Politike

Vdes John McCain, shqiptarët humbën një mik

Në ditët e para të prillit të vitit 1999, kur bombardimet e NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe administrata e Bill Clinton kishin pak ditë që kishin nisur mbi Serbinë për krimet e saj në Kosovë, John McCain ishte i vetmi zë i qartë brenda republikanëve.

Republikanët në ato momente ishin të ndarë në dy grupe. Grupi më i madh kundërshtonte bombardimet, ndërsa pjesa tjetër nuk i komentonte zhvillimet. Por, McCain mbështeti hapur politikën e presidentit demokrat në atë kohë për të bombarduar Millosheviçin, madje në deklaratat e shumta shkonte edhe përtej bombardimeve.

“Kur i kërkova Presidentit Clinton që të mos përjashtojë ndërhyrjen me trupa tokësore në Kosovë mora përsipër edhe përgjegjësinë se kjo mund të shkaktonte humbjen e jetëve të të rinjve amerikanë në këtë konflikt”, deklaronte Senatori.

Fraza i jepte përgjigjie pyetjeve të shumta të gazetarëve, që qëndrimin e McCain e interpretonin si protagonizëm të tepruar në fushatën e tij për të marrë besimin e republikanëve për të kandiduar si President.

“Ky qëndrim nuk ka të bëjë me fushatën dhe unë nuk e di sa mund ta cenojë fushatën time kjo gjë”, shprehej ai.

McCain ishte zëri i vetëm mes republikanëve që doli hapur në krah të Presidentit Bill Clinton. George W. Bush në atë kohë ishte Guvernator i Teksasit dhe ishte piketuar si kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, por për ndërhyrjen në Kosovë nuk kishte shprehur asnjë qëndrim.

Në shtator të 1999 McCain konfirmon zyrtarisht kandidimin në radhët e republikanëve për të marrë nominimin. Përballë kishte pikërisht George W. Bush, që tashmë e kishte të qartë qëndrimin pro ndërhyrjes në Kosovë.

Fushatën e nisi me premtimin për të reformuar republikanët dhe për t’u dhënë më shumë zë zgjedhësve të pavarur. Karshi George W. Bush fitoi hapjen e garës në New Hampshire, por optimizmi i tij u ndal në Karolinën e Jugut, kur Bush fitoi bindshëm. Në mars të vitit 2000 ai ndodhej shumë pas George W. Bush dhe vendosi që të tërhiqet nga gara, duke i hapur rrugën në krye të Shtëpisë së Bardhë një tjetër miku të shqiptarëve.

Vazhdoi me detyrën e tij si Senator veteran në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ku gjithmonë ishte një zë kumbues, herë edhe i ashpër në qëndrimet për politikën e jashtme amerikane. Gjatë gjithë këtyre viteve, mbeti një mik i shqiptarëve dhe ashtu si pjesa më e madhe e republikanëve dhe demokratëve në Kongresin amerikan përshëndeti pavarësinë e Kosovës.

“Është një hap i madh përpara, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin. Të mos harrojmë që vetëm 11 vite më parë rajoni ishte përfshirë në një konflikt të përgjakshëm dhe pastrimi etnik. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të harrojnë sakrificat që kanë bërë dhe të punojnë për të ardhmen e tyre. Në këtë drejtim, SHBA dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë duke njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaronte Senatori McCain.

Qëndrimin pro shqiptarëve e deklaronte sa herë që në politikën amerikane konsumohej debat për situatën në rajon. Në vitin 2017, si pjesë e një turi ballkanik vizitash u ndal edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

Presidenti Hashim Thaçi i dorëzon medaljen “Urdhri i Lirisë Senatori McCain,  Prishtinë 14 prill 2017

Në Prishtinë u nderua me “Urdhrin e Lirisë”, ndërsa në deklaratat e dhënë ripërsëriste se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, por kërkonte që dialogu me Beogradin të vazhdonte.

Pas Prishtinës ndalesa e radhës ishte në Tiranë. McCain mbante edhe postin e kryetarit të Komitetit të Senatit për Shërbimet Ushtarake dhe vizita në Tiranë u përqendrua më shumë pikërisht tek ushtria. Sipas asaj që shpërndau më vonë Ambasada Amerikane në Tiranë, Senatori “theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS”.

U takua me Presidentin e asaj kohe, Bujar Nishani, me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Këto takime ishin pjesë e agjendës zyrtare të McCain, ndërkohë që jozyrtarisht zhvilloi një takim me pjesëtarët e MEK-ut iranian në Tiranë.

Këtu vlerësoi Shqipërinë për mikpritjen e tyre, ndërkohë që përcolli një mesazh për Teheranin zyrtar, duke deklaruar se një ditë Irani do të jetë i lirë.

John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.

Në vitin 1967 McCain u burgos dhe u torturua pasi u kap rob në Vietnamin e Veriut kur ishte pilot i marinës amerikane. Në sytë e shumë amerikanëve McCain ishte një hero lufte dhe një patriot. Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.

Kohët e fundit ishte një kritik i ashpër i Presidentit Trump për çështje të ndryshme. Ai thoshte se e shihte Presidentin Trump dhe ideologjinë e tij Amerika e Para si një largim nga vlerat dhe tradita e udhëheqjes globale që ai mendonte se mishërojnë Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë