Treg

Festat e Nëntorit shqiptarët i festojnë në… Kinë. Rajoni nuk i josh më

Nga Gazeta ‘Si’ - Pavarësisht ofertave të brendshme nga agjencitë turistike për kremtimin e festave të Nëntorit në Korçë, Dardhë apo Vlorë, shqiptarët edhe kësaj here vijojnë rishtazi ‘traditën’ për të ikur jashtë.

As rajoni nuk është më aq joshës në sytë e tyre.

Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-operatorëve turistikë thotë për Gazetasi.al se të favorizuar nga ditët e shumta të pushimit, shqiptarët, më shumë se arsye për të festuar i shohin këto data si arsye për të udhëtuar.

Këtë vit, festat e Nëntorit sigurojnë ‘një fundjavë të zgjatur’ pesë ditore kryesisht për punonjësit e administratës.

“Rezervimet për të ikur jashtë kanë qenë të shumta dhe gjeografia nuk ka ndryshuar shumë nga vjet. Tipikisht rezervimet më të mëdha, të cilat kanë qenë në trend rritës krahasuar me vitin e shkuar janë për në Stamboll, Paris, Pragë, Vjenë apo Madrid, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se i vetmi trend i ri që vihet re janë edhe disa rezervime për në Shanghai apo Pekin.

I vetmi trend i ri që vihet re janë edhe disa rezervime për në Shanghai apo Pekin, citon Vathi

Gjithashtu, njësoj si vitin e shkuar, Dubai mbetet ende shumë i preferuar edhe këtë vit.

“Linjat direkte të fluturimit por edhe paktetat që në këtë periudhë të vitit, me mbarimin e pikut të sezonit turistik, janë disi më të lira, e kanë bërë të preferuar këtë destinacion për shqiptarët”, thotë më tej Vathi.

Çmimet e paketave vijojnë nga 300-600 euro dhe ditët e qëndrimit janë 3-4 netë. Sipas tur-operatorëve, për festat e Nëntorit shqiptarët përgjithësisht zgjedhin të shpenzojnë më shumë në këmbim të një udhëtimi më cilësor.

Megjithatë, çmimet e biletave janë shtrenjtuar dhe linjat ‘low cost’ nuk janë dhe aq ‘low’.

Edhe pse prej dy vitesh çmimet e biletave për fluturime brenda Europës ishin më të lira për shkak të konkurrencës nga linjat “low cost”, kjo situatë nuk do të reflektohet gjatë periudhës së festave. Ata kanë ardhur duke u shtrenjtuar gati çdo ditë për destinacione të ndryshme dhe kjo rritje duket se do të vazhdojë deri në fund të dhjetorit.

Një biletë vajtje-ardhje për në Romë kushton rreth 200 euro. Biletat mbeten po aq të shtrenjta edhe për destinacione si Gjermania apo Praga, kryesisht deri në 300 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.Vetëm pak ditë më pas, duke nisur nga dhjetori, çmimet e biletave bien në 30euro për destinacione si Milano.

‘Rajoni nuk i grish më si dikur’

Pavarësisht se rajoni, kryesisht Mali i Zi, ka ofruar paketa joshëse dhe çmime ekonomike, interesi nuk ka qenë shumë i lartë këtë vit.

Vathi vëren për Gazetasi.al se zakonisht udhëtimet për në rajon janë familjare dhe qytetarët nuk kanë nevojë për operatorët apo agjencitë turistike pasi janë lehtësisht të aksesueshme.

Sipas disa operatorëve në agjencitë turistike, shqiptarët e kanë ezauruar tashmë pjesën e rajonit dhe grishen që më shumë t’i kalojnë festat gjetkë nëpër Europë.

Por brenda Shqipërisë, Korça kthen në ‘brand’ festat e Nëntorit

Edhe pse Vlora është qyteti simbol i festave të Nëntorit, festat gjithnjë e më shumë po bëhen në Korçë e cila duket se këto vitet e fundit ka qenë në pararojë krahasuar me të në këtë drejtim.

Pavarësisht se ka një tjetër lloj turizmi nga Vlora, rezervimet e qytetarëve për në Korcë janë në rritje krahasuar me vitin e shkuar. Hotelet kryesisht i kanë bërë vetë ofertat për klientët duke përfshirë mbrëmje festive brenda ambienteve apo duke e bërë vetë guidën lokale me anë të mjeteve të tyre transportit për t’i dërguar drejt destinacioneve si Voskopoja apo Dardha.

Bulevardi i Korçës gjatë 28-29 Nëntorit

Çmimet mesatare që po ofrohen në hotelet e Korçës variojnë ca më pak apo ca më shumë nga 3500 lekë në 5000 lekë.

“Rezervimet për të kaluar festat e Nëntorit në Korçë rriten çdo vit por këtë vit ka patur një numër shumë të lartë.Jo vetëm shqiptarë por ka patur edhe të huaj që kanë ardhur me miqtë e tyre nga Shqipëria për të festuar bashkë”, thotë për Gazetasi.al drejtues i hotel “Life Gallery” i cili gjendet afër 2 muzeve, “Muzeu i Artit Oriental Bratko” dhe “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar.”

Operatorë të tjerë të tregut tregojnë për Gazetasi.al se pothuajse të gjithë hotelet i kanë patur dhomat e rezervuara me datë 28 ndërsa me datë 29 dhe 30 do të lëvizin në qytete të tjera në afërsi të qytetit të Korçës, të ndjekur kryesisht nga Përmeti.

Nga agjencia “Travel Club Albania” në Vlorë thonë për Gazetasi.al se përgjithësisht priten më shumë qytetarë nga Kosova të cilët sipas traditës festojnë në “Sheshin e Flamurit”.

Festime në Vlorë

Ata shtojnë se kosovarët shquhen për patriotizmin e tyre dhe ka vite që nuk e tradhëtojnë Vlorën. Për ta Vlora është simboli i këtyre festave, qyteti ku duhet festuar më shumë se kudo tjetër në Shqipëri.

Edhe këtë herë, duket se shqiptarët në dy anët e kufirit do i këmbejnë rolet...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë