Treg

Shqiptarët, sa pak karta krediti në duar

Me kulturë të dobët financiare, nostalgjikë ndaj cash-it, jo të mirëinformuar, jemi vendi që përdorim më pak kartat e kreditit në Europë, kemi më pak pika ATM për 100 mijë banorë dhe akses të dobët financiar.

 Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria në 2018-ën kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë ose 16 më shumë se në 2013-ën.

Që do të thotë se kemi përdorimin më të ulët të kartave të kreditit  në Europë.

Nivel të ulët kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Mali i Zi (64) për 1000 banorë, Kosova me 131 dhe Bosnja me 140.

Më mirë në rajon renditen Maqedonia (214) dhe Serbia (202) për 1000 banorë.

Në shtetet e Europës Perëndimore, karta e kreditit është një mjet i domosdoshëm pagese.

Rekordin në Europë e mban Norvegjia, me 1,592 karta për 1,000 banorë, pra mesatarisht çdo banor ka më shumë se një kartë, e ndjekur nga Spanja (1,287), Suedia (1,062).

Të dhëna e FMN-së tregojnë se Shqipëria është përkeqësuar në shtatë nga dhjetë treguesit që studion Fondit Monetar Ndërkombëtar për Aksesin Financiar për vitin 2018.

Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte.

Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë.

Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për 100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi (87).

Të dhënat treguan se numri i automateve është 30.43 për 100 mijë të rritur, ndërsa treguesi i mëparshëm ishte 30.47.

Treguesi i dytë me rënie është ai i degëve komerciale të bankave për 100 mijë të rritur. Nga 20.56 që ishte në vitin 2017, ky tregues, sipas FMN, në vitin 2018 është regjistruar 30.43.

Numri i depozituesve në bankat komerciale për 1000 të rritur ishte 1.085 në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 ishte 1.033. Numri i huamarrësve nga bankat për 1000 të rritur rezulton 139.18 për vitin 2017, ndërsa ishte 137.51 vitin e shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë