Vende dhe Udhetime

Shqipëria turistike dhe mrekullitë që fsheh ajo

Nga Alex Walkner - Je duke kërkuar vende jashtë shtetit për të kaluar pushimet por nuk të pëlqen asgjë? Po sikur ta heqësh fare idenë e të larguarit dhe të eksplorosh vendin tënd? Mjafton një hartë dhe mund të surprizohesh nga çfarë do të zbulosh. Shqipëria ka një larmishmëri vendesh që ne as nuk e imagjinojmë që mund të jenë aty, duhet vetëm pak kohë për të shijuar në maksimum disa pushime të paharrueshme, të cilave mund t’u rikthehemi vazhdimisht ose, pse jo, të kërkojmë destinacione të reja.

Është një vend, i cili akoma nuk është zbuluar në tërësi

Sa shumë di ti për kulturën shqiptare? Mund të kesh dëgjuar për rivierën përrallore dhe plazhet e saj por, një pjesë e madhe e saj është akoma e pazbuluar. Kjo ndodh sepse mund të kesh dëgjuar se ka qenë vend i pasigurtë dhe i paqëndrueshëm më përpara dhe infrastruktura lë për të dëshiruar gjithashtu.

Sidoqoftë, gjërat po ndryshojnë për mirë, dhe e ardhmja është e ndritshme për këtë komb kaq të dashur. Edhe pse infrastruktura nuk është më e mira e mundshme, është gjithmonë dikush që mund të të çojë kudo që të shkosh në këmbim të një pagese.

Mikpritja nga vendësit                 

Shqiptarët e kanë në gjak mikpritjen dhe nuk të duhet fare ta kërkosh vëmendjen e tyre sepse ata do të ta japin gjithsesi. Ata janë kuriozë dhe u pëlqen të komunikojnë me njerëzit. Nëse ka turistë të huaj, turistët gjermanë do ta kenë më të lehtë komunikimin, sidomos kur të flasin me më të moshuarit sepse shumica prej tyre kanë punuar në Gjermani më përpara.

Ndërsa turistët që flasin anglisht mund ta kenë pak të vështirë sepse një pjesë e tyre nuk dinë, por kjo nuk përbën asnjë problem, sepse shqiptarët do e gjejnë gjithmonë një mënyrë për të të kuptuar dhe do të përgjigjen me një buzëqeshje të madhe.

Ka disa nga plazhet më të mira në Europë

Plazhet e Shqipërisë janë të mrekullueshme dhe mund t’i përshtaten çdokujt, nuk ka rëndësi nëse do plazhe me rërë, me gurë apo me guraleca, të izoluar apo me njerëz, Shqipëria i ka të gjitha këto.

Jugu i Shqipërisë mbetet një nga vendet më piktoreske për shkak të gjireve në ngjyrë të kaltërt, të cilët nuk mund t’i gjejmë kudo.

Çmime të lira

Do të udhëtosh pa boshatisur llogarinë bankare? Kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë për ty. Mund të eksplorosh Shqipërinë pa qenë nevoja për një shumë të madhe lekësh. Në Shqipëri çmimet janë sa gjysma e çmimeve të Europës dhe është e sigurt që çdo qindarkë do ia vlejë.

Mrekulli të fshehura

Në vetëm 15 minuta larg nga Ksamili mund të gjesh gjirin më të kaltërt që ke ëndërruar ndonjëherë, bregu me guraleca të vegjël dhe shkëmbinjtë e lartë që e rrethojnë do e bëjnë një pamje të paharrueshme në kujtesën  tonë. Dhe gjëja më e mirë, nuk ka njerëz. Është vendi perfekt nëse do të kalosh një ditë të paharrueshme me shoqërinë apo me familjen.

Dhe nuk është vetëm deti që e bën kaq magjike, Shqipëria ka gjithashtu një natyrë mbresëlënëse me liqene dhe gjithashtu zonat malore janë perfekte për ata që adhurojnë ecjet në natyrë.

Ushqime të shijshme

Kuzhina shqiptare është një xhevahir më vete për çdo turist, gratë shqiptare, por edhe burrat, e përgatisin çdo gjë me shumë përkushtim dhe dashuri dhe kjo është ajo që e bën akoma më të shijshme çdo gjë. Kuzhina shqiptare ka një larmishmëri pjatash të cilat nuk mund t’i lëmë pa provuar, por disa nga më kryesoret janë: fërgesa, tava e kosit, byreqet me mbushje nga më të ndryshmet apo specat me gjizë. / Swedish Nomad


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë