet.

Nisë

Qyteti-port i Nisës është kryeqytet i departamentit të Alpeve Detare (Alpes Maritime) , që gjendet afro 20 milje nga kufiri italian. Themeluar nga një koloni detarësh grekë rreth vitit 350 para Krishtit, qyteti mendohet se e ka marrë emrin në nder të një nikē, apo fitoreje mbi një koloni fqinje. Kodrat e bukura të Nisës, gjiret plot jetë dhe rrënojat madhështore kanë frymëzuar artistë të famshëm francezë si Chagall dhe Matisse, të cilët jetuan në qytet, në të njëjtën kohë dhe, veprat e të cilëve qëndrojnë në muzetë vendas.

Pejon

Strehuar mes maleve të Alpeve Detare, fshati i fortifikuar qëndron mbi një shkëmb. Fshati këmbësor përbëhet nga rrugë me kalldrëme, shkallë, shtëpi mesjetare dhe korridore të harkuar.

Vilëfranka mbi det

Themeluar në fillim të shekullit të 14 –të, njihet për gjirin e thellë, qytezën e çuditshme antike dhe radën mbresëlënëse. Për shekuj, ish-porti ushtarak ka shërbyer si i vetmi gji natyror,  në ujërat e thella mesdhetare. Qyteza piktoreske ka qenë skenë për film si “Ronin”, “Dirty Rotten Scoundrels” dhe “Never Say Never Again”.

Antibë

I njohur dikur si Antipolis, ky qytet-port ka shërbyer fillimisht si një postë greke për tregti dhe më pas ra nën sundimin e familjes së pushtetshme Grimaldi mes shekullit të 14-të  dhe fillim shekullit të 17-të. Qysh prej asaj kohe vila Grimaldi është kthyer në një muze që mban vepra të Pablo Picasso-s, i cili qëndroi atje në vitin 1946. Turizmi është sot ekonomia parësore e qytetit falë plazheve, gjireve me jahte dhe parkut shkencor aty pranë, “Sophia-Antipolis”.

Vencë

Mes Nisës dhe Antibës, qyteti i Vencës dhe fshati me mure mesjetare është një udhëtim në të shkuarën. Kur D.H. Lawrence u diagnostikua me tuberkulozë,  u shpërngul në jug të Francës, ku shkroi Apokalipsin, veprën e tij të fundit, më 1929 –ën para se të ndërronte jetë në Vencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë