Politike

Shqipëria shpall ‘person të padëshiruar’ për 15 vite Ikballe Hudutin: Kërcënim për vendin

Gazeta Si – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për Igballe Huduti (Berisha).

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shteteseje vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Kujtojmë që Igballe Huduti (Berisha) njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagin ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë