Treg

Shqiptarët e injoruan Covid gjatë të Premtes së Zezë, në SHBA njerëzit u dyndën në internet

Fotografitë e shpërndara në internet ku shqiptarët u dyndën në qendrën tregtare në periferi të Tiranës për të përfituar nga uljet e një feste që nuk është e jona duke injoruar të keqen që na ka kapluar dhe po merr çdo ditë të njohur e të afërm, më kujtuan radhët e qumshtit, që si kohë i kam mbërritur, por nuk i kam përjetuar në vetën e parë. Ishte im atë, që për fat të tij ishte njeri mëngjesi, (por jo aq sa të zgjohej në 3 ndaj të gdhiri) dhe linte shishen ngjyrë jeshile qelqi me grykë disi të gjerë që kur të çelte dyert dyqani i bulmetit, familja të mos mbetej pa ngrënë.

A mund të prevalojë uria e sëmurë për dy lecka më shumë për të konkuruar koleget në administratë apo në cilëndo kompani private ndaj shëndetit?

Si mund të bësh këtë gjë, kur lajmërimet e vdekjeve dhe njoftimet e sëmundjeve me COVID janë bërë kaq rutinore në vend ku mosha e të prekurve dhe të vdekurve është ulur më tej?

Kjo për sa i përket ndërgjegjes qytetare. Po qeveria çfarë bëri ndërkohë? Ajo nuk ishte në dijeni që edhe shqiptarët e kanë adoptuar festën amerikane të kaposhit? Nuk ishte në dijeni që reminishencat e radhëve të qumshtit nuk janë shkulur nga mendjet e shqiptarëve? Pse nuk kishte një protokoll anti-COVID-19 edhe për qendrat tregtare për tu zbatuar nga kjo e premte deri në 6 janar ku periudha e blerjeve nisur nga vitet e kaluara  është intensive?

Pse kjo neglizhencë kur çdo ditë, çdo njëri prej nesh dëgjon nga një histori horror me COVID? Ku ishte Task Forca, po policët e njësisë përkatëse administrative që i takon zona ku ndodhet qendra tregtare?

E vërtetuam me transportin publik se sa ndërgjegje qytetare patëm dhe kemi; pa maska dhe duke u zvarritur mes derës dhe shkallëve, vetëm të shkojmë herët në destinacion edhe pa qenë me nxitim.

Është kaq absurde, sa djepi i krijimit të Festës së Falenderimeve, Amerika, ka raportuar shkreti në qendrat tregtare në ditën e të Premtes së Zezë.

 Loja e shahut dhe PlayStations kërkesa të jashtëzakonshme në internet, pasi blerësit e moshuar në zonat rurale shmangin dyqanet.

Amerikanët po derdhin miliarda dollarë nga smartfonët dhe laptopët e tyre të Premten e Zezë, pasi ata që nuk kanë blerë kurrë në internet më parë, ushqyen një bum në tregtinë elektronike, duke lënë qendrat tregtare të shkreta.

Pavarësisht motit të mirë në pjesën më të madhe të SHBA-ve, vëzhguesit e qendrave tregtare regjistruan numër vizitorësh dukshëm më inferior se zakonisht në atë që është tradicionalisht dita më e ngarkuar e blerjeve të vitit. "Është një e Premte e Zezë shumë e trishtuar", tha David Bassuk, bashkë-shef i shitjes me pakicë në AlixPartners.

Amazon, Walmart dhe Target ishin në rrugën e duhur për të qenë ndër fituesit më të mëdhenj të korporatave nga një rritje në shpenzimet dixhitale, duke konsoliduar epërsinë e tyre ndaj rivalëve që luftojnë, pasi blerësit që janë të rinj në blerjet në internet u drejtohen shitësve me pakicë me ofertat më të forta dixhitale.

Gjatë paradites në bregun lindor, shitjet në internet u rritën mes 20 dhe 40 përqind krahasimisht nivelet e të Premtes së Zezë 2019, sipas vlerësimeve nga Adobe, megjithëse grupi i analytics ribëri vlerësimet pasi pati një rritje edhe më të madhe. Saiti regjistroi 5.1 miliard dollarë porosi e-commerce në ditën e  Falënderimeve - pothuajse gjysma nga smartphonët.

Shitësit me pakicë, përfshirë Walmart, janë përpjekur të mbajnë gjallë kërkesën për një periudhë shumë më të gjatë se zakonisht, duke ofruar ulje dhe promocione të tjera që  prej  tetorit, duke ulur shitjet në ditën e shënuar të së premtes së zezë.

Teksa blerësit mund ti drejtoheshin personalisht zinxhirëve të dyqaneve përfshirë Best Buy, të cilët u çelën dyert që në orën 5 të mëngjesit, shumica e promovimeve ishin gjithashtu në dispozicion në internet.

Disa shitës me pakicë matën temperaturën e klientëve në hyrje dhe disa u kërkonin atyre që të siguronin detaje personale për gjurmimin. Dyqanet në Los Anxhelos, Çikago dhe qytete të tjera ishin të kufizuara në kapacitetin 25 për qind të pranimit të klientelës.

Me rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit, autoritetet shëndetësore kërkuan përmbajtje. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve klasifikuan blerjet në zona të mbushura me njerëz si një "aktivitet me rrezik më të lartë" që ndihmon përhapjen e Covid-19.

Rreth 9 përqind e shitjeve në internet deri më tani këtë javë kanë ardhur nga klientë që janë të rinj në blerjet në internet, sipas Taylor Schreiner, drejtor i Adobe Digital Insights, i cili tha se konsumatorë të tillë "priren të anojnë në grupmoshën më të vjetër dhe të që janë nga pjesët rurale të vendi”.

Rritja e tregtisë elektronike është shenja e fundit që, megjithë hezitimin për të bërë blerje personalisht, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë - ata që kanë mbetur në punë dhe kanë qenë në gjendje të kursejnë para nga qëndrimi në shtëpi - është i gatshëm të shpenzojë.

Loja e shahut pati kërkesë të veçant, falë hit-serisë së Netflix, The Queen's Gambit, siç ishte PlayStation 5, për të cilin mungoi oferta e mjaftueshme.

Në Nju Jork, qendrat tregtare që zakonisht janë plot lëvizje ishin një "qytet fantazëm" të Premten e Zezë, tha Z. Bassuk. “Padyshim që ka shumë njerëz në New York. Ata thjesht po qëndrojnë stoik ndaj tundimeve të traditës për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të të afërmve”.

Ai shtoi: "Vala e dytë e koronavirusit nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të keqe për shitësit me pakicë. Po godet me të vërtetë tani. Konsumatorët duan të jenë të shëndetshëm për festat dhe thjesht janë tepër të kujdesshëm. "

Shitjet në dyqanet fizike përpara periudhës së pikut të blerjeve ishin ndjeshëm më të ulëta se nivelet e zakonshme, me 31 për qind në vit në javën e tretë të nëntorit, sipas RetailNext.

Shifrat fillestare treguan se Amazon, së bashku me ata shitës që kanë dyqane fizike me ofertat më të forta në internet, po rritnin epërsinë e tyre ndaj tregtarëve më të dobët.

Në javën përpara të Premtes së Zezë, shitjet dixhitale në Amazon u rritën me 65 përqind nga 2019, treguan shifrat e Edison Trends. Në Walmart dhe Target, dy nga operatorët më të fortë të dyqaneve fizike, u rritën përkatësisht 167 për qind dhe 80 për qind.

Biznesi i tregtisë elektronike në ndërmarrjet e tjera gjithashtu është rritur ndjeshëm, por nga një bazë më e ulët dhe me një ritëm më pak intensiv. Shitjet në internet u rritën me 19 përqind në Nordstrom, 23 përqind në JCPenney dhe 54 përqind në Macy.

Por shitësit me pakicë janë nervozë për perspektivën ekonomike, ndërsa pandemia zvarritet dhe zvarrit edhe njerëzit. "Konsumatorët ende përballen me pasiguri me rritjen e rasteve të Covid dhe papunësinë e lartë", tha Sonia Syngal këtë javë, shefi ekzekutiv i Gap, shitësi i veshjeve.. Konvertimi i blerësve të dyqaneve fizike në tregtinë elektronike kërcënon të shkaktojë dëme më të qëndrueshme për zinxhirët e veshjeve, departamentet e dyqaneve dhe dyqaneve të tjera fizike. - dhe operatorët e tyre të shkatërruar nga kriza. Burimi Financial Times/ Përgatiti Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë