Jete & Stil

Shqiptarët i zgjidhin problemet në çift duke shkuar veç e veç në terapi

Tradhëtia, mungesa e kalimit të kohës sabashku, mosinteresimi seksual te partner i dhe në përgjithësi mungesa e komunikimit, janë ndër problemet më të shpeshta me të cilat partnerët shqiptarë paraqiten për terapi çifti. Pavarësisht se krizat mund të jenë të thella, e veçanta e stilit shqiptar të terapisë së çiftit është se partnerët nuk shkojnë bashkë te specialisti, por veç e veç. Psikologë klinikë, psikoterapistë dhe këshillues familjeje i thanë Gazetës “Si” se arsye kryesore pse çiftet paraqiten veç e veç mund të jetë kultura e munguar, çka bën që shqiptarët më shumë preferojnë t’i rrëfehen një të “panjohuri” sesa t’i pranojnë problemet e tyre në sy të partnerit.

Anxhela Peza, psikologe klinike dhe këshillimi tregon për Gazetasi.al se tani që roli i psikologut është i pranishëm kudo, qasja e shqiptarëve për terapinë në çift ka ndryshuar. Ndoshta jo në formën klasike të terapisë në çift.

Anxhela Peza, psikologe klinike dhe këshillimi

“Sipas përvojës klinike sigurisht më së shumti në numër janë individë, që e kërkojnë ndihmën e psikologut për problemet në çift, individualisht. Më pas mund të rekomandohet terapia në çift, me propozim të psikologut ose kërkesën e palëve”, tregon Peza.

Arsyet ‘pse’ i shpjegon Mimoza, një 35-vjeçare nga Tirana e cila tregon për Gazetasi.al se ajo ka shkuar në disa seanca individuale sepse bashkëshorti i saj nuk pranon “të tregojë hallet e shtëpisë tek të huajit”. Ajo thotë për Gazetasi.al se problemet me bashkëshortin e saj janë të shumta dhe deri diku të pazgjishme, aq më shumë kur kultura nuk “e lejon” njërën palë të kërkojë ndihmë dhe e mesmja e artë është zgjidhja e problemeve në çift, me terapi individuale.

“Rrëmbimi i një problemi që lind në çift bën të mundur të mos mendohet si alternativë vajtja tek psikologu”, thotë Peza e cila tregon se shumë çifte nuk dëshirojnë më të jenë bashkë dhe i japin fund raportit të tyre dhe pa asistuar ndihmën tek psikologu. Madje dhe në gjykata i refuzojnë seancat e pajtimit. Në vendimin për ndarje partnerët kanë një zemërim të madh i cili nuk i lejon ata të shohin alternativa të tjera. Në vetvete bëhet qëllim ndarja, zhdukja apo forma të tjera në asgjësimin e problemit. Nuk bëhet zgjidhja e formave për të qëndruar sëbashku, për të rregulluar atë që ka vite për të cilën investohet.

Ato çifte që duan të shpëtojnë marrëdhënien e tyre dhe drejtohen tek psikologu kanë deri diku të njëjtat shqetësime ku kryesojnë problemet me mirëkuptimin dhe komunikimin.

“Ka raste të tradhtisë në çift, të një fëmije me problematika. Por nuk mungojnë rastet kur njëri nga partnerët zhvillohet më shumë nga ana intelektuale apo profesionale dhe tjetri mbetet pas, kjo krijon perceptime të ndryshme për jetën”, tregon Peza. Sipas saj, edhe vitet e shumta në një martesë, krijojnë shpeshherë monotoninë në raport, qoftë ky dhe intim. Është e vështirë të mbash gjallë ngacmimin emocional pas shumë kohësh.

Psikoterapistja Klodjana Gjika tregon se psikoterapia në Shqipëri po merr një ritëm më të shpejtë.

“Më shumë njerëz po kërkojnë psikoterapi. Më së shumti janë persona që kërkojnë terapi individuale, por ka dhe raste të cilët kërkojnë terapi në çift apo dhe në grup”, thotë Gjika për Gazetasi.al.

Ajo tregon se tani njerëzit po shkojnë drejt psikoterapisë disi më mëndjehapur se më parë. Kjo shikohet më së shumti në psikoterapinë individuale.

“Për terapinë në çift mendoj se është pak më e vështirë pasi nuk është e lehtë për kushtet tona ekonomike, kulturore, po aq dhe vështirësitë personale që secili individ ka për të marrë një vendim të tillë”.

Gjika thotë se zakonisht kur ka problematika në çift, mundet që të dy partnerët të identifikojë njërin mes tyre i cili duket më problematik, ndoshta duke e vendosur në pozita faji apo përgjegjësie dhe kështu mendohet mundësia e terapisë individuale vetëm për njërin prej tyre.

Klodjana Gjika, psikoterapiste

“Këtu mund të them, se shumë prej pacientëve që vijën në terapi individuale vijnë me problemet e tyre në çift”.

Ato aty shpalosin marrëdhënien e tyre, shqetësimet, ngecjet që kanë me partnerin. Por me rëndësi këtu është që dhe nëse njëri nga partnerët përfshihet në një proces terapeutik, marrëdhënia në çift pëson një ndryshim pozitiv. Kjo është parë dhe në dinamikat e përgjithshme në familje, sipas Gjikes, që do të thotë se nëse vetëm njëri pjesëtar i familjes bën terapi, diçka e rëndësishme ndodh dhe në dinamikat në familje.

“Është sikur e gjithë familja futet në një proces minimal terapeutik”.

Gjika i shikon shumë shqetësime në çift si gjendje të mbledhura nga e kaluara edhe pse janë të vendosura në kohën e tashme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë