Treg

Transporti urban nis javën e ardhshme pas negociatave me bashkinë e Tiranës

Punonjësit e transportit në protestë, “duam vetëm pagën tjetër të luftës që na është premtuar”

Burime brenda Shoqatave të Shoqërive të Transportit publik zbulojnë për gazetën “Si” se janë ulur në një takim me kreun e Bashkisë Tiranë dhe kanë rënë dakord për pjesën e plotësismit të kërkesave që varen nga bashkia. Por Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar të flasë me përfaqësues të shoqatave ende, me gjithë kërkesën e këtyre të fundit.

Burimet i thanë gazetës “Si” se të hënën me shumë gjasa do të nisë aktiviteti i transportit publik për linjat që nuk kanë filluar ende.

Ndërsa punonjësit e transportit publik, kanë dalë sot (të premten) në protestë për të kërkuar pagën e dytë të luftës që i është premtuar nga qeveria.

“Qeveria paguan deputetët e rrugës, paguan karburant për ta edhe në kohë pandemie kur ata kanë qëndruar në shtëpi. Shoqata të bëjë çfarë të dojë, unë nuk filloj punën. Kemi familjet pa bukë. Shoqata të punojë vetë. Ne duam pagën e dytë”- shprehet një prej punonjësve.

Të gjithë në unison kanë një kërkesë të vetmë; pagën e dytë të luftës sepse kanë që në mars pa punë dhe pa asnjë të ardhur.

Gazeta “Si”, pyeti përfaqëuses të njërës prej shoqatave nëse ka një kontradiktë këtu; teksa burime pranë shoqatave kanë rënë dakord për të nisur punën ditën e hënë, ndërkohë që punonjësit nuk pranojnë të nisin pa marrë pagën e dytë të luftës.

“Jo nuk ka asnjë kontradiktë këtu. Punonjësit janë në gjendje të mjerueshme. Nëse bizneset kanë ndonjë kursim për të mbijetuar, ata jo. Nuk mund të jetojnë pa asnjë të ardhur. Atyre u është premtuar paga e luftës dhe Ministria e Financave të zbatojë premtimin që të nisim nga puna të hënën. Java tjetër do të ketë shumë zhvillime në sektorin tonë”- u shpreh një burim pranë njërës prej shoqatave të Transportit Publik.

Teksa rastet e infektimeve me Covid-19 po shtohen dita-ditas në vend duke krijuar një situatë të paqartë dhe të pasigurtë të sigurisë shëndetësore; nga njëra anë janë punonjësit e transportit publik që po klithin për ndihmë se nuk kanë të ardhura për të jetuar, nga ana tjetër është pretendimi i shoqërive të transportit nën ombrellën e shoqatave që këmbëngulin deri në fund për plotësimin e kërkesave të tyre dhe pala tjetër Ministria e Infrastrukturës që e ka mbyllur historinë me transportin me një paketë mbështetëse për të që edhe pse u artikulua gati një javë më parë, nuk është bërë ende publike dhe nuk dihet se çfarë përmban.

Por janë edhe njerëzit, veçanërisht ata pa asnjë alternativë transporti që i kanë sytë çdo ditë nga mediet për të mësuar se kur do të nisë transporti publik.

Është një puzzle prej 1 mln dollarësh që bëhet e ç’bëhet në momentin e vendosjes së copëzës së fundit të puzzlit.

Edhe në kohë “paqeje”, autobusët e transportit publik kanë qenë përherë problematikë për qytetarët; që nga tejmbushja, mosfunskionimi i ventilimit dhe kondicionimit, vjedhja nga hajdutët e xhepave, etj.

Nëse transporti publik nis të hënën, siç bënë me dije burime pranë shoqatave të transportit për gazetën “Si”, shoqëritë e transportit nuk duhet ti harrojnë këto muaj, por të reflektojnë dhe ti ofrojnë një shërbim dinjitoz qytetarëve.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë