Treg

Shqiptarët blenë 80 mijë makina në 2023. Koreja ndër importuesit kryesorë

Nga Gazeta ‘SI’ - Rreth 80 mijë automjete u blenë në Shqipëri gjatë të gjithë 2023-shit duke arritur kështu një rekord të ri. Vetëm në muajin dhjetor në vend kanë hyrë më shumë se 8 mijë e 600 automjete. Nga viti 2022, janë blerë rreth 20 mijë mjete më shumë.

Rreth 85% e tyre janë makina personale, 7% motorë dhe pjesa tjetër mjete transporti më të mëdha.

Sipas të dhënave që jep Drejtoria e Shërbimeve Rrugore, DPSHTRR, ka një zhvendosje të trendit dhe shqiptarët po blejnë më shumë makina të reja dhe më të shtrenjta. Gjithsesi dominojnë përsëri mjetet +10-vjeçare, 51% të blerjeve.

11.2% e makinave të reja (mbi 7. 3 mijë) janë të prodhuara 4 vitet e fundit. 10% (rreth 7 mijë) janë prodhuar 5-8 vitet e fundit, pra relativisht mjete të reja.

Pjesa më e madhe u ble në Tiranë mbi 31 mijë, ndjekur nga Durrësi 12 mijë dhe Fieri 7 mijë.

Mercedes-Benz ka rënë përfundimisht nga froni si firma e preferuar e shqiptarëve dhe është zëvendësuar me Volkswagen e cila mban vendin e parë me 24.6% të makinave të reja të blera këtë vit. Ndaj totalit vetëm 17 % janë Benz. E treta në radhë qëndron Audi me 12.5%.

Në rritje vazhdon të jetë edhe tregu i mjeteve elektrike, ndonëse jo me shumë shpejtësi. Deri në nëntor 2023 ishin regjistruar më shumë se 4 mijë mjete elektrike apo hibride.

Pas Gjermanisë dhe Italisë, Koreja e Jugut është kthyer në importues me rëndësi të mjeteve në Shqipëri.

Në Shqipëri qarkullojnë 867.765 mjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë