Treg

Shqiptarët e përdorin më shumë autobusin se gjithë Ballkani

Të pakënaqur me infrastrukturën rrugore

Shqipëria është vendi që përdor më shumë autobusin si mjet transporti. Kjo konfirmohet nq Barometrin e Ballkanit 2020, ku gjatë anketimit të qytetarëve, rezultoi se 35% e atyre që ishin përgjigjur përdornin autobusin. Mesatarja e rajonit për përdorimin e autobusit është 25 %.

Gjithsesi, në krahasim me një vit më parë (49%) shqiptarët e përdorin më pak autobusin.

Ajo që është interesante në këtë raport në lidhje me perceptimin e qytetarëve për transportin dhe infrastrukturën, është se shqiptarët (6 %) udhëtojnë me avion më shumë se të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Mesatarja e rajonit për këtë tregues është 2%. Por shqiptarët, udhëtojnë me makina private më pak se të tjerët në rajon (46%), teksa mesatarja e rajonit është 60%.

Në rajon qytetarët e Bosnje-Herzegovinës përdorin më shumë makinat private (71%).

Përsa i përket mendimit të qytetarëve në lidhje me cilësinë e transportit, gjysma e shqiptarëve të anketuar mendojnë se cilësia e transportit është e mirë (48%). Kjo e rendit Shqipërinë si vendin e tretë në rajon për kënaqësinë ndaj cilësisë së transportit, në raport me ekonominë e vendit dhe mbi mesataren e rajonit (47%).

Ata që mendojnë se cilësia është e varfër dhe shumë e varfër, janë përkatësisht 38% dhe 11%.

Ajo që vihet re është se më e pakënaqura në rajon është Bosnje-Hercegovina edhe pse shteti ka investuar në përmirësimin e vazhdueshëm të transportit.

Kurse perceptimi që kanë shqiptarët për transportin publik duke e krahasuar me vendet e tjera të Europës Juglindore, është pak më i ulët.

Lidhur me pyetjen "çfarë përmirësimesh në transportin e udhëtarëve do të kishin ndikim më të dobishëm në udhëtimin tuaj", 76 % e shqiptarëve janë përgjigjur se kërkojnë përmirësim të rrugëve. Mbi mesataren e Ballkanit (71%). Bosnje-Hercegovina ka përqindjen më të lartë të pakënaqësisë ndaj infrastrukturës rrugore, me 83% të të pyeturve.

Përsa i përket sigurisë rrugore vetëm 49% e shqiptarëve të pyetur mendojnë se rrugët në Shqipëri nuk janë të sigurta, teksa mesatarja e rajonit është 40%.

Sipas raportit, paragjykimi ndaj transportit rrugor dhe automjeteve në veçanti, vazhdon të rritet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, krahas kënaqësisë së përgjithshme me cilësinë e infrastrukturës, të paktën për pjesën më të madhe të rajonit. Bosnje-Hercegovina është edhe një herë kritiku kryesor i rajonit për cilësinë e infrastrukturës së transportit dhe, rrjedhimisht, sigurinë rrugore.

Vdekjet në rrugët e rajonit mbeten pothuajse sa dyfishi i nivelit të BE-së, çka kërkom veprim të shpejtë dhe vendimtar nga qeveritë e rajonit sipas linjave të Orientimeve të Politikave të BE-së për Sigurinë Rrugore 2011-2020, të cilat kontribuan në një rënie të mprehtë të numrit të viktimave në rrugë ndërmjet viteve 2010 dhe 2018.

Raporti tregon se janë ndërmarrë disa hapa në mënyrë që rajoni të mbyllë hendekun që ka me BE për këtë çështje, të përfshijë zhvillimin e një plani rajonal trevjeçar të inspektimit të rrugëve, me këshilla teknike dhe fonde nga Asistenca Teknike e Komisionit Europian për Lidhshmërinë. Sipas KE, në 2017 pati 81 vdekje për 1 milion banorë në rrugët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa shifra e fundit për BE është 49.

Përmirësimet në rrjetet rrugore do të financohen përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, do të nevojiten më shumë investime në zbatimin më të mirë të rregullave të trafikut, përmirësimin e trajnimit të shoferëve, teknologjitë më të sigurta, reagimin më të mirë emergjent dhe mbrojtjen e përdoruesve të cenueshëm të rrugës.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë