Lajme

Shqipëria vendos të heqë vizat me shtetin e El Salvadorit

Shqiptarët kanë komoditetin që të lëvizin pa viza në disa shtete të botës, por qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme që kjo listë të zgjerohet me një tjetër shtet.

Ezekutivi shqiptar ka vendosur për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare, të shërbimit dhe të zakonshme midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së El Salvadorit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. El Salvadori është një nga shtetet më të vogla dhe me dendësi të madhe të popullsisë në Amerikën Qendrore, i shquar kryesisht për aktivitetin e lartë kriminal dhe përplasjen e bandave të drogës.
Sipas listës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, janë plot 44 vende ku shqiptarët mund të lëvizin pa nevojën e një vize afatshkurtër. Mes këtyre shteteve janë edhe ato të Bashkimit Europian, që kanë miratuar zonën Shengen.

Ndër to vendet janë gjithashtu dhe vende mjaft të njohura si destinacion turistik, por edhe vende për t’u eksploruar. San Marino dhe Monako janë dy shtete të vogla, por me një turizëm për t’u patur zili.

Shtetet ku mund të udhëtohet pa vizë afatshkurtër janë: Bosnja, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjeorgjia, Gjermania, Holanda, Hong Kongu, Hungaria, Islanda, Italia, Izraeli, Korea Jugore, Kroacia, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Makao, Malajzia, Mali i Zi, Malta, Maqedonia, Monako, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Çekia, Rumania, San Marino, Serbia, Singapori, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Turqia dhe Zvicra, El Salvadori. Ndërsa në Egjipt, Bjellorusi dhe Haiti viza afatshkurtër merret në kufi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë