Njerez

Shqiptarët po pakësohen dhe po plaken. Popullsia ra me 1.1% në 2022-shin

Nga Gazeta 'SI' - Gjatë vitit 2022 popullsia e Shqipërisë është ulur me 1.1%, duke rezultuar në 2.761.785 banorë në janar 2023.

Një faktor kryesor i këtij reduktimi rezulton emigracioni. INSTAT tregon se 46.5 mijë shqiptarë e lanë Shqipërinë gjatë vitit të shkuar, rreth 11% më shumë se në vitin 2021.

Por në rritje ka rezultuar edhe numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë, imigrantët, me rritje 52%  nga viti në vit, ose rreth 14 mijë persona. Gjithsesi migracioni neto (imigrantë-emigrantë) vazhdon të jetë negativ, -32.5 mijë banorë.

Nga ana tjetër, edhe në mënyrë natyrore, shtimi i popullsisë duket pasiv, ku numri i vdekjeve është pothuajse i njëjtë me atë të lindjeve. Gjatë vitit 2022, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje, që është niveli më i ulët historik, me përjashtim të periudhës së pandemisë.

Një tjetër tregues pesimist nga shifrat e popullsisë së Shqipërisë është mosha e cila po rritet shpejt nga viti në vit. Për 2022-shin, mosha median e popullsisë rezulton 38.8 vjeç kur në vitin paraardhës ishte 38.2 vjeç.

Po ashtu, raportet fëmijë/të rinjë dhe të rinjë/të moshuar kanë pësuar ndryshime negative. Ka më pak fëmijë për të rinjë dhe më pak të rinjë për të moshuarit. Raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24 % në 23.8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23.1% në 24.4% gjatë të njëjtës periudhë.

 Një rënie të thellë ka pësuar edhe numri i meshkujve në Shqipëri, ku nga 98.6 meshkuj për 100 femra, rezulton 98, një rënie me mbi 20 mijë. Kjo mund të lidhet edhe me shifrat e emigrimit, ku kryesisht janë meshkujt ata që largohen.

Raporti gjinor në lindje pësoi rënie të lehtë, duke shënuar vlerën 107.4 në vitin 2022, nga 107.6 që ishte në vitin 2021.

Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9.3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21.3%, krahasuar me një vit më parë.

Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.

Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33.,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10.5% dhe 9.8% përkatësisht.

Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1.9% deri 4.1% të popullsisë gjithsej.

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë  me 0.6%.

Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër , 3.6%, Berat 3.1% dhe Dibër 2.9%.

Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi 33.7%, ndërsa qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë është Gjirokastra me 28%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë